Idriz Ramadan Allaraj, një emër nderi për vendlindjen e tij

Lexuar 5828 here




nga Gani Adem Dalipi (Allaraj)
Idriz Ramadan ALLARAJ lindi më 01.05.1928 në fshatin Turaj të Komunës Topojan (Kukës). Është djali i tretë i Ramadanit dhe Hanifes.Familja e Ramadan Selimit njihet në të gjithë krahinën e Lumës si një familje me emër të mirë, mikpritëse e bujare, me njerëz punëtor, trima dhe të zgjuar, të respektuar, që me mund e me djersë kanë ndërtuar jetën.

Idrizi që në fëmijëri ishte edukuar me vlerat dhe vyrtytet më të mira të malësorëve Topojanas të Lumës. Ishin vitet kur akoma ndjehej era e barutit dhe jehona e kushtrimit të malësorëve që dhanë jetën në luftërat e njëpasnjëshme për liri.

Kuvendet në odat e burrave dhe këngët ku përjetësoheshin këta trima ndikuan fuqishëm në edukimin atdhetar dhe patriotik të tij.Me dashurinë e madhe për atdheun, ashtu si të parët e tij,që në moshën 16 vjeçare u rrjeshtua me armë në dorë në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesit nazi-fashist (i aktivizuar nëBrigadën e 24-të Sulmuese të Lumës). Betejat e shumta e burrëruan dhe e poqën para kohe këtë djalë të ri Lumjanë, saqë shumë shpejt fitoi dashurinë dhe simpatinë e bashkëluftëtarëve të tjerë, duke i besuar dhe akorduar gradën ushtarake të Toger-it.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1953 shërbeu në ushtri, ku kreu me nder të gjitha detyrat e ngarkuara. Idrizi u bë njeri i devotshëm, i dashur dhe i respektuar nga njerëzit që e donin aq shumë, e dëgjonin me shumë respekt dhe ishin të gatshëm t’i bindeshin për çdo gjë fjalëve të tij. Është koha kur ky djaloshi ri Topojanas përveç shumë vlerësimeve me distinktiva e çertifikata,nderohet edhe me dekoratën e “Medaljes së Çlirimit”.

Duke parë cilësitë e tij organizative, si edhe bazuar në kërkesën e banorëve të vendlindjes së tij (që Idrizi e njihte me pëllëmbë dhe e donte aq shumë), në Qershor 1954 emërohet Kryetar Lokaliteti. Duke qenë drejtues i këtij niveli,ai zhvendoset me vendbanim në qendrën e lokalitetit në Shishtavec, aty ku banon edhe sot familja e tij. Me zgjuarsinë dhe dashurinë që e karakterizonte përballoi dhe sfidoi plagët e shumta të pasluftës në krahinën e Shishtavecit.

Në përballje me varfërinë që sundonte kudo, dha një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.Megjithëse në moshë të re, konfirmoi veten si një drejtues jashtëzakonisht i aftë. Mori vendime të guximshme dhe të drejta duke ruajtur ekuilibrat në zonë dhe fitoi një popullaritet të padiskutueshëm.

Idrizi kishte një figurë të lartë morale, ishte mjaft human, gjithmonë i dashur, komunikues, i qeshur dhe kryesisht njeri i humorit. Duke parë vetitë e tij, si edhe përkushtimin ndaj punës,në Shtator 1962 e ngarkojnë me detyrën e drejtuesit të klasës punëtore.Edhe këtu dallohet për motivim dhe korrektësi, dhe padyshim që arritjet janë të shumta.

Shumë bashkë-kohës e kujtojnë me respekt drejtuesin e tyre, si një kuadër me përvojë dhe eksperiencën e duhur. Idrizin gjithashtu e gjejmë si kryetar kooperative që në krijimin e tyre. Edhe këtu kontributet e tij qenë të mëdha.Ai ishte mishërimi i mençurisë popullore. Njerëzit kërkonin që ta takonin me çdo kusht kryetarin e tyre dhe ai ishte në çdo moment i perkushtuar të zgjidhte hallet e tyre.Me humorin e tij brilant ai qetesonte sadopak shpirtin e njerëzve të përvuajtur nga regjimi i asaj kohe.

Manifestonte cilësitë më të mira të besës, burrërisë, bujarisë, mikpritjes, respektit ndaj miqëve dhe kolegëve, ndihmonte njerëzit në nevojë, fëmijët dhe pleqtë. Me aftësitë e tij komunikuese krijonte mjaft mundësi punësimi për komunitetin.

Ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve në fshatra të ndryshëm dhe në sektorë të shumtë veprimtarish.Perveç vlerësimit që i bënin bashkëfshatarët birit të tyre,për arritjet në fushën ekonomike dhe forcimin e unitetit, dekorohet me medalje nga organi më i lart ligjvënës i kohës.

Idrizi dinte të pinte rakinë,ishte "esnaf" ne pije, atij i kishte lezet ,me një humor të hollë dhe të këndshëm tavolina e tij ishte e preferuar nga miqtë dhe shokët. Këtë e tregon fakti që ai kurrë nuk e ngriti zërin dhe nuk krijoi as incidentin më të vogël.

Idrizi kishte një memorje të jashtëzakonshme. Ai ishte një arkivë e gjallë me të dhëna, data e ngjarje të ndryshme.Kontributi tij në hartimin e historikut të fshatit ka qenë me shumë vlerë. Humori me të cilin ai tregonte ngjarjet përbën një rast unikal. Ishte mjeshtër i barsaletave dhe i thurte ato në çast. Me barsaletat e krijuara prej tij, me plot gojën mund të themi që mund të krijohet një libër unikal. Idrizi jeton sot me punën dhe veprën që ka lënë pas.Në çdo kuvend,dasëm apo edhe hidhërim,përmenden batutat e tij që janë me bollëk për çdo rast.Dhe këto jo vetëm në zonën e Topojanit dhe Shishtavecit,por dhe më gjerë.

Të panumërta janë shprehjet që fillojnë me “ka thënë Idrizi thoshte Idrizi, etj".
Përveçse një shok i mirë dhe një kuadër i aftë, Idrizi ishte edhe një bashkëshort dhe një prind shembullor.Ai rriti dhe edukoi pesë fëmijë, dy vajza; Fitreten dhe Shpresën,si edhe tre djem; Gëzimin, Ylberin dhe Shpëtimin.

Ai i edukoi ata me dashuri për punën dhe vendlindjen, të respektojnë traditën dhe të parët e tyre, njerëzit e thjeshtë të punës, dhe me këto parime nga i ati, sot ata japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës ku nderojnë veten dhe emrin e tij.

Punoi pa u lodhur deri sa doli në pension duke u karakterizuar gjithmonë nga dashuria dhe respekti për punën dhe njerëzit.Në librin e jetës, Idrizi shkroi me germa kapitale që nuk mund ti gërryej erozioni kohëve. Familjarët dhe bashkëfshatarët ndjehen krenar për Idriz Ramadanin,me bindjen që emri dhe vepra e tij nderojnë vendlindjen dhe gjithë zonën.