Rruga Kukës-Shishtavec çfarë po ndodh (?!)

Lexuar 5604 here




nga Azem PARLLAKU
Investimi për t'a shndërruar aksin rrugor Kukës-Shishtavec në parametra të kohës, nisi në vitin 2007 dhe duhej të përfundonte në vitin 2009, por për shkak të mungesës së fondeve u la në mes.

Rinisja e punimeve për ndërtimin e dy loteve të mbetura, u bë e mundur falë këmbënguljes së invesitorit KfW (Instituti i Credit Rindërtimit), bankë në pronësi të qeverisë Gjermane për Zhvillim me seli në Frankfurt.

Tenderi i zhvilluar nga KfW, u zhvillua në Shtator të vitit 2013 dhe kontratat me kompanitë të cilat do të kryenin punimet, u lidhën në Maj të vitit 2014.

Është me rëndësi të theksohet se: Banka Gjermane ka refuzuar të ndryshojë përzgjedhjen e këtij objekti me të tjerë të propozuar nga qeveria e Shqipërisë.

Kështu, në verën e vitit 2014 u intensifikuan punimet në lotin Ura e Cernalevës-Ura e Topojanit, për të kulmuar më tej me punimet e kryera gjatë këtij viti në lotin Ura e Topojanit-Shishtavec.

Me një gatësi 30 km, kjo rrugë e bën më të shpejtë dhe komod udhëtimin në njërën prej zonave pak të eksploruar, e tërheqëse për zhvillimin e turizmit malor, ndërkohë që, për banorët e zonës ajo vlerësohet si mundësi për ngritjen e cilësisë së jetesës.

Në të dielën e dytë të gushtit 1961, për herë të parë një automjet i tipit "Gaz-51 Molotov" xhiroton në Shishtavec.

Ky xhirotim u krye me rastin e hapjes së rrugës automobilistike Kukës-Shishtavec.

Aksi rrugor 56 km i gjatë, kalonte në Bicaj-Kolesjan-Kroi i Bardhë-Turaj-Shishtavec.

Në vitin 1979 filloi hapja e aksit të ri rrugor; Kukës-Rexhepaj-Topojan-Novosej-Shishtavec.

Rruga e re, ose sic njihet ndryshe "Rruga e Vanave", përfundoi në vitin 1983 dhe ishte e gjatë 38 km.

Aksi në ndërtim është po ai i vitit 1979, veçse 8 km më i shkurtër, e sigurisht më i gjerë dhe i sigurtë.

Gjatë kësaj vere, fshatrat Shtrezë, Novosej dhe Shishtavec u kthyen në kantier ndërtimi. Dhjetra vendas të punësuar, dhjetra të tjerë, inxhinierë e specialistë, të cilët erdhën nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, nuk e ndalën punën as dhe një ditë të vetme.

E nëse, ke ndaluar një ditë për të vëzhguar si po punohet, sigurisht që, ka mjaftueshëm nga gjërat që duhen vlerësuar.

Të parët janë banorët e zakonshëm ata që, nuk u "merakosën" edhe pse një arë, një copë kopshtije, apo një mur rrethues, e ka humbur funksionin, nuk e ngritën zërin, përkundër janë të lumturuar që, rruga po bëhet.

Ata shpresojnë se, kjo rrugë do të sjellë zhvillim, ndaj dhe kanë në kokë idetë, se si mund t'i bëjnë tërheqëse resurset e vendit të tyre.

Ndërsa, vlerësojnë këmbënguljen e deputetit Flamur Noka, për ndërtimin e kësaj rruge, krahas kësaj dhe vendosjen e bashkëpatriotit Noka, në krye të nismës për të legalizuar lëvizjen me automjete përmes pikës doganore me Kosovën, këtu në Shishtavec, ç'ka e bën më të afërt, Tiranën dhe Prishtinën.

Vendasit e punësuar, kanë mundur të sigurojnë jo pak të ardhura nëpërmjet pagesës së përfituar gjatë kësaj periudhe, ndërkohë dhe kanë zotëruar aftësi më të mira profesionale, në punët si këto të ndërtimit të rrugëve.

Stafi i inxhinierve dhe specialistëve, të cilët ka kohë që, janë bërë "banorë" të fshatrave këtu, e çmojnë mirëkuptimin me komunitetin, e ky i fundit vlerëson përgjegjshmërinë që tregon ky staf në kontrollin e cilësisë së punimeve të kryera.

Nga Ura e Topojanit deri në Shishtavec, pjesën dërrmuese të punimeve e zënë muret mbrojtëse të kryera nga nënkontraktori "Alesia shpk". Për ndërtimin e tyre janë shfrytëzuar guroret "Madene" Novosej dhe "Pllocë" Shtrezë, ndërsa në ndërtimin e tyre janë angazhuar punëtorët vendas nën kujdesin e inxhinierit Thoma Shyti e mjeshtërve Taulant Caka, Sami Rexhmati, e Sabah Caca.

"Beisi shpk" është nënkontraktori që, ka realizuar punimet mure betoni, e bordura, ndërkohë që, kryeinxhinieri i RSM-së, Artur Luca pohon se; "Britania shpk", deri në fundin e këtij muaji do të hedhë shtresën me asfalt nga Shishtaveci deri tek Ura e Shtrezës.

Për shkak të pjerrësisë gjatësore më shumë se 10%, segmenti Ura e Shtrezës-Ura e Topojanit, imponon shtrim të betonizuar "plance".

Fatos Ahmeti, topograf, manovratorët Ilirian Petku, Mevlan Bilali, Ndricim Mici, Ylber Allaraj, etj, janë më të kudondodhurit e kantierit.

Moti i mirë, fuqia punëtore e motivuar, e eficenca e aseteve teknike, janë shpresdhënëse, në finalizimin e projektit brenda vitit, në lotin Shishtavec-Ura e Topojanit.