Tingujt e saj, shoqërojnë gëzimet tona

Lexuar 3329 here




nga Azem PARLLAKU
Tingujt e lodrës/tupanit, e lëvizjet dinamike dhe me ledha të valleve  pasqyrojne  pasurine shpirtërore të popullit tonë. Vallet e Lumës, ashtu sikurse edhe ato të Gorës, pothuajse janë unike. Si kudo në krahinat e tjera shqiptare, edhe populli i kësaj ane e ka dëshiruar artin e kërcimit.

Valltarët e valltaret këtu i bashkojnë në shfaqje kërcimin, lëvizjen, tingullin e zërit, fjalën, ngjyrën dhe emocionet që rrjedhin nga këto, për të magnetizuar të pranishmit. Janë ritet e gëzimit dhe festat ato që, na dhurojnë një atmosferë të gëzueshme të valleve, ku meloritmika paraqitet në variantet më të bukura të kësaj treve, duke pasqyruar një pjesë të gëzimit popullor. Luma dhe Gora shquhen si një krahinë e valleve të zhdërvjellta në lëvizjet e djemve dhe burrave.

Njëkohësisht kjo krahinë dallohet për vallet e qeta dhe elegante të vajzave dhe grave. E natyrshëm këto janë momentet ku, shpërfaqet me forcë karakteri etno-folklorik i kësaj zone. Padyshym që kjo gamë të madhe emocionale, nuk do të kishte kuptim pa rolin e mjeshtrit që luan në instrumentin e muzikës popullore që, prezantohet si më poshtë.

Në krahinën e Lumës e quajnë lodër, në Gorë njihet me emrin tupan. Është instrument muzikor popullor, që i përket grupit të instrumentave membranofon, e ndërtuar nga tre materiale natyrore;
1.Rrethi i madh unazor nga druri ahut. arrës ose gështenjës.
2.Membrana prej lëkure.
3. Litari prej kërpi.

Për t`i rënë lodrës/tupanit, përdorën dy lloje shkopinjësh;
1.Thupra e bërë prej shelgu.
2.Shkopi i bërë prej druri arre.     
 
Rrethi i madh unazor është i mbyllur me lëkurë. Nga njera anë me lëkurë dhie (ton i lartë) nga ana tjetër me lëkurë deleje, ose viçi (toni dubël i thellë). Në lëkurën e trashë luhet me shkop, në lëkurën e hollë me thupër.
Lëkura dhe rrethi unazor janë të lidhur dhe të shtërnguar me litar kërpi në masën që i duhet mjeshtrit, pasi kjo lidhje shërben edhe si regjistër timbri. Shkolla ballkanase e rënjes së daulleve parashikon luajtjen, jo përcjelljen e melodive. Me thupër mësohet gjithëçka që mjeshtri donë të tregojë, ndërsa me shkopin e trashë theksohen vendet e veçanta të melodisë.

Është instrument i pazavendsueshëm në gëzimet e tilla si: Dasmat, syneti, dhe festat e tjera si: Fitër Bajrami, Kurban Bajrami, Shëngjergji, Viti Ri, etj. Si një nga instrumentët membranofon popullor nga me të vjetërit, nuk ka ndryshuar prej qindra vitesh, as si pamje, as nga përbërësit  material prej të cilëve është ndërtuar. Në shekuj ka luajtur rol të rëndësishëm për të lajmëruar kohën, për të ngritur popullsinë në kushtrim në rast lufte ose fatkeqësish natyrore. Edhe në ditët e sotme është evidente publikimi i vakteve të ramazanit me lodër/tupan.