Qyteti mbi tarracën e Drinave

Lexuar 1770 here




nga Jonuz KOLA
Qyteti i Kukësit (të Vjetër) ndodhej në skajin veri-lindor të Shqipërisë, në perëndim të Prizrenit, jug-perëndim të malit Koritnik, dhe  veri-perëndim të malit Gjallica, pikërisht në vendin  ku bashkoheshin Drini i Zi me Drinin e Bardhë. Më saktë, në kuadratin me koordi-nata polare: 42º 09´  veri dhe 20º 43´ lindje, në lartësinë  mbi detare 250 -254 m.

Territori i tij shtrihej në gropën e krijuar nga gërryerjet dhe mbathjet e dy lumenjve që takoheshin aty. Gjatë rrjedhjes së tyre shekullore dy Drinat kanë hasur në formacione të forta shkëmbore, duke lënë një tarracë (lamë) në formë trekëndëshi 10-12 m. mbi pasqyrën normale të rrjedhës së ujërave. Mbi këtë tarracë lumore është ngritur vendbanimi i Kukësit (të Vjetër). Në kushte normale të motit, relievi i tij i ngjasonte një gadishulli, ndërsa në rast të vërshimeve të mëdha, ujërat e dy Drinave fryheshin e bashkoheshin në Qafë-Palush, atëherë Kukësi merrte trajtën e një ishulli. Rënja e nivelit të ujërave, rishfaqja e rrënojave të qytetit na jep një përfytyrim të qartë mbi pozicionin dhe formën e relievit ku ishte vendosur ky venbanim.

Tarraca lumore (Lama) ku ishte vendosur Kukësi Vjetër rrethohej nga ultësirat (fushëzat) e Ramhasit, Myç-Mamëzit, Kukësit, Brrutit dhe e Kol-shit, që janë formuar nga prurjet e dy lumenjve më të mëdhenj të Shqipërisë. Nga prurjet aluvionale të Drinit të Zi u krijuan fushat e Myç-Mamëzit, e Kukësit (llugjat) dhe  e Ramhasit, ndërsa nga prurjet aluvio-nale të Drinit të Bardhë u krijuan fusha e Brrutit dhe e Kukësit, në të njëjtën mënyrë u krijua edhe fusha e Kolshit nga prurjet e dy Drinave dhe e Leshnicës.

Kukësi i Vjetër në afërsi kufizohej:
- Nga veriu dhe veri-perëndimi me Drinin e Bardhë  (Fshati Brrut).
- Nga veri-lindja dhe lindja me Rrafshën e Lumës (që fillon me Shtrazën e vazhdon tutje me rrafshinat në rrëzë të Gjallicës).
- Nga jug-lindja me fshatin Ramhas dhe luginën e Drinit Zi.
- Në jug me Drinin e Zi (fusha e Myç-Mamëzit).
- Nga perëndimi me trekëndëshin ku bashkohen dy Drinat.

Në horizont kufizohej prej kodrave e maleve: Në veri prej varg-maleve të Hasit, Maja e madhe (Pusi thatë 1151m), Maja e Sukës (Demiroll 1022 m.). Në lindje kufizohej me kodrën e Shtrazës (361m.), në jug-lindje Rrafsha e bugajës 352m, Kodra e Hazirit 358m, Lugina e  Drinit  Zi (256m), dhe në, jug-perëndim Kodra e Myçit” (Kërnjani 565m).

Ky pozicion ka kushtëzuar krijimin e një mikro zone klimatike shumë të favorshme për jetesën e banorëve, që e kishin zgjedhur këtë vend për banim, që ishte i mbrojtur nga erërat veriore dhe jugore. Vendbanimi ku bashkoheshin dy Drinat, në shekuj  ka qenë pikë kryqëzimi e rrugëve kryesore që lidhnin bregdetin me Kosovën si dhe Kosovën me Dibrën.
 
Nga dokumentet që kemi në dispozicion deri tani për këtë vendbanim, për herë të parë e gjejmë në një hartë turke të vitit 1530, me emrin Kukovca. Më pas, në vitin 1571, përmendet si fshat i Nahijes së Lumës , me 9 shtëpi të krishtera katolike dhe 3 të myslimanizuara. Në vitin 1591 Kukësi kishte 11 shtëpi të krishtera e 6 të myslimanizuara.

Në vitin 1610, arqipeshkvi i Tivarit, M. Bici, e shënon Coccus, Vila di Cocus, me rreth 50 shtëpi, prej tyre 5 myslimane e të tjerat të krishtera (katolike) dhe si qendër peshkatare dhe e një garnizoni të avancuar turk. 30 vjet më vonë dëshmohet me 50 shtëpi, një kishë (Shën Lleshi) të rrënuar dhe shumicën e banorëve të myslimanizuar.

Më 1633, P. Mazreku, kryarqipeshkv i Tivarit, përmend Vaun e Kukut. Mortaja e vitit 1689, shoi shumë vendbanime. Kjo bëri që kjo zonë të braktisej për një kohë të gjatë, deri sa në gjysmën e parë të shek. XVIII u ripopullua me banorë të ardhur nga fshatrat e Bicajt.
Udhëtari dhe studiuesi francez Gabriel Louis-Jaray, i cili e vizitoi fshatin Kukës në vitin 1909 si mik i Sulejman Elezit, në librin e tij “SHQIPERIA E PANJOHUR (1913) (përkthyer prej origjinalit në  frëngjisht nga Urim Nerguti), ndër të tjera shkruan:

“Kukësi zë një vend të mrekullueshëm: mbi një rrafshë të ngritur as njëzet metër nga niveli i Drinit, ai duket si një ishull apo një fortesë ku hendeqet do të ishin Drini i Bardhë në veri, dhe në perëndim dhe në jug Drini i Zi, që del në atë vend nga malet, e që lidhet jo fort larg në Drinin e Bardhë, duke bërë rrëzë Kukësit një bërryl të madh ku pjesa e brendshme duket si një liqen i tharë plot me pellgje uji që pasqyrojnë rrezet e diellit ; nga lindja, Luma nga ku vijmë do të mbyllte anën e katërt ; nga kjo rrafshë shohim të trija luginat, atë të Drinit në lindje dhe në perëndim, dhe atë të Drinit të Zi në jug, i cili i shtrin ujërat e veta duke ardhur të japë shpirt pranë Kukësit; tri male të lartë shërbejnë si sfond për këtë tablo: në veri, malet e Hasit, ku majat e largëta formojnë një vijë të vazhduar; në jug-perëndim, Maja e Rrunës dhe kodrinat e buta fqinje, të cilat ndajnë viset e Mirditës nga viset e Lumës; dhe së fundi, në juglindje, piramida e Gjallicës, e cila e ngre majën e vet kreshtore në më shumë se 2500 metër, mbizotëron tërë vendin dhe është si zemra e viseve lumjane”.