Sharri i thiktë

Lexuar 1925 here




Emri Sharr është një nga reliktet e periodës antike që ka mbijetuar vijimisht a pandërprerë në gojën e shqiptarëve, sikurse dhe topikët Shkup, Shtip, etj. Gjithsesi, trajta Shar(r) e shqipes nuk mund të jetë zhvilluar me anë të një ndërmjetësie sllave, sepse, siç e ka vënë në dukje Çabej, trajta e dokumentuar Scardus, pas metatezës së likuidave, në sllavishten jugore duhej të kishte përfunduar në Skrad. Dhe, fakti që në sllavishten jugore ky mal quhet Šar, dëshmon qartë se këtë emër sllavët e jugut e kanë marrë nëpërmjet gojës së shqiptarëve. Tek emri i sotëm i malit Sharr duket të përmbahen kuptimet “i pjerrët, i rrëpirët, i thiktë”.
Sharri  është masiv malor që shtrihet në juglindje të Kosovës, duke filluar nga Prizreni, në kufirin ndërmjet Maqedonisë veriperëndimore dhe Shqipërisë verilindore. Bjeshkët e Sharrit qysh nga kohërat antike janë quajtur me emra e forma të ndryshme sipas gjuhëve të popullsive ndejetare në ato hapësira: Scardos Oros, Scordi Montis, Mons Albanus, Haemus, Šar, Šar Planina, Çardag, sardag, sarta, sarsilsilesi, Balkan, Perserin, Costegnas, Costegnazza, Monte Argentaro “Bjeshka e argjendtë” etj. (Dušan Krivokapis, Šar planina, Beograd, 1969; Fadil Sulejmani, Dialektologji (E folmja e Malësisë së Sharrit të Tetovës), Tetovë, 2006. Emri i këtij mali me nistoren /Sk-/ (Scard) dëshmohet qysh tek historiani i madh grek Polibi (shek. II para erës sonë), e po kështu edhe tek historiani romak i kohës së Augustit, Tit Livi, tek gjeografi dhe historiani grek Straboni (në kapërcyell të erës sonë), si dhe tek gjeografi i shek. II të erës sonë, Ptolemeu. Këto dëshmi tregojnë se oronimi Scard- duhet të jetë pa dyshim mjaft më i hershëm se shekulli II para erës sonë (Shaban Demiraj, Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, Shtëpia botuese “Shkenca”, Tiranë, 1999, 146, 145).


Semantika e oronimit

Evidencat e tilla janë aq më të rëndësishme sepse dëshmojnë që te ky oronim përmbahet rrënja Skard-, që sipas Hans Krahe do të thotë “pjerrësi”, e krahasueshme dhe me lituanishten skardus “rrëpinë”, skardys “breg i rrëpirët”, e në ievr. *sqerd/ sqord- “pres”. Në këtë grup me të njëjtën rrënjë hyjnë dhe topikët Scardona – qytet dhe grup ujdhesash në provincën e Dalmacisë (Skradini i sotëm, dhe ujdhesat Skarda dhe Shkërda te Zara, si dhe antroponimet ilire me rrënjën skerd-: Scerdilaedus dhe Scerdis në Rijeçani dhe Grahovo në Mal të Zi. Sipas H. Krahes, në këtë grup emrash bën pjesë edhe fisi kelt Skordistae, të cilët sipas këtij autori emrin e tyre e morën prej malit Skard. Emra të tillë vendesh dhe njerëzish me rrënjën skard/ skerd- dalin edhe në Greqi e në Azi të Vogël, si Skardamila në Lakoni (Exhlale Dobruna, Mbi disa toponime të kohës antike në Kosovë, “Onomastika e Kosovës” (Simpozium i mbajtur më 25-27 shkurt 1977), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1979, 42). Këtyre mund t’u shtojmë dhe Skardu,  mal i madh në Kashmir të Pakistanit.  

Kalimi prej trajtës antike Scardus në trajtën që ka sot Shar sipas E. Çabej shpjegohet vetëm me ligjet fonetike të shqipes. Trajta e sotme e këtij emri reflekton formën antike lat. Scardus Mons, që është me moshë të vjetër mbi dymijëvjeçare, aq sa dhe emri i qytetit të Shkupit (Scupi) e Shtipit (Astibos). Filologjia thotë se emri i vjetër i latinitetit ballkanik Scardus ka mundur të jepte trajtën e sotme Sharr vetëm përmes fonetikës historike të shqipes, me reflektim të grupit konsonantik nistor Sc – shq. sh, ngjashëm sikurse dhe tek Scupi – Shkup, Scodra – Shkodër. Po të vinte nga një fazë më e hershme e sllavishtes, pra pa ndërmjetësim të shqipes, ky emër në gojën e tyre do të reflektonte *Skradin, do t’i nënshtrohej metatezës së njohur të likuidave sllave ar - ra, al - la, khs. sikurse tek emri i sotëm i lumit Radika (lat. Ardica), që buron po nga Sharri plak, ku kemi një ndërmjetësi sllave. Ç’është e vërteta, sllavët arritën të fonetizonin në gjuhën e tyre emrin e rrjedhës më të vogël lumore Ardica në Radika, por jo dhe emrin e lumit më të madh Vardar dhe emrin e oronimit Sharr, sepse këto të fundit kishin krijuar shtratin e tyre shumë kohë para depërtimit sllav në këto hapësira dhe ishin ngulitur prej kohësh. 


Kontestimet

Gjuhëtari maqedonas Ilievski (Petar Hr. Ilievski, Balkanološki lingvisti?ki studii, Institut za Mekedonski jazik, Skopje, 1988, 510), për të dëshmuar që sllavët nuk kanë pushtuar territore shqiptare por, përkundrazi, shqiptarët janë ata që janë infiltruar në tokat sllave, përpiqet ta kundërshtojë dhe ndërmjetësinë e shqipes të emrit të sotëm Sharr nga Scardus, duke u shprehur se grupi nistor konsonantik Sc- si ka mundësi që një herë ka dhënë refleksin Shk- (te Shkup), e herën tjetër vetëm Sh- (te Sharr), pra një grup i njëjtë konsonantik nuk mund të japë në të njëjtën gjuhë njëkohësisht dy reflekse të ndryshme. Kjo dilemë e ngritur prej tij natyrisht se kërkon një përgjigje të argumentuar, mbi baza të shëndosha filologjike.

Duke pasur parasysh që grupi nistor /sk-/ tek Scodra dhe Scupi në gjuhën shqipe ka dhënë /shk-/, sepse ndiqej nga një zanore e radhës së prapme, do të pritej që edhe tek oronimi Scard- i njëjti grup bashkëtingëllor, i ndjekur nga zanorja e theksuar /-a-/, e radhës së përzier, të jepte gjithashtu /shk-/. Por, fakti që në shqipe grupi /sc-/ në këtë rast ka evoluar në /sh-/, mbetet për t’u shpjeguar. Gjithsesi, trajta Shar(r) e shqipes nuk mund të jetë zhvilluar me anë të një ndërmjetësie sllave, sepse, siç e ka vënë në dukje Çabej, trajta e dokumentuar Scardus, pas metatezës së likuidave, në sllavishten jugore duhej të kishte përfunduar në Skrad. Dhe fakti që në sllavishten jugore ky mal quhet Šar, dëshmon qartë se këtë emër sllavët e jugut e kanë marrë nëpërmjet gojës së shqiptarëve. Ky fakt mund të shërbejë edhe si një dëshmi që evolucioni Scard-us – Sharr në gjuhën shqipe duhet të jetë kryer qysh herët. Por, vetë evolucioni /sk-/ - /sh-/ në këtë rast mbetet i paqartë. Nuk duhet përjashtuar mundësia që në trajtën më të lashtë të këtij oronimi në shqiptimin e banorëve të lashtë grupi nistor /sk-/ të ketë qenë ndjekur nga një zanore e përparme e atëherë evolucioni /sk-/ - /sh-/ ka qenë plotësisht i mundshëm, si tek fjala e trashëguar f-sheh, e krahasueshme me greqishten sképas “strehë” (Demiraj 1999: 146). Kjo do të thotë që në zhvillimet fonetike në fushën e toponomastikës historike duhet të zbatohet gjithnjë ai kriteri racional i shëndoshë, sikundër shprehet E. Çabej, i shtresimit kronologjik të emrave të viseve, sepse këto nuk mund të priten të gjitha me një palë gërshërë, të vlerësohen të gjitha njësoj. Në këtë vështrim duhet dalluar qartë zhvillimet prehistorike të gjuhës prej atyre historike dhe të fazave të tjera më të reja. Për çdo s të latinishtes, siç dihet, në shqipen kemi vetëm –sh: Scupi - Shkup, spessus – shpesh (Idriz Ajeti, Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, Rilindja, Prishtinë, 1982, 190).

Për të mohuar më tej gjurmët e vjetra toponimike shqiptare në toponiminë e truallit të Maqedonisë, në këtë rast dhe të emrit Sharr, P. Hr. Ilievski thërret në ndihmë dhe romanistin e ballkanologun e njohur P. Skok, ku ky në hulumtimet e tij rreth toponomastikës së luginës së Shkupit, botuar në vitin 1936, thekson: “Mund të thuhet, si rregull, se Arnautët (shqiptarët – siç i quan ai në atë kohë) të luginës së Shkupit nuk kanë krijuar asnjë emër vendbanimi. Nëse ka gjurmë të gjuhës së tyre në toponomastikë, kjo ka të bëjë vetëm me ara të punuara, me atë që toponomastika gjermane i quan “Flurnamen” (emrat e fushave) (Ilievski 1988: 508). Një pohim i tillë natyrisht është fare pa mbështetje shkencore. Emri i sotëm Sharr është një nga reliktet e periodës antike që ka mbijetuar vijimisht a pandërprerë në gojën e shqiptarëve, sikurse dhe topikët Shkup, Shtip, etj. Pra, gjurmët e tilla shqiptare në onomastikonin e Maqedonisë nuk dalin të ruhen vetëm tek emrat e fushave, por dhe tek emrat e tjerë të vendeve, të maleve e të lumenjve më të mëdhenj. Krahaso këtu emrat e periodës antike si: Scupi: Shkup, Scardus mons: Sharr, Astibos: Shtip, Drinus: Dri, Drin etj., ku trajtat e sotme të tyre mund të shpjegohen vetëm përmes fonetikës historike të gjuhës shqipe (Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Rilindja, Prishtinë, 1976, 40).


Interpretimet me “sharrë”

Masivi i Sharrit, me kullosat e pasura, me botën bimore e shtazore, me burimet e kthjellëta ujore, siç ka qenë burim ekzistence për banorët sedentarë  rreth e rrotull, sigurisht ka nxitur dhe kureshtjen e tyre për t’i dhënë shpjegim dhe vetë kuptimit të këtij emri se si është denominuar. Nga pikëpamja semantike emri i malit Sharr ka tërhequr gjithmonë fantazinë e individëve të ndryshëm, të cilët natyrisht duke operuar me dëshira e mbi baza joshkencore janë përpjekur të bëjnë dhe etimologjizime “patriotike” apo të ashtuquajtura etimologji popullore. Sipas disa autorëve sllavë, emri i këtij mali Sharr vjen nga sll. šareno “nga larmia e botës bimore e shtazore që ka ky mal”, apo šara planina “mal i larmë, ngase vise-vise mban borë edhe gjatë verës”. Sipas mendësisë së disa autorëve të tjerë shqiptarë, emri Sharr shpjegohet nga fjalët shqipe shqarth “sipas emrit të një kafshe të quajtur shqarth, që jeton shumë në këto anë” (Sulejmani 2006: ose nga sharrë “sipas majave të thepisura që vijnë si sharrë”. Megjithëse kjo e fundit mund dhe të mos jetë krejt e pagjasshme. 

Ilirologu i njohur Aleksandër Stipçeviç shprehet se: “Shqiptarët janë të vetmit që kanë ruajtur emrat ilirë, emrat e vendbanimeve, madje edhe emrat e njerëzve. Shqiptarët nuk kanë pasur kurrfarë nevoje të “vetëshpallen” pasardhës të ilirëve. Këtë gjë shumë para shqiptarëve e kanë dokumentuar shkencëtarët gjermanë”. Këtë e dëshmon dhe vetë emri i malit Sharr.

Më në fund, kurrkush më shumë se sa shqiptarët nuk kanë qenë të lidhur me Sharrin – e vazhdojnë të jenë të lidhur edhe sot e kësaj dite. Me 39 liqene glaciale (akullnajash), të njohura si “Sytë e Sharrit”, Masivi a Malësia e Sharrit, që ka mëkuar popullsitë me pasuri të mëdha bimore, shtazore, ujore, etj., ka ruajtur e arkivuar edhe pasuri të mëdha gjuhësore, leksikore, frazeologjike e toponimike të shqipes, mite e legjenda, që i kanë krijuar folësit sedentarë shqiptarë të këtyre bjeshkëve në rrymë të shekujve e mijëvjeçarëve. Shqipfolësit e këtyre tërthoreve të Sharrit kanë krijuar një fjalor të tërë prej qindra e mijëra fjalësh e shprehjesh të botës bimore e shtazore e të veprimtarisë së tyre blegtorale, topoleksemash, kultesh e shprehjesh të tjera me substancë idiomatike, që përbëjnë vërtet një vlerë të paçmuar për albanologjinë, e përtej kësaj dhe për ballkanologjinë.    


Shkruar për kallabak.com nga Qemal MURATI, Kërçovë