Kur nën këmbë lëpyhen valët e Drinit

Lexuar 910 here




nga Azem PARLLAKU
Gjalica, Koretniku, e Pashtriku janë dashuruar përjetësisht me shtatin dhe fytyrën e tyre, ndërsa Drini i Bardhe është martuar deri në vdekje me rrjedhën në këmbët e këtyre tre maleve.

Kjo rrjedhë e cila merr udhë në Istog (Kosovë) vjen dhe shtrohet në të njejtën bujtinë, ku ka mbërritur simotra e saj, ajo e Drinit të Zi, lodhur nga udha e gjatë që nga Oheri gjer këtu.
Ka gjasë dhe hëna të jetë dashuruar marrëzisht me fytyrën e saj të pasqyryar në ketë rrjedhë, e Dielli të ketë ngrohur fort, duke mos i shpëtuar këtij fati magjepës.

Përtej këtij përshkrimi metaforik, kjo rrjedhë e mocme sa s'mban mend, nuk është gjë tjetër vecse dëshmi kahere e kamot e casteve kyce të ekzistencës njerëzore.
Ajo njëherësh bashkon dhe ndan.
Ndan dhe bashkon bajrakun, katundin, fisin, familjen, dashurinë.
Një pelegrinazh gjatë kësaj rrjedhe të kujton, se gjyshet në këto anë kurrë nuk kanë pasur nevojë të trillojnë rrëfime ireale, për të vënë në gjumë pasardhesit e tyre të mitur, sepse u ka mjaftuar te rrefejnë per te kaluaren e të tashmen përgjatë e përbri kësaj rrjedhe përplot me ndarje e bashkim.

Fatet njerëzore dhe takim-ndarjet që kanë mbetur të shenuara ne thellësinë e të kaluares, janë kaq mbreslënëse, ku lotët margaritarë dhe lazdritë i kanë dhenë frymë vargut lirik te këtyre anëve.

Me vendburime gjeografikisht larg nga këtu, dy rrjedhat e Drinit vijnë e bashkohen në nje teater ku gjuha është e njejte si ajo ne vargun e Azem Shkrelit, ashtu dhe ne kritiken e Ali Aliut,  si e vargut te lirikave te dashurisë te shkruara mjeshtërisht nga Lasgushi, ashtu sikurse dhe ajo e kritikut Qosja. E njejta gjuhë si e Agim Spahiut, Havzi Nelës, e Anton Pashkut.

Në ketë ansambel shihen bashke plisi i Dukagjinit, Hasit, Dibrës, e Lumës, shalli i bardhë i Rugovës e tirqet e Shkupit.
Në ketë luginë u kuvenden e luftuan bashkë Luma, Hasi, Dibra e Dukagjini, këtu ninullat kanë të njejtët personazhe, këtu vajtojcat sintonohen në kujen mortore, këtu nuset nusërojnë njelloj, burrat këtu kalërojnë njesoj kalin e bardhe.

Kjo luginë përtej nocionit gjeografik, apo kontekstit historik, është një copë brinje, një pjesë aorte në kraherorin dhe trungun shqiptar, pa të cilat ai nuk do te mund te ishte dhe të jetë.
Kjo është lugina që me shumë se na ndan duket se na bashkon.