Xhemal Asipi, si duhet t'a njohim !

Lexuar 9192 here




nga Azem Parllaku
Mësues dhe një individ shumë aktiv Xhemal Asipi, është krenar për origjinën e tij nga fshati Xhaferaj. Sot, ai ka shumë miq nga ky fshat, nga Topojani, Brekija, Novosej, Kollovozi, e Shishtaveci. Me shumë prej tyre rrëfen Asipi, qëndroj në kontakt duke shkëmbyer biseda interesante, c'ka për mua janë mbreslënëse, teksa nuk e fsheh dëshirën për t'a vizituar sërish vendlindjen e të parëve.
Si mësues në pension, ai banon në Shemshovë, një fshat 13 km larg Tetovës. Nëpërmjet bisedës që kam zhvilluar me "Bacin" Xhemal, kështu e thërras, rrëfimi i tij, është interesant për të gjithë bashkëpatriotët dhe lexuesit e websit-it këtu.

Shemshova thotë "Baci": përmendet prej vitit 1455 edhe më herët, e sipas të dhënave osmane ka patur 36 familje, ndërsa në vitin 1947 ka pasur 97 shtëpi. Të parët e Shemshovës luftuan deri në Jemen, ishin aktiv në luftrat Ballkanike, në Luftën e Dytë Botërore, Luftën për Çlirimin e Kosovës në vitin 1998-1999, si edhe në Luftën e UÇK-së në vitin 2001.

Pjesa më e madhe e fshatit janë Trakalaq, mandej Xhafere, Lakushë, Karimanët, Lurasit, Muhaxherët, e të tjerë.

Nana ime e ndjera rrëfen "Baci": më thonte se kam lindur në kohën e fukarallëkut, kur fshinim grurin (lamët), më 15 korrik 1951, i cili këtej njihet edhe si vit kundër ferexhesë. Kur nisa të kuptoj për jetën, dhe sa mbaj mend (nga mesi i viteve të pesëdhjeta) ishte varfëri e madhe, mungonte buka, kishte shumë pleshta dhe morra, hala nuk kishte rrymë elektrike ( u instalua në vitin 1957), hala kishte triska për ushqimet, gëzoheshim kur na jepnin  ndihma vezë  dhe qumësht pluhur. Si shqiptarët e tjerë në këto treva edhe Shemshova hiqte të zitë e ullirit me taksat dhe tatimet që ua caktonte pushteti komunist, sepse nuk kishin pranuar dhe kishin bërë rezistencë që të mos i bashkangjiten kolektivizimit dhe kurrë nuk hyrën në kolektiv.
 
Atë kohë në fshatin e lindjes kishte shkollë fillore 4 klasëshe e mandej deri në klasën e gjashtë. Në vitin shkollor 1968-69 shkolla u bë e mëvetësishme dhe tetëvjeçare e plotë,por vetëm për maqedonasit, kurse shqiptarët prej klasës së shtatë duheshte të vazhdojnë në Tearcë (7 km rrugë fushe dhe plot baltë dhe me shumë egërsira).

Me punën e palodhshme të mësuesve tanë të asaj kohe Jumni Jonuzi, mësues nga fshati, Refet Murtezani nga fshati Odri dhe të tjerë arritën që në vitin shkollor 1966-67 të hapet klasa e shtatë e mandej vitin e ardhshëm edhe klasa e tetë.
Gjenerata e ime kishte fatin të jenë nxënësit e parë shqiptarë që do të mbaronin tetëvjeçaren në fshatin tonë. Kjo shkollë në gjuhën shqipe është hapur në kohën e Mbretnisë Shqiptare dhe mësues i parë ka qenë normalisti i Shkollës së Elbasanit, më vonë shkrimtari i mirënjohur Murat Isaku, nga fshati Gajre-Tetovë.

Pastaj mbyllet dhe hapet pas L2B në tetor të vitit 1945 si katërvjeçare me mësues Xhemil Shallamani, Sheref Kazazi, Ramadan Sadiku, Jumni Jonuzi, Metush Murtezani, Sami Rashiti, Abdylxhemil Eshtrefi, Refet Murtezani, Jonuz Mahmuti, Nait Isai, Xhabir Ahmeti, për të cilët ai ka shkruar më gjërësisht në publikimet e tij për Shemshovën

Gjimnazin thotë "Baci" e nisa në Tetovë, ku shkonim në këmbë 13 km rrugës së fushës dhe nëpër baltë e borë,  e vazhdova në Zef Lush -Marku në Shkup, pasi trenin e kishim më afër 4 km. Pas mbarimit të gjimnazit me sukses të shkëlqyeshëm dhe maturën, me insistimin e kujdestarit të klasës profesorit të nderuar të gjuhës dhe letërsisë shqiptare Zihni Osmani, vazhdova studimet në Akademinë Pedagogjike (që ishte si Instituti i Lartë Pedagogjik në Shkodër).
Në vitet e gjashtëdhjeta kjo shkollë ishte si universitet për shqiptarët e këtejmë, pasi nuk kishte universitet jo më këtu, por as në Prishtinë.

Gjatë kohës së studimeve isha anëtar aktiv i Klubit të studentëve shqiptarë "Bashkimi" në Shkup. Aktiviteti i  klubit ishte në shumë dimensione, prej informimit të studentëve të rinj, aktivitete sportive dhe kulturore.
Gjatë vitit 1971-72 kemi përgatitur dramën "Fosilet" të Azem Shkrelit dhe e kemi dhënë para publikut në Teatrin shqiptar në Shkup. Paralelisht me këtë grup të dramës kam qenë aktiv edhe në grupin e dramës të SHKA "Xheladin Zeqiri" në Tetovë, ku kemi përgatitur dramën "Gjaku i falur" të Murteza Pezës,me të cilën kemi marrë pjesë dhe kemi zënë  vendin e dytë në Garat Republikane të Dramës në Manastir në vitin 1972.

Gjatë kohës të studimeve mirresha edhe me mbledhjen e folklorit popullor shqiptarë në Luginën e Pollogut. Disa këngë popullore i kam botuar në revistën "Jehona" në vitin 1972. Një fletore me shumë këngë të regjistruara dhe të shkruara me dorë ia kam dorëzuar Prof. Shefqet Pllana, që ta dorëzojë në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Nuk di se çka ka ndodhur me te më tutje.

Po ashtu gjatë studimeve kam bashkëpunuar edhe me gazeta që botoheshin në gjuhën shqipe në Shkup dhe në Prishtinë. Do të veçoja gazetën "Zëri i Rinisë’’ Prishtinë, ku shkruaja për aktivitetet e studentëve shqiptarë në Shkup, më me dëshirë do të përmendja punimin që e kam shkruar kur në Shkup u hap Katedra e gjuhës shqipe.
Në këtë kohë merresha edhe me përkthime nga gjuhët sllave në shqip në shtypin për fëmijë në Shkup "Gëzimi" dhe "Fatosi".

Pas mbarimit të Akademisë Pedagogjike u punësova në shkollën time në fshat, pra erdha prej nga u nisa 6 vjet më parë. Punova dy vjet si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqiptare dhe më dërguan në shërbimin ushtarak për 333 ditë (njëmbëdhjetë muaj).

Në vitin 1972 vazhdon rrëfimin e tij "Baci" Xhemal: u martova me bashkëshorten time dhe shoqen e jetës Mereme Emini nga Shemshova. Kemi dy djem Shkëlqim Asipi me familje në Zvicër, aty kam nipin Omerin dhe mbesën Kanitën. Djali tjetër Fexhri Asipi Abrashin sot, veteran i Luftës së Kosovës dhe pjesëmarrës në 2001 në Luftën në Iliridë ndodhet në Danimarkë dhe ka dy djem Liridonin dhe Albanin.

Pas ushtrisë vazhdova punën si arsimtar në Shkollën e Shemshovës në  qershor të vitit  1974 e deri në 1 nëntor kur më zgjodhën për drejtor të shkollës, drejtori më i ri në një shkollë këtu, shkollë ku mësonin afër 500 nxënës shqiptarë dhe mbi 300 maqedonas.
Në këtë kohë arsimi shqip përveç trysnive nga pushteti kishte hall edhe me mos vijimin e mësimit të vajzave shqiptare.Kështu në këtë fillimviti shkollor 27 vajza nuk e ndjeknin mësimin. Në Këshillin e arsimtarëve (me shqiptarët) i dhamë detyrë vetes që nga nëntori deri në fillim të gjysëmvjetorit të dytë këto vajza t’i sjellim në shkollë.
U angazhuam të gjithë së bashku,morëm masa të ndryshme, i vizituam prindërit nëpër shtëpitë e tyre, i thirrëm në biseda në shkollë, besa disa prej tyre i paraqitëm edhe në Gjykatën komunale për kundravajte dhe në fillim të gjysëmvjetorit të dytë të vitit shkollor 1975-76, prej tyre 22 vajza i sollëm në mësim, të tjerat zgjati më shumë procesi, dhe për herë të parë e ndamë klasën e pestë në dy paralele, për çka u gëzuam shumë i gjithë personeli.

Në takimet e janarit të arsimtarëve të Maqedonisë në vitin 1976, më shpallën për drejtor shkolle më i ri në Maqedoni, më takonte dhuratë dhe mirënjohje, të cilat kurrë nuk m’i dhanë, me justifikim se "është kokëfortë" Në këtë kohë shumë shkolla por edhe kjo e jona nuk kishin mjete mësimore për konkretizim gjatë zhvillimit të mësimit. I vura vetes detyrë që këtë ta bëj sa më shpejtë e sa më mirë. Sigurova shumë mjete mësimore, libra lekture, harta historike, gjeografike, globusa, fotografi  për Skënderbeun dhe shkrimtarë e patriotë, për herë të parë në shkollë për zhvillimin e shkronjave shqipe kishim mjetin e konkretizimit, ku shkronja "SH" ishte me foto të Flamurit Kombëtar e jo me sharrën dhe sharraxhiun.

Për këto dhe materiale të tjera,si për asfaltimin e  fushës sportive të shkollës (1978 në një kohë kur vetëm Shkolla Liria-Tetovë kishte asfalt, ndërsa 21 të tjera nuk kishin) dhe pse e thirra dhe pranova në punë një mësues atdhetar, i cili ishte i dënuar me burg të rëndë dy vjet Isniqemal Sherifi, i lindur në Shipkovicë dhe jetonte në Tetovë, një organizator dhe pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968, kur në Tetovë valoi Flamuri Kombëtar, më del mandati i drejtorit, më pamundësojnë që  edhe të mos konkuroj.

Prej vitit 1981 u formua një komision për pastrimin e elementeve kundër partiak në shkollën tonë. Në një rast në mbledhje, përveç se për mjetet mësimore të cilat i pata furnizuar unë dhe paskan qenë "të indoktrinuara" sepse janë nga Shqipëria, na i numëruan edhe emrat e nxënësve të cilët duhet të ndryshohen dhe duhet të largohen nga shkolla, sepse paskan lidhje me gjuhën shqipe dhe Shqipërinë, si: Lirim, Vlora, Berat etj.
Më kujtohet për emrat u thash se në këtë tubim unë  jam i thirrur që të jap përgjegje si arsimtar i gjuhës shqipe për këto emra, sepse Lirimi, ka ardh edhe tek ne pas L2B,ngase  tek ju e keni emrin Slobodanin (Lirim) ne kemi Vlora, Berat-por ju keni emrin Sofija (që asocion me kryeqytetin bullgar).


Mësues i gjuhës shqipe në Paris, Shoqëria kulturore Trepça, atdhetari Abidin Lepraj, takimi me trurin e shqiptarizmës nga Brukseli Muharrem Bajraktarin, cfarë kujton "Baci"!

Për në Paris më zgjodhën në një konkurs gjatë vitit 1982. Atje mbërrijta me 1 nëntor të atij viti. U takova me disa prindër shqiptarë nga Kërçovasi: Shefqet Sulejmani,Dalush Neziri, Qamil Selimi, Selim Selimi, nga Tetova: Mustafë Ziberi, Xhafer Xhaferi dhe disa nga Kosova, që punonin atje e që pritshin të vijë një mësues për fëmijët e tyre, të gjithë ata janë gjallë dhe jetojnë në Paris e më gjërë në Francë.
Në fillim kishte vetëm 12 nxënës. Por fati e deshti që të ndajë banesën me z.Hafiz Kastratin nga Karaçeva e Gjilanit, i cili më takoi me dy aktivistë shqiptarë nga Kosova,ata ishin Abidin Lepraj nga fshaati Plavë i Opojës dhe Nazmi Istrefi nga fshati Semajë e Ferizajit. Me ndihmën e tyre dhe të prindërve tjerë numri i nxënësve u rrit në 320 dhe hapëm klasë në Les Mureaux, Provence, Asniers dhe Metz, përveç atyre që kishim në Lille dhe Paris, aq shumë sa u paraqit nevoja që të ketë edhe një arsimtar.

Këtë arsimtar me insistimin e Abidinit dhe Nazmiut e siguroi Kosova e ai ishte Shaban Çarreti.Me shtimin e numrit të nxënësve filluam edhe me përgatitje për kultivimin e këngëve dhe valleve shqiptare. Kështu në Shoqërinë kulturore Trepça u anëtarësuan 47 vajza e djemë dhe përgatitëm një program të pasur me këngë e valle.Të gjithë valltarët i pajisëm me tesha origjinale kombëtare, të cilat na i dhurroi Kombinati Trepça nga Mitrovica. Në këtë drejtim shumë na ka ndihmuar njëri nga drejtorat e atij kombinati,z.Asllan Baruti.

Pasi filluan të tubohen dhe bashkohen punëtorët shqiptarë me nismën e Abidinit dhe Nazmiut u organizua një tubim ku u themelua Klubi shqiptar "Trepça-Paris". Në arsyetimin për themelimin e klubit Abidini theksonte nevojën e organizimit pasi  po vijnë ditë të zeza për shqiptarët në Jugosllavi, që si klub t’i dalin Kosovës zot në momentet e duhura dhe të bashkëpunojmë edhe me asociacione të kombeve të shtypura,të cilat veprojnë në Paris e Francë.
Për këtë aktivitet shkruan Gazeta Republika (një gazetë shqiptare, e cila ishte e ndaluar të shpërndahej në Maqedoni,Kosovë e Luginën e Preshevës) botim në Lubjanë-Slloveni, nr.11, datë 10 tetore 1990, ku gazetari Salih Kabashi  tregon për këto aktivitete, për problemet me të cilat ishin ballafaquar mësuesit Xhemal Asipi dhe Shaban Çarreti, e sidomos për zbulimin e rasteve të helmimit të nxënësve shqiptarë në Kosovë, ku Abidin Lepraj me shokë  me mjete financiare të veta arritën që dr.Benedeti, kryetari i Toksikologëve të botës të konstatojë dhe deklarojë se nxënësit janë të helmuar.

Për këto aktivitete dhe rolin e Abidin Leprajt me shokë në Paris ka shkruar edhe gazetari Muharrem Qafleshi në  Bota Sot në Prishtinë në nëntor 2013, ku mes tjerash thekson se "Në emër të punëtorëve shqiptarë nga Klubi Trepça foli Xhemal Asipi nga fshati Shemshovë i Tetovës edhe kishte për çka të fliste pasi  ishte bashkëveprimtar i Abidinit’’

Unë në portalin Opoja net, kam shkruar për aktivitetin e tij, ndërsa me 27 maj 2014 në RTK Live në emisionin për diasporën kam qenë mysafir dhe kam folur 2 orë duke argumentuar me fotografi e gazeta për aktivitetet e Abidin Leprajt në Paris e Francë. Në mbrëmje të 31 dhjetorit 1991 dhe 1 janarit 1992 UDB-ja serbosllave i kurdis atentat Abidin Leprajt, prej plagëve të marra nga djegëja pas disa ditëve ndërroi jetë në një spital të Parisit.Varrimi i tij u bë në Plavë të Opojës.

Pasi Kosova ishte e okupuar, askush nuk guxonte të vinte në varrim nga Parisi, anëtarët e Trepçës më thirrën mua që në emër të tyre të marr pjesë me Shaban Çarretin dhe ta lexoj referatin kushtuar  jetës dhe aktiviteteve atdhetare  në Paris. Në varrim morën pjesë shumë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia. Për këtë varrim ka shkruar gazeta "Bujku" Prishtinë (ishte një kohë gazetë e vetme që botohej në Kosovë). Të pranishmit u habitën për aktivitetin e tij në Paris, pasi i ndjeri kishte dal nga shtëpia shumë i ri. Sot e kësaj dite shokë të tij, si:Shefazim Hulaj, Remzi Misini e të tjerë më shkruajnë, pyesin, por edhe tregojnë për atdhetarin Abidin Lepraj derisa ka qenë student në Prishtinë.


Me të ndjerin Muharrem Bajraktari jam takuar në vitin 1985, me ndermjetesimin e Hilmi Bajraktarit nga fshati Jezercë-Ferizaj. U takuam në  kafenenë Sonacotra në Ronchin-Lille. Foli gjërë e gjatë për situatën politike në Ballkan dhe tha se vijnë kohë të turbullta dhe se ne duhet të jemi të bashkuar për tu përballuar sfidave. E vuna në kontakt me Abidin Leprajn një veprimtar në Paris. Lavdi për të ndjerin,ndërsa familjarët të jenë krenar që patën një djalë, një baba dhe një gjysh si Muharremi.

Në korrik të vitit 1987, thotë "Baci": më  kthyen një vit para mbarimit të kontratës  nga Parisi, duheshte të kthehem me 31 gusht 1988, kjo për shkak se nuk u konvenonte numri i madh i nxënësve  shqiptarë, hapja e mësimit plotësues për shkollim të mesëm dhe aktivitetet me Shoqërinë Kulturore Trepça e më vonë edhe në Klubin e shqiptarëve Trepça.
Prapë formuan komision,i cili do të merrej me diferencimin tim, i cili  ishte në këtë përbërje: Sekretari i Arsimit për Tetovë, drejtori i Entit të arsimit për Tetovë, kryetari i rinisë për Tetovë, një përfaqësues nga Organizata komunale e luftëtarëve dhe një nga LSPP (Fronti). Ky komision ka mbajtur mbledhjet e veta në Komitetin (Ministrinë) e Arsimit të RM-së dhe ka vepruar deri në fillim të viteve të nëntëdhjeta për diferencimin tim, por dha Zoti u prish shteti e edhe komisioni.
Dikush nga organet partiake kishte pas vërejtje se pse më kanë zgjedhur për arsimtar në Paris, nji funksionarë i kishte dhënë përgjigje, për shkak se është i rrezikshëm ta largojmë prej këtu, bile shumë afër është Parisi, duhet ta dërgojmë në Zelandën e Re ( këtë ma ka treguar arsimtari Sefedin Shaqiri nga Shemshova, i cili është gjallë akoma).

Ndërsa pas themelimit të Universitetit të Tetovës, kur financohej prej popullit, Asipi ka qenë përgjegjës si këshilltarë, për mbledhjen e financave nga territori i Komunës së Jegunovcit dhe pjesëmarrës në mbrojtjen e lokaleve të UT-së.
Sot ai është në pension dhe e kalon kohën me miq dhe shokë arsimdashës dhe atdhetarë.