Shishtavec, të flasësh për turizëm (Si !?)

Lexuar 3382 here




nga Azem PARLLAKU
Edhe pse, mund të konsiderohet si e zakonshme për kohën dhe vendin, gjithësesi dëbora e rënë së fundmi, joshi jo pak të apasionuar t'i drejtoheshin Shishtavecit, Topojanit dhe bjeshkëve përreth. Ndryshe nga c'mund të mendohej, fatmirësisht rruga automobilistike Kukës-Shishtavec, nuk u bllokua për asnjë moment, ndonëse trashësia e dëborës arriti deri në 80 cm, e temperaturat zbritën ndjeshëm.
Komuniteti i banorëve të zonës nuk u gjet i papërgatitur, ndaj dhe nuk u regjistruan premisa për emergjenca civile e shëndetësore. Në të gjitha shkollat 9-vjecare dhe ato të mesme procesi mësimor nuk u ndërpre për asnjë ditë, ndërkohë që ngrohja me dru e klasave është në funksion.
Administratorët e njësive vendore, mbetën në kontakt të vazhdueshëm, duke koordinuar shërbimet publike që ofron Bashkia e Kukësit, e entet shtetërore dhe ato private.

Por cfarë konstatohet, se nuk shkon si duhet në ditët e fundit me diell dhe dëborë?!

Me një grup fansah të sporteve dimërore, morëm rrugën drejt Shishtavecit.
Anipse, si njohës i "regjur" i zonës duhet t'a them se që në fillim isha skeptik, ndaj dhe bëra pakt me miqtë që, në fund të këtij udhëtimi të mos mbaja barrën e "fajit".
Në orët e para të mëngjesit të 19 Janarit, ndaluam për një caj në njërin nga bar-kafetë, ku një pjesë e mirë e administratorëve të Bashkisë, e reporterëve lokal të medias kalojnë pjesën më të mirë të kohës.
Paraprakisht e dinim që rruga drejt Shishtavecit ishte e lirë, por "forca e zakonit" në kësisoj rastesh të shtyn të pyesësh.
Çuditërisht asnjëri nga ata që, i konsideronim si të përgjegjshëm dhe të mirëinformuar, na rezultoi se, nuk ishte dhe kaq.
Me lexuesin tim, bëj paktin të mos përmend emra, mbasi Kukësi dhe fshatrat ku shkuam, janë të vegjël dhe të gjithë njerëzit e njohin njëri-tjetrin.
Kërkuam një informacion në lidhje me bujtinat, ku mund të akomodoheshim në Topojan, Novosej, apo në Shishtavec, e përgjigjet që morëm ishin; Në Topojan ka një lapidar që përkujton një masakër serbe të së shkuarës, në Novosej ka një ujmbledhës dhe një xhami me minare, në Shishtavec duhet të ketë ndonjë pistë për t'u provuar në aftësitë e skiatorit amator. Kaq është informacioni që zyrtarisht të ofron personeli i administratës publike, këtu në Kukës.
Ironikisht mbesa ime 6-vjece që, e ka vizituar më rrallë Kukësin dhe fshatrat e tij,  ruan më shumë informacion nga c'pretendojmë të marrim nga zyrat këtu.   Ndaj, vendosëm të mos shkonim kohën kot, e u nisëm për ku e kishim planifikuar. Një punonjës policie me flokë të gjatë na bën shenjë për ndalesë! Për Shishtavec e kemi udhën. Rrugë të mbarë na uroi, pa na këshilluar nëse duhet të kishim kujdes, apo të na kujtonte nëse kishim zinxhirët e akullit dhe dëborës.
Dy automjetet tona të kalueshmërisë së lartë pas më pak se 25 minuta, ishin parkuar në atë që mund të konsiderohet si qendra e Topojanit. Mbasi kishim tymosur cigaren e dytë, e kishim muhabetosur dikush me telefon, e mes nesh, më në fund u shfaq një zonjë e cila kish hedhur në shpinë një litar të mbledhur. Njëri nga ne e përshëndeti duke e pyetur; Nëse mundet të na thuash: ku mundet "t'biem në gjurmë" kryeplakut të katundit!? Zonja vazhdoi rrugën duke heshtur, ndërsa këtë të fundit e theu zhurma karakteristike që vinte nga shkolla disa metra më poshtë, nga ku ne kishim qëndruar.
Tymi nga oxhaqet e shtëpive i bardhë si dëbora nën këmbët tona, e lapidari i veshur me "plis", na e shfaqi Topojanin paqësor me vetveten.   Duke e lënë Topojanin në paqe me vetveten, planifikuam të ndalojmë në Shtrezë, plan ky pa vlerë, mbas bisedës që kryem me manovratorin e mjetit borëpastrues, me të cilin u ndërruam pak pa mbrritur tek Ura e Shtrezës. Indiferenca e banorëve të Shtrezës ndaj sakrificës dy ditore të manovratorit, i cili kish mundësuar mbajtjen hapur të aksit rrugor nga Ura e Topojanit deri këtu, nuk ishte gjë tjetër vecse një grishje e ftohtë për në Shtrezë.
Në Novosej është pak ndryshe, me c'dukej disa të vegjël që kishin lënë cantat shumëngjyrëshe me libra menjëanë, ishin "arratisur" pak si shpejt nga ora e dytë e mësimit, vetëm për të bërë betejën me topa bore karshi shkollës së tyre.
Si vendas, sefte miqtë do i gostisja në sofrën e babës, ndaj për dy orët rreth sofrës dhe sobës, kaluan shpejt, vecse në kthim drejt Tiranës, "mallkuam" veten: përse nuk i vumë veshin Nënës Hate, e cila me bujari si rrallëkush na u lut, të mos e linim sofrën mbushur me aq rrëmbim.
Të jesh vendali dhe bashkëudhëtues me "aventurierë" është paksa e vështirë t'a përballosh këtu në Novosej, ndaj dhe kaq mjaftoi për t'i ikur shpejt tavolinës së njërit prej dy lokaleve që gjetëm hapur.
Shishtaveci, ishte destinacioni ynë final. Ndaj nxituam shpejt për të kapur kohë.
Në hyrje djathtas të fshatit dy mësuese dhe një grup nxënësish po fotografonin një "njeri dëbore", dikush nga Ne u afrua dhe bëri një shkrepje. Ndërsa u varëm drejt qendrës së Shishtavecit, u kujdesëm të mos parkonim para dyerve të bareve, ku në secilin prej tyre kundërmonte duhani, që të moshuarit tymosnin ngjitur me sobat e druve, të cilat ende mbaheshin me prushin e një dite më parë.
Si ditë e ftohtë, por e bukur gjithësesi njëri nga miqtë që, kishte marrë një bidon me pijen shqiptare "e bërë vetë", rrafshoi gotat për burrat e rrethsobës.   Teksa, toskë e gegë bëhen bashkë këtu në Shishtavec, ka dhe lezet, ka dhe c'sheh e c'shkruan.
Dikush prej nesh ka filluar kërkimin në rrjetet sociale, me dhjetra llogari me emra konaku, sofre, vilash, hotelesh, stanesh, shoqatash, janë bërë virale, ndërsa askush prej administratorëve nuk ka deklaruar kontaktin.
Dikur mbasi dielli po varej drejt shpinës së Gjalicës, në inbox-in tim më vijnë mesazhet
Unë administratori X jam tash 10-vjet, në Londër, Unë administratori i Y jam tash 15-vjet me pashaportizim në Tiranë, etj, etj.
Mbasi shkuam deri në Shishtavec dhe nuk pamë as pistë skish, mbasi shkuam në Topojanin e paqes me vetveten, Novosejn tim që e dua, por që..., dashamirësisht për të gjithë Ju, bashkëpatriotët që, keni marrë përsipër të investoni, të promovoni të vlefshmen e atij vendi, konsiderojeni paragrafin që e mbyll këtë qasje.
Ç'kusure ka shteti në këtë mes, i kemi artikuluar dhe nuk do ndalojmë; Por:
Tashmë, të gjithë Ne që shkruajmë e publikojmë virtualisht, gjithçka e themi me shpirt duke i'u përmbajtur etikës dhe kulturës, që kemi arritur të marrim aty ku u lindëm dhe u rritëm.
Në njëfarë mënyre, Ne i shkruajmë të sotmes, të shkuarës, të nesërmes, të bukurës, të fismesh, dashurisë, të përmallueshmes, familjes, etj:
  Pra kemi për cfarë flasim dhe shkruajmë!
Të gjithë gjërat e bukura, Zoti i la dukshëm të shihen, disa të tjera ndoshta nuk duken fort kollaj. Them ndoshta, mbasi të "shtërnguar" nga darët e botës virtuale, frustohemi dhe shpesh shprehemi me emocione të harlisura dhe të pakontrolluara.
Etika në mënyrën si qasemi, është më e shëndetshme nëse rri larg egos, e cila pa e kuptuar na gremis.