E sotmja ka marrë një kthesë të hatashme

Lexuar 4260 here




FTOHTËSI

Sa të ftohtë ishim këtë vit,
Sakaq s'e deshëm as borën,
Të shndërriste si fener me dritë,
Dhe bardhësisë t'i vinte kurorën.

Sa ftohtë në trupat tanë,
Kur dhe dielli s'na ngroh dot,
Se shpirtin e kemi lënë në një anë,
Dhe trupat në endje më kot.

Sa ftohur flasim dhe veprojmë,
Pa ditur ç'themi, pa ditur ç'bëjmë;
Mos faj ka bora që bie në vendin tonë,
Apo vetë ftohtësia jonë?



PO IKIN

Nxitimthi, vrapojnë, bërtasin,
Rrugëve, çirren, thërrasin,
'Po ikim, po ikim!' duart trokasin,
Te mirët, punëtorët, të aftit.

Mbushur doganat, kufinjtë,
Dhe thirrje matanë 'Po ikin, të zinjtë!',
Me harta, brenga dhe ëndrra ngarkuar,
Mjerisht lënë vendin, të bijtë.

Dhe shumë, po ikin,
Kur s'duan të ikin.



VENDIT


I rrokëm armët, për t'ia msy' vetvetes,
Vendit shëmbëlltyrë me të keqen smirë,
I thamë dhe lotët, i mbytëm ndjenjat,
U vramë mes vetesh, pa lënë shenja.

I mbyllëm dyert, s'lamë shteg hapur,
Pistat i shkatërruam, për t'mos u ngritur lart,
S'kërkuam ndjesë, ikëm dhe aq,
Pa ditur ku, pa pasur shkak.

I mbushëm rrugët tërë fytyra të vrenjtura,
I shembëm muret, s'ringritëm ura,
Rrokëm armët, i vumë' dhe maskat,
Drejtuar vendit, 'u vramë' mes vetit'.

Për t'u ringritur, kur?


DIKUR...SOT...

Dikur, s'ishte kështu,
Kështu është, sot.
Në qiellin e vranët, dikur,
Yjet ziheshin se kush do të ndriçonte më tepër,
Sot, s'ka garë!

Dikur, dëgjoheshin rrapëllitjet e patkonjve,
Kuajt nuk ecin, sot.
Dikur, më gjembonin kërcenjtë e trëndafilave,
Lulet të vyshkura tulatin kryet, sot.

Dikur, përshëndetjet në rrugë tundeshin në hare,
Nuk dua as t'u flas, sot.
Dikur, mendoja se prekja me duar rrezet e diellit,
Sot, nuk mundem as t'i shoh, as t'i prek, as t'i ndjej…sot!

Dikur, dëgjoja zërat fëminorë tek më ftonin në lojë,
Vetëm të qara dëgjoj unë, sot.
E sotmja ka marrë një kthesë të hatashme,
Një tjetër qasje.

Nga Mimoza Toçilla