(Gradishtë) në Novosej, qytetërim Ilir i paeksploruar

Lexuar 4322 here




nga Azem PARLLAKU
Burimet e shkruara të autorëve antikë, kishtare të arkivuara, por edhe historia orale në formën e miteve, legjen­dave, gojëdhënave si dhe mikrotoponimia e vendgjetjeve të qendrave arkeologjike, të gjitha këto të dhëna të regjistruara në kujtesën kolektive të banorëve këtu, kanë ofruar dhe janë bur­ime të rëndësishme të sintetizuara që, së bashku pasqyrojnë një tablo të përgjithshme por dhe individuale të trashëgimisë të pasur në këtë rajon.

Dëshmitë e shkruara, përveç atyre materiale, konfirmojnë prezencën e popullsisë autoktone, të ketyre anëve, si pjesë e Dardanisë në vitin 297 pas Krishtit, konstituuar nga vetë perandori Dioklecian, me origjinë ilire.

Periudha e antikës së vonë dhe mesjetës së hershme ishte një periudhë kohore e argumentuar edhe nga prezenca e shumë toponi­meve si gjytet, gradishtë, gradinë, kala, kullë, fortesë etj.

Për më tepër, këto toponime kanë kuptimin e vendbanimeve kodrinore të fortifikuar me mure rrethuese e të dokumentuara kryq e tërthor gjatë ekspeditave hulumtuese­ përnjohëse dhe sondazheve sistematike në Shqipëri dhe Kosovë, që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe që vazhdojnë edhe në ditët e sotme.

Vendbanimet e hershme kodrinore janë vendosur në pika të rëndësishme gjeostrategjike, pranë grykave të lumenjëve dhe në pika të larta gjeografike, dominuese mbi rrethinën, sic është rasti Gradishtë, këtu në Novosej.

Vendbanimi Gradishtë ka qenë vendosur në këto kodra të mbrojtura nga natyra dhe i rrethuar me ledhe me struktura të ndryshme, varësisht nga periudha kur ato janë ngrehur.

Sot mund të ofrohet vetëm një pasqyrë e përgjithshme mbi konstruksionet e ledheve rrethuese gjatë kohëve, pasi nuk janë bërë hulumtime të mjaftueshme të ledheve rrethuese të këtij vendbanimi shumë të hershëm, dhe se gjatë gërmimeve të mëparme i është kushtuar më shumë kujdes shfrytëzimit të gurëve të cilat gjendeshin brenda ledheve rrethuese, për qëllime ndërtimi.

Studimi i toponomisë së vendbanimeve të fortifikuara kodrinore, është mjaft kompleks dhe me shumë interes për çështje të identitetit dhe të kontinuitetit.

Toponimet mbizotëruese këtu janë: Gradishtë, Gjutet, Sukë, Kala, Kishë, etj. Emërtimet e ndryshme janë rezultat i përkatësisë së ndryshme kohore të këtij vendbanimi, të cilat u zhvilluan me apo me ndërprejrje.

Varësisht nga kohëzgjatja e jetës në to, ato mbajnë njëkohësisht dy toponime, sic? janë Gradishtë dhe Kala.
Toponimi Gradinë lidhet me ndërtimin e tyre në parahistori, ndërsa toponimi Kala dëshmon shfrytëzim e këtyre vendbanimeve gjatë mesjetës.
Studiuesi Norbert Jokli gjen verbin e tipit arkaik sgardh (hap, çel) në pluralet gardhiqe (gjerdhe e gardhinjë) dhe si të tillë, bashkë me studjuesit e tjerë, fjalën gardh e nxjerr si fjalë  të gjuhës shqipe.

Edhe studiuesi Eqrem Çabej termin gardhën të gegërishtes së vjetër e nxjerr morfologjikisht nga plurali i singularizuar të femërores gardhë.
Kështu, është dëshmuar se vendbanimet kodrinore në Shqipëri dhe Kosovë me toponimin Gradinë përmbajnë shtresa kulturore parahistorike dhe se në atë kohë këto vendbanime ishin të mbrojtura me ledhe prej dheu mbi të cilat thurrej gardhi.

Kjo sjell në përfundim se toponimi Gradinë ka për gurrë fjalën gardh, që nënkupton vendin e rrethuar me gardh dhe që ka për bazë ilirishten.
Po ta kishte toponimi prejardhjen sllave atëherë shtrohet pyetja se si kanë mundur të emërtohen gradinat si të tilla nga sllavët, kur këta erdhën më shumë se 1000 vjet pas shuarjes së jetës në to?
 
Është më afër të vërtetës të mendohet se sllavët, ashtu si i mësuan nga banorët vendës toponimet gjytet apo kala nga trajta ilire/shqipe, ta kenë përvetësuar edhe toponimin më të lashtë gradinë për vendbanimet parahistorike, të cilat nuk i kanë ndeshur fare, aq më pak rrethojat e tyre prej gardhi.

Evidentimi i toponimeve të vendbanimeve kodrinore, të ruajtur në traditën gojore, ka një rëndësi të madhe, prandaj studiuesit e trevës duhet të jenë tejet të vëmendshëm në këtë drejtim.

Për fund duhet theksuar se vendbanimet e fortifikuara nuk kanë qenë oaza të izoluara dhe se është zhvilluar edhe komunikimi vizuel midis tyre.
Rrjeti i komunikimit midis vendbanimeve të fortifikuara kodrinore ka ekzistuar që nga periudha parahistorike.

Komunkimi midis vendbanimeve kodrinore është zhvilluar përmes dy formave: në mënyrë të drejtpërdrejte midis fortifikatave të ngehura në lartësi të mëdha, dhe në mënyrë të tërthortë, përmes ndërlidhjeve me fortifikatat më të uleta.

Gjurmë të tyre hasen dhe sot në Gradishtë dhe përreth këtij vendbanimi të dikurshëm...


(Konsultuar: Prof. Dr. Edi Shukriu Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Milot Berisha, autor i "Guidë arkeologjike e Kosovës".)