Çfarë u tentua dhe mesazhet e munguara të kësaj dite

Lexuar 4908 here




nga Azem PARLLAKU
Megjithëse spontan tubimi i djeshëm i banorëve të Shishtavecit në natyrë nuk mund të thuhet se nuk ishte interesant. Organizatorët e kësaj dite ndryshe dhe pjesëmarrësit në aktivitetin e zhvilluar, gjithësesi duhen vlerësuar, edhe pse kalendari i veprimtarive nuk ishte i pasuruar aq sa duhej.

E megjithatë, në të ardhmen një ditë kalendarike si kjo sërish do të kremtohet. Thjeshtë ajo mund të konsiderohet si "Dita e Mërgimtarëve". Mund të shënohet si e tillë një prej ditëve të Gushtit, mbasi pikërisht në këtë periudhë, pothuaj të gjithë emigrantët kthehen për t'u çmallur dhe për të pushuar në vendlindje.

Një ditë si e tillë duhet të synojë pikë-takimin e përbashkët të emigrantëve me bashkëvendasit, jo vetëm atyre të Shishtavecit, por edhe të fshatrave të tjerë si: Novosej, Borje, Topojan, Kollovoz, Shtrezë, etj. E shënuar në kalendar, "Dita e Mërgimtarëve", përpos takimit çmallës dhe atij të njohjes, duhet në ndërkohë të konsiderohet si një manifestim kulturor i përvitshëm.

Ndaj dhe nisma për të nxjerrë në pah vlerat e një treve në veçanti, është shërbimi më i mirë që ne i bëjmë shoqërisë dhe kombit tonë. E në këtë kontekst "Dita e Mërgimtarëve" në Shishtavec mund të shënojë njëherësh edhe promovimin e vlerave kulturore dhe të trashëgimisë. Ky është një rast shumë i mirë që gjithkush të njihet me natyrën, me veshjet tradicionale, këngët, vallet, etj.

"Dita e Mërgimtarëve" njëherësh mund të shërbejë edhe një ndër aktivitetet kulturore që gjallëron sezonin turistik në njësitë administrative të Shishtavecit dhe të Topojanit. Kështu si një destinacion turistik pak i njohur për turistët Shishtaveci do të tërhiqte vëmendjen dhe kureshtjen e shumë turistëve dhe vizitorëve, të cilët rezervojnë udhëtime turistike nëpër  Shqipëri përgjatë sezonit veror.

Është e domosdoshme që, kjo nismë të jetë në fokus së institucioneve lokale në Kukës, të cilat kanë nën përgjegjësinë  e tyre zhvillimin e turizmit, dhe aktivitetet e kulturës dhe sporteve. Vëmendja këtu duhet të jetë maksimale ndaj traditave mbasi ende ato ruhen nga familjet e vjetra vendase, si edhe të parashtrohet një retrospektivë historike dhe krahasuese, sesi ato kanë ndryshuar me kohën ndër breza. Për mediat ky rast do të ishte intrigues mjaftueshmërisht, ndaj ato gjithësesi duhet të bëhen pjesë.

Intelektualë, kërkues shkencorë, studiues, historianë, etnologë, gjuhëtarë, nga Shqipëria dhe Kosova duhet të ftohen në këtë event, për të mbajtur qëndrime interesante shkencore për historinë, të tashmen dhe të ardhmen e zonës, duke nxjerrë kështu në dritë fakte të reja të cilat flenë ndër shekuj për shkak të gabimeve dhe padrejtësive historike.

Sigurisht që kjo nismë nuk do të mbetej me kaq. Ajo do përfshijë edhe pjesën e webit kallabak.com një portal i cili tashmë është kthyer në dritare informuese me lajmet më të fundit që ndodhin këtu. Si një portal që ecën me lajmin dhe zhvillimet më të fundit, webi do të gjenerojë edhe më shumë rreth promovimit të vlerave kulturore dhe turizmit në zonë.