Besimi fetar, si u ruajt në Kukës

Lexuar 3932 here




nga Xhevahir LIKA
Populli shqiptar ishte i lodhur nga luftërat e shumta. Masakrat që u bënë ndaj tij ishin të paimagjinueshme nga vendet fqinje, të cilat
ishin të etura për gjakun e shqiptarëve myslimanë. Beteja më e madhe e popullit shqiptar ishte ruajtja e ekzistencës së tij. Ndërsa nga ana tjetër, vendet fqinje dritën jeshile e morën nga Europa për asimilimin dhe copëtimin e të gjitha trojeve shqiptare. Ata u sulën si qeni pas mishit kundrejt një popullate të pafajshme shqiptare.

Faik Konica në lidhje me myslimanët shqiptarë thote:"Po të mos ishte islami: shqiptarët do të ishin më shumë, por jo shqiptarë".

Që me shpalljen e pavarsisë, luftën e parë botërore, me monarkinë dhe revolucionin demokratik, e me luftën e dytë botërore, deri në ardhjen e regjimit komunist, qeveritë shqiptare kaluan sa tek njëra tek tjetra.
Shqiptarët u gjendën të lodhur përballë asaj që përjetuan, nuk ishin të përgatitur që mbi ta të vihej një regjim barbar, siç ishte ai komunist.

Ajo që do të flas ka të bëj me vuajtjet e popullit shqiptar gjatë këtij regjimi e në veçanti për kuksianët.
Kuksianët  janë ai popull, ku në mes tyre gjen: fenë, punën, traditën, besën, nderin, kulturën, atdhedashurinë dhe sakrificën.

Ata janë njerëz që e duan njëri-tjetrin, që e falenderojnë Zotin e Gjithësisë, janë ata njerëz që ruajnë nderin traditat e tyre, janë ata që e thyejnë armikun në fushëbetejë dhe sakrifikojnë jetën e tyre për atdheun.
Njerëz tek të cilët mikpritja është në rendin e ditës, popull i rritur në shalën e kalit, ku për ata besa dhe amaneti janë gjërat më të shtrenjta.
Është po ai, Fan Stilian Noli që thur vargje për këta burra,edhe pse ishte prift.
 
"A don male me dëborë ,
Trima të fortë e malësorë.
Fort bujarë e burrerorë ,
Shko në Kukës ,I ke në dorë".

Si vuajti populli kuksianë me ndalimin e fesë nga komunizmi, ku e gjithë popullata i përkiste besimit Islam?!


Ata gjetën çdo mënyrë për t'a praktikuar atë që ndjenin në zemrat e tyre për këtë fe. Ishin të vendosur për praktikimin e saj në mënyrë të fshehtë, ku shumë prej tyre ia arritën.

Erdhi një kohë ku u bë modë komunizmi; tregohet sesi një baba kuksianë këshillonte të birin duke i thënë: o biri im; nëse ti bëhesh komunist, mos mendo se do të të rrisin mirëqenien, po të kenë drithë sa Mali i Pashtrecit, po 15 kg do të të japin.

Shpeshherë komunistët e rinjë frikësoheshin nga vizitat e papritura, nëpër shtëpitë e tyre nga ndonjë delegacion komunist, për arsye se prindërit e tyre akoma vazhdonin të kryenin ritualet islame, dhe ndoshta përfundonin jashtë partisë.

Komunistët ishin ata të cilët, organizinin grupe të posaçme, me qëllim që njerëzve t' ua prishnin ritet e tyre islame. Populli vuante jashtë mase, nga forca dhe imponimet e ndryshme që përdornin këto grupe.


Vendosmëria e njerëzve për bindjet e tyre


Duke filluar që nga fëmijët në shkollë e deri tek të moshuarit, që përjetuan prishjen me forcë të ritualeve islame siç ishte: Namazi(falja), argjërimi i muajit të Ramazanit etj, madje donin që edhe të vdekurit t' i varrosnin sipas komunizmit. Pothuajse,shumica e popullatës myslimane të asaj kohe ishte e vendosur që të praktikonte Islamin me çdo kusht.

Kishte nga ata burra të cilët tërë ditën kositnin barë nepër livadhe, me kosa nëpër krahë dhe në mesin e nxehtit dhe vapës agjëronin muajin e Ramazanit. Mos të harrojmë ato gra burrnesha, të cilat tërë ditën korrnin arat me drapërinjë nëpër duar dhe ishin të vendosura të agjeronin Muajin e Ramazanit.


Me nxënësit nëpër shkolla

Nxënësit nëpër shkolla ishin ata të cilët kishin presion të madh ndaj praktikimit të riteve fetare, ku si ideologji u imponohej komunizmi.
Tregohet një rast që ka ndodhur në njërën nga shkollat e Kukësit, bëhej fjalë për fëmijët e klasës së parë, ku pyet profesori në klasë: A ka dikush nga ju që di një vjershë? Një vajzë, ngre dorën, ku me lejen e profesorit fillon të recitojë vjershën, një vjershë të cilën e kishte mësuar nga prindërit e saj:

"Oj Fatime bija e Muhamedit"

Kur dëgjon vjershën, rebelohet profesori, saqë e kap për fyti vajzën e gjorë, ku lë pasojë për gjithë jetën e saj shkollore.
Grupet e organizuara vazhdonin klasë më klasë duke ndjekur të gjithë ata nxënës që praktikonin islamin. Metodat që përdornin kundër tyre ishin të llojllojshme. Për shembull, gjatë muajit të Ramazanit këto grupe shkonin çdo ditë nëpër klasa për të ndaluar praktikimin e argjërimit, ku u jepnin të hanin karamele apo të pinin ujë, ndërkohë ata që  refuzonin detyroheshin me forcë ta bënin dicka të tillë.


Me njerëzit e tjerë


Grupet e organizuara filluan t'i ndiqnin njerëzit kudo për veprimet e tyre fetare. Përsa i përket namazit (faljes), më shumë praktikohej nga mosha mesatare dhe e vjetër, ku shpeshherë fshehurazi mblidheshin në ndonjë shtëpi dhe kryenin ritet fetare të xhumasë. Kishte raste që edhe gjatë muajit të Ramazanit praktikohej diçka e tillë për faljen e teravive.

Një rast i çuditshëm ka ndodhur në njërin nga fshatrat e Kukësit ,ku gjatë muajit të Ramazanit, një grup njerzish filluan të praktikonin faljen gjatë këtij muaji të shenjtë. Ata u mblodhën në katin e tretë të një shtëpie me drita fikur, teksa po faleshin, nga dritarja e dhomës futet një komunist, i cili kishte lidhur dy palë shkallë sipër njëra-tjetrës, vetëm që të ngjitej në katin e tretë e të spiunonte myslimanët që faleshin. Qëllimi i tij ishte që të arrinte diçka në komunizëm, apo ta merrte në sy të mirë klika e tij.

Një ndër rastet më të veçanta, është ai i lidhjes së një imami për trungun e qershisë në qendër të fshatit të tij, ku i gjithë fshati ishte ngritur në revoltë kundër mbylljes së xhamisë. Të gjithë fshatarët ishin armatosur me shatërinj dhe sfurqe nëpër duar kundër klikës barbare komuniste, e cila me çdo kusht donte të mbyllte çdo xhami në territorin e Shqipërisë.

Gjatë muajit të Ramazanit grupet e organizuara i përndiqnin këmba -këmbës besimtarët dhe besimtaret myslimane. Në këtë muaj kur besimtarët zgjoheshin për syfyr frikësoheshin të ndiznin dritën, apo një llambë me gaz nga frika e këtyre grupeve, madje ishin të detyruar të zinin dritaret e shtëpisë me batanije apo gjëra tjera që të mos diktohej se ka njeri zgjuar në këtë kohë.

Ata ishin të detyruar të merrnin bukën me vete, që të mos binin në sy për argjërimin e tyre, tek njerëzit e tjerë. Metoda që përdornin për t'u ruajtur prej spiunëve, kur ishte koha e ngrënies, ata burra apo gra  të cilët argjëronin, mblidheshin veçmas tjerëve dhe luanin rolin sikur po hanin. Nuk mungojnë edhe rastet e komunistëve, të cilët edhe nëpër ara dhe livadhe i ndiqnin me bidona të ujit njerëzit, vetëm që të mos argjëronin.

Për sakrificat dhe vuajtjet e mëdha që kaluan këta njerëz gjatë komunizmit, shpërblimin për punët e tyre do ta gjejnë tek Allahu xh.sh (Zoti i gjithësisë).