14 meloditë e nibetit

Lexuar 3745 here




Nibeti i vjetër siç ka shkruar Elmaz Dokle përmban 10 melodi të gërshetuara natyrshëm me njera tjetrën që ekzekutohen (luhen) pa prerë me tupan e curle. Në nibetin tradicional janë luajtur (ekzekutuar) melodi të këtyre këngëve burimore:
1. Introdukt (taksim, hyrje)
2. Hapja e dasmës
3. E Xhaferr beut
4. E Xhemiles.
5. E kurbetqarit
6. E Qerim Qehajës
7. E Omer Agës
8. E dhëndrit
9. E pelivanëve
10. E futjes së dhëndrit në (dhomën e nuses)

Tek ne si zonë, tradita etno-popullore është ruajtur më mirë, kjo si pasojë e izolimit të gjatë e të hekurt (1948-1999) edhe nibeti ka mbetur thuajse siç e ka lanë usta Xhema para 80 vitesh. Me curle luhen 14 melodi, çdo melodi zgjat 5-8 minuta, kurse nibeti i plotë që luhet para grupeve të mëdhaja shikuesish dhe dëgjuesish shkon 1 orë e gjysëm deri 2 orë.

Në ditët e sotme krahas melodive burimore të përmendura nga studiuesi Dokle, luhen edhe 4 melodi epiko-tragjike të mjeshtrit, Xhemo, nga Glloboçica i cili ka jetuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Këto melodi që, luhen më së shumti nga mjeshtërit e Gorës dhe Opojës, u kushtohen:

1.Betejës për ishullin e Kretës (1897)
2.Luftës ruso-turke për Plevlen (1877-1878, melodija e kangës së Osman Pashës)
3. Beteja për Çanakkalanë (1915)
4. Vajtimi në varrin e gruas. (Kur i ka vdekur gruaja usta Xhema ka improvizuar një melodi, 7 ditë pas vdekjes ka shkuar tek varri i gruas për ta vajtuar me curle)

Në të tre betejat e përmendura kanë rënë shumë dëshmor (shehid) nga fshatrat e Gorës, vetëm në betejen për mbrojtjen e Çanakkalasë kanë rënë shehid më shumë se 230 vetë nga Gora. Për t`i përjetësuar këto trima populli u ka ngritur këngë, kurse meloditë e këtyre këngëve kanë hyrë në orkestralen instrumentale që njihet me emrin "Nibet".

Ato luhen me curle instrument muzikor popullor i drunjët aerofon, që i përngjet fyellit dhe oboes. Curla më shpesh bëhet prej drurëve të arrës ose të kumbullës dhe përbehet nga dy pjesë: Tubi konik dhe pipza me diskun në anën e sipërme. Curla ka 7 vrima dhe një vrimë në të majtë të anës së poshtëme, po ashtu dhe vrimat e frymës afër pjesës së poshtëme.

kallabak.com