Flet kryeplaku i kuksianëve të Londrës

Lexuar 21807 here




Idriz Parllaku është një nga novosejasit e moshës së tretë, i cili prej 20 vitesh edhe pse ka zgjedhur një tjetër tokë për të jetuar, flet për arsyet që e çuan drejt Londrës, por edhe për lidhjen e pandërprerë me vendlindjen e tij, Novosej, Kukësin ku ka punuar dhe jetuar, ndërkohë nuk ngurron, të japë komentin e tij edhe mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

kallabak.com: Keni 20-vjet që jeni vendosur në Londër, si janë ditët tuaja aty?

Idriz Parllaku: Kur bëhet fjalë për ditët e mia, më besoni që çdo ditë them kam nevojë të jem në aktivitet. Pas faljes së namazit të mëngjesit, e filloj ditën me ngarkesë duke u telefonuar miqësisë dhe shokëve ngushtë. Dua të jem i informuar në lidhje me aktualitetin në Shqipëri, veçanërisht në Kukës, ndaj dhe krahas televizionit, kërkoj edhe në hapsirën e rrjeteve sociale. Për mua website Juaj, është shumë korrekt, ndaj ndaloj çdo ditë edhe këtu. Në fund të fundit është një portal, që me të vërtetë na mban të lidhur me vendlindjen tonë.
Çdo ditë për mua është ndryshe këtu. Mund të them që vrapon dhe unë s'e kuptoj as veten e as kohën. Çdo ditë i them vetes ke akoma për të bërë ndoshta një sëmundje e lindur, ose e fituar gjatë viteve.

kallabak.com: Londra nga ana juaj u pa si mundësi më e mirë për ju dhe pjesës më të madhe të familjes. Si e sheh këtë jetesë në një ambient të ri?

Idriz Parllaku: Të them të drejtën Londra nuk është ajo që ne jemi mësuar ta shohim në filma. Duhet shumë punë, të duhet të jesh shumë korrekt me rregullat dhe ligjet e një shoqërie, që i ka të balancuara të drejtat dhe detyrimet. Ardhja ime këtu është sakrificë më vete. Por për pjesën tjetër të familjes, këtu është vendi i të gjitha mundësive nëse ke një talent dhe je i përkushtuar. Kur kam ardhur në Londër e dija që nuk është asgjë e lehtë. Por kam ardhur me qëllimet e mia në këtë vend, jo për të kapur majat e ajsbergut, por të gjej veten time këtu dhe t'u shtrojë rrugën nipave dhe mbesave. Kur jam nisur për këtu vendosa të provoj diçka ndryshe, pasi nuk më mungon vullneti për të vrapuar drejt diçkaje të panjohur, por me shpresë për ndryshim më të mirë. Nuk dua të vdes me shpresë se po bëhet mirë.

kallabak.com: Ju kanë quajtur si "Kryeplaku i kuksianëve në Londër"! Pse ka ndodhur kështu?

Idriz Parllaku: Është e vërtetë dhe ende ashtu më quajnë, jo vetëm kuksianët, por edhe hasianët. Janë episode të së shkuarës por, kur kujtoj se si ata vinin të vegjël në dhe të huaj mbase mosha, këshilla dhe mbështetja ime, përderisa kisha ardhur më përpara këtu, ishte e dobishme dhe shpresëdhënëse, për të gjithë bashkëpatriotët që sot jetojnë e punojnë familjarisht këtu. Në përgjithësi kuksianët dhe hasianët janë treguar të devotshëm, janë të respektueshëm dhe të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Unë i njoh pjesën dërrmuese të tyre, mbasi në çdo sebep më ftojnë. Përpos të tjerave i këshilloj të lidhen më shumë me vendin e origjinës. Kush ka mundur të kursejë sadopak, nuk bën keq të investojë edhe për shtëpinë apo katundin e tij në Kukës e Has. Unë nuk e kam të vështirë të marr një vendim në jetën time. Çdo vendim e marrim me mendim se do jetë në favorin tonë, ndoshta brenda një kohe dhe mund të pendohemi. Ka gjëra që kam bërë një jetë dhe jam penduar, por në shumicën e rasteve po të kisha mundësi të kthehesha në kohë përsëri do të bëja shumë nga ato zgjedhjet që kam bërë. Në këtë vend nuk erdha se nuk kisha mundësi të fitoja jetesën time, por nuk isha i kënaqur me mundësitë që më jepte Shqipëria. Dhe të gjithë ata kuksianë e hasianë që janë këtu, për një jetë më të mirë kanë ardhur.

kallabak.com: Vitet e fundit qëndroni një pjesë të mirë të kohës në Novosej. Çfarë ju mban lidhur kaq fort.

Idriz Parllaku: Më thoni, kush është ai i marrë që nuk e do vendin e tij, ku ka kaluar një pjesë të mirë të jetës. Dikur shkrimtarët dhe këngëtarët na folën shumë gjëra të këqija për kurbetin, mirëpo harruan të na tregojnë se më lehtë mund të vdisje për atdhe, se sa të jetosh në atdhe. Unë pothuaj të gjithë stinën e verës vij dhe jetoj këtu në Novosej. Çdo ditë shtëpia ime është e mbushur me dashamirës. Këtu takoj të gjithë shokët e brezit tim. Nuk kursehem aspak, i ftoj në dreka për t'u çmallur. Me pjesën më të madhe prej tyre "arratisem" në Dragash, aty ka një restorant të qetë dhe të pastër. Novosej ka një terren të mrekullueshëm, ka me shumicë njerëz të mirë, puntorë, dhe besimtarë të devotshëm. Kur jam këtu, përpiqem t'a shkel me këmbë të gjithë vendin. Pothuaj në të gjitha namazet shkoj në xhami. E vlerësoj pa masë punën që bën Imami i xhamisë Novosej, Xhevahir Lika, një djalë korrekt dhe i kulturuar. Shoh që pjesa më e madhe e brezit të ri nuk e shkojnë kohën kot.

kallabak.com: Meqenëse përmendët brezin e ri, të gjithë duan të ikin! Pse po ndodhë kështu?

Idriz Parllaku: Imagjinoni, në Shqipëri kur flas për veten aq sa mora të mira mora dhe zhgënjime pa fund. Sot zhgënjimet për brezin e ri janë të shumta. Sa herë jam kthyer përsëri në Shqipëri dhe kur kthehem vij me atë shprehjen "hë se do bëhet mirë dhe këtu", por Shqipëria ka 27 vite në tranzicion nga të gjitha aspektet dhe si duket nuk e ka në mend të dalë nga kjo situatë. Në këto kushte të gjithë duan të ikin. Shoh një pjesë nga ata që duan të ndërtojnë diçka këtu. Shteti i kërcënon me burg. Çfarë e keqe do ti vinte shtetit, nëse në Novosej, Shishtavec apo diku tjetër ndërtohet një shtëpi e re? Ata që investojnë apo ndërtojnë e bëjnë në vendin dhe tokën e tyre. Pse duhet që shteti të jetë i pamëshirshëm me këtë popull? Qëlloi që, gjatë qëndrimit të fundit në Novosej, të shihja se si punohej në rrugën nga Dogana e Shishtavecit për në Krushevë. Një punë që nuk ka të krahasuar me punët që janë kryer në rrugën Kukës-Shishtavec. Një dukje kjo, se me çfarë serioziteti punon shteti për qytetarët e tij. Në Kosovë shteti është më i njerzishëm. Tek ne ende jo. Tek ne ndërtohen burgje, në vend të rrugëve dhe shkollave. 

kallabak.com: Para disa kohësh jeni shprehur publikisht në hapsirën sociale në lidhje me fushatën elektorale të zgjedhjeve të Qershorit, çfarë nuk shkoi sipas mendimit Tuaj?

Idriz Parllaku: Këtu në shtëpinë time në Londër kam të zmadhuar një fotografi të natyrës së fshatit Novosej dhe më kujtohet që para disa vitesh e kam printuar në Shqipëri, me një çmim marramendës. Më thoni Ju tani! Ku i gjejnë paratë partitë politike, kandidatët për deputetë që e mbushin çdo fasadë në katunde e qytet me postera dhe flamuj. Gjatë asaj fushate lëviza shumë nëpër Shqipëri, një luftë politike me flamuj dhe postera, a thua se populli ushqehet me to. Sikur shpenzimet për të tilla fushatash të shkojnë në dobi të njerëzve, atëhrë populli do të ishte më pak i varfër.

kallabak.com: Ju përmendeni si individ që përpiqeni të jeni i dobishëm, madje shpesh viheni në rolin e organizatorit për disa punë të mira që bëhen në Novosej, keni një moto?

Idriz Parllaku: Përpjekjet e mia, nuk kanë për të ndaluar. Veçse disa nga punët me kontributet e emigrantëve nuk janë bërë si duhet. Kjo ka ndodhur për arsye të keqmenaxhimit nga ana e atyre, që u kemi besuar. Po të zbresësh poshtë katundit Novosej, të vjen keq, si është katandisur ajo copë rruge. Para disa vitesh i shkruajta ish-Kryeministrit Berisha, dhe ai u shpreh i gatshëm. Materialet për t'a sistemuar atë copë rruge, erdhën dhe u shitën në Kukës, nga njerëzit tanë. Në Novosej erdhën ca tuba, që menduam se do të disiplinohej sadopak rrjedha e ujërave të zeza, por edhe në këtë rast nuk u punua si duhet. Sot gjendja e asaj copërruge veçse është përkeqësuar.

kallabak.com: Sipas mendimit Tuaj, çfarë çalon?

Idriz Parllaku: Në webin Tuaj kam lexuar një shkrim shqetësim për ndotjen. Bashkohem me autoren e atij shkrimi. Njerëzit duhen të ndërgjegjësohen nga ana e tyre, ndërsa administratorët e punëve lokale që paguhen nga taksat e popullit, duhet t'a bëjnë si duhet detyrën e tyre. Kam vënë re se disa punë që bëhen me kontribute të emigrantëve, e quajnë si punën e tyre. Kjo është e pafalshme. Ndoshta dhe njëfarë neglizhence nga ana jonë, pse nuk i bëjmë publike nismat tona. Ju jeni në dijeni se si u sistemua hapsira e varrezave të vjetra këtë vit. Impakti ishte domethënës që në ide, por mos harroni se u bënë të ditur donatorët dhe e gjithë puna i'u besua njeriut të duhur. Ju mund të pyesni! A do të ketë inisiativa të tilla në të ardhmen? Me siguri Po! Disa punë në komunitet duhen marrë përsipër, kur shteti është i papranishëm. Kur shteti ka vdekur dhe çohet në këmbë vetëm kur i duhet të mbushë arkën me punë të pabëra në kurriz të popullit, atëherë kemi pse shqetësohemi. Shpresojmë që gjatë vitit të ardhshëm, të bindemi e të vemë dorë në disa nga shqetësimet që ka Novosej. Mbetet për t'u parë çfarë dhe si. Kam bindje që një punë e mirë do të bëhet.

kallabak.com: Kur kujtoni Novosejn për çfarë ndjeni shqetësuar?

Idriz Parllaku: Për ata për të cilët më merr malli një pjesë i kam pranë vetes time, vijnë e më vizitojnë, vazhdimisht. Por fakti që unë kam udhëtuar shpesh gjatë gjithë jetës time, ma ka bërë më të lehtë këtë pjesë. Novosej është një fshat me njerëz të ditur dhe puntorë. Një pjesë prej tyre kanë ide të mira, por fatkeqësisht janë zëra të vetmuar. Novosejn duhet t'a shkelin më shpesh qeveritarët, jo vetëm kur u duhet për vota, por në çdo të mirë dhe të keqe. Për turizmin duhet të luftohet fort, ashtu sikurse, bujqësia është një tjetër fushë interesante. Me ndihmën e Zotit, ky vend do të bëhet.

kallabak.com