Guri i Mëngjesit në toplistën e destinacioneve të preferuara

Lexuar 3978 here




nga Azem PARLLAKU
I ndodhur në një lartësi 1900 metër mbi nivelin e detit, Guri i Mëngjesit është nga gurët më të fotografuar, dhe shkuarja deri atje, është destinacioni i preferuar për cdo vizitor, që ngjitet në bjeshkën e Shishtavecit.   Ai është një gur ranor në formë konike, me përmasa; 25 metër i gjatë, 13 metër i gjerë, dhe 11 metër i lartë.
Ndonëse ndodhet në Jug të Shishtavecit, guri quhet i mëngjesit. Banorët e hershëm të Gradishtës, duhet t'a kenë pagëzuar më shumë se 1500 vjet më parë, për arsyen se ky gur, që  shalon në horizont, ka qenë një vendqëndrim dhe orientues, përgjatë rrugëve që kanë lidhur qytetërimet e hershme të ngulitura në kërthizën e vargmaleve të Sharrit.
Duhet të ketë qenë vendi, ku banorët e hershëm të këtyre anëve, mblidheshin me kuajt e tyre, për të marrë rrugën drejt Shkupit dhe Tetovës.   Është intrigues dhe fakti që, ky gur nga një pjesë e vendasve thirret "Murga". E nëse është quajtur dhe kështu, patjetër në pllajën nën këmbët e gurit, janë zhvilluar festa masive nga blegtorët e hershëm.
Ndërkohë gojdhënat tregojnë se, mban këtë emër ngaqë rrezet e para të diellit lëpyhen përbri gurit.
Jemi duke folur për "Gurin e Mëngjesit", i cili që nga Qershori i vitit 2002 është i listuar dhe mbrohet si Monument i Natyrës në Shqipëri me Ligjin Nr.8906.
Vetëm disa metra në lindje të këtij guri, dikur ndante kufiri shtetëror me ish-Jugosllavinë, ndërsa sot, ai kufi është thjeshtë formal midis dy shteteve të shqiptarëve.   Jo shumë larg, në Prill të vitit 2015, "udha"që të con nga Shishtaveci drejt Gurit të Mëngjesit mban emrin e të ngarkuarit me punë të Norvegjisë në Shqipëri dhe Kosovë, ambasadorit Jan Braathu, i cili është dhe "Qytetar Nderi" i ish-Komunës Shishtavec.
Thamë "udha" mbasi për të shkuar nga Shishtaveci tek ky Monument i Natyrës, nuk ka një rrugë me kalueshmëri normale.
Në vitet e fundit destinacioni "Guri i Mëngjesit" është ndër më të preferuarit në Qarkun e Kukësit.
Preferohet për të shkuarën historike, për peizashet magjike të jug-perëndimit të vargmaleve të Sharrit, për burimet e ujrave të akullt, për shumëllojshmërinë e bimëve dhe luleve, për pistat ku ushtrohet sporti i skive, etj.   Nisur nga fakti që, Shishtaveci dhe zona përreth tashmë janë në hartën e destinacioneve që presin vizitorë, me të drejtë konstatojmë se, ka ardhur koha që, turizmi të vlerësohet si prioritet, për zhvillimin e zonës nga grykëderdhja e Vanave deri në Kallabak.   Kjo për faktin se: zona zotëron burime të virgjëra natyrore dhe të pashfrytëzuara, të tilla si; Kanioni i Vanave. Pllajat në kërthizë të maleve që shtrihen përgjatë Parkut Kombëtar "Korab-Koretnik" Ujëmbledhësi në Novosej. Masivet pyjore kryesisht ato me mështekën dhe pishë. Lëndina të përshtatshme për organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive e kulturore. Terrene të përshtatshme për sporte si: ski, alpinizëm, ciklizëm malor, hipizëm, etj. Aktualisht pika të dobëta të turizmit konsiderohen; Kultura e shërbimit nuk është në nivelet e kërkuara. Mungesa e shërbimeve dhe akomodimit për turistët. Informacioni për zonën nuk është i plotë. Në disa pjesë të zonës mungon sinjali i telefonit celular. Promovimi i turizmit të zonës është në nivel shumë të ulët. Guidat turistike për zonën janë inekzistente.