Naim Basha: Një novosejas me zë i Çështjes Shqiptare

Lexuar 4684 here




nga Hys HASA
Dr.Naim Basha Lindi në fshatin Novosej, më 19 tetor 1937, nga një trung familjar i dalluar për mikpritje e bujari. Naimi është nipi i atdhetarit Bilal Hoxha, i cili dha jetën në luftë kundër turqve në fshatin Brekijë-lagjia Dafke dhe djalë i Ismenit-kryeplakut të Novosejt, që ja përkushtoi jetën zgjidhjes së halleve të popullit, mbrojtjes territorial dhe dinjitetit të fshatit Novosej.

Dy vitet e para të shkollës fillore i kreu në Novosej dhe i takon gjeneratës së parë të shkollës shqipe në katundin e tij, me mësues të paharruarin Beqir Hamzën. Në konteksin e ngjarjeve politike të vitit 1948, u detyrua me familjen e tij të kalojë ilegalisht në Kosovë dhe të vendoset me banim në Ferizaj, kurse gjimnazin e kreu në qytetin e Prishtinës me rezultate të larta dhe me sjellje shembullore.

Studimet e larta i vazhdoi në Shkup, ku pasi kreu akademinë pedagogjike, më pas kreu fakultetin filologjik. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Prishtinë, ku edhe mori gradën "Magjistër i shkencave filologjike"  Më vonë Naimi mbrojti dizertacionin, duke ju akorduar grada "Doktor i shkencave filologjike", dizertacionin e mbrojti në Belgjikë.

Në Kosovë për një kohë të gjatë ka punuar në arsim duke dhënë mësim në shkollë të mesme në Ferizaj e Prishtinë. Ai ka qenë një nga mësimdhënësit më cilësor, me nivel profesional teorik dhe nga ana metodike. Duke qenë një kuadër studiues e sistematik dhe me autoritet, Naimi krahas mësimdhënies si pedagog ai ka qenë një bashkëpunëtor i rregullt i institutit albanologjik të Prishtinës. Asokohe dhe në vazhdimësi bota shqiptare në Kosovë e sidomos pjesa intelektuale herë me zë dhe herë me heshtje kërkonte të drejtat njerëzore e kombëtare, të cilat rregjimi satrap serb ua kishte mohuar plotësisht shqiptarëve.

Edhe Dr.Naim Ismen Basha,si shumë intelektual të tjerë të Kosovës kishte rënë në sy dhe ishte vënë nën një mbikqyrje të rreptë të UDB-së Jugosllave (Serbe) për shkak të angazhimit në nxitje të interesave kombëtare shqiptare. Si pasojë e ndjekjes policore
serbe,ai burgoset (bashkë me babain e tij) dhe kryen dënimin në vitet 1958-1960, e më pas i bëhet ndalimi i lirë i qarkullimit, largimi nga arsimi në vitin 1983, (nga puna) si dhe vazhdonte marrja shpesh në biseda informative. Ndjekja policore, persekutimi i vazhdueshëm e detyron Dr.Naimin që me shumë sakrifica në vitin 1991 të kalojë në
Belgjikë me statusin e refugjatit politik. Këtu, për vite me rradhë ka qenë në krye të bashkësisë shqiptare në Belgjikë, duke marrë përsipër bashkimin e moralit kombëtar e politik të mërgimtarëve.

Me miq dhe intelektualë të sinqertë themeloi qendrën e kulturës shqiptare në Belgjikë, duke qenë dhe drejtor i saj. Naimi, ishte një ndër themeluesit e lidhjes shqiptare në botë dhe n/kryetar i saj për shtetet e Beneluksit, anëtar i ligës shqiptaro-amerikane, nismëtar i themelimit të klubeve me karakter kombëtar në Belgjikë, udhëheqës i këshillit të emergjencave për Kosovën. Organizator i shënimit të përvjetorëve dhe kremtimit të festave kombëtare, themelues i lidhjes së arsimtarëve shqiptarë dhe pjesëmarrës në shumë aktivitete të tjera të karakterit kombëtar.Vetë zgjedhja në këto organizma me karakter kombëtar tregon se Dr.Naim Ismen Basha, ka qenë një intelektual me aftësi profesionale, shumë i pjekur moralisht-politikisht e mbi të gjitha i paisur me dashuri të madhe për gjuhë shqipe, për flamur, për komb shqiptar. Naimi kishte një diapazon dhe kulturë të gjerë kombëtare, pra
Naimi ishte një doktor shkencash shumë i respektuar e shumë i dashur në rrethet dhe mjediset shqiptare. Naimi,gjithashtu ka qenë një nga organizatorët e manifestimeve të ndryshme anti-serbe e anti-Jugosllave, në vëndet e botës perëndimore. Shumë herë ka qenë në krye të delegacionit shqiptar, në forumet ndërkombëtare, si në bashkimin europian e atë të NATO-s, duke dorëzuar peticione e parashtruar kërkesa në mbrojtje të çështjes së Kosovës, të demokratizimit të shtetit shqiptar si dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë, Bujanovc, Medvegjë e të shqiptarëve në Mal të Zi e sidomos për të drejtat e popullit të Çamërisë për tu kthyer tek trojet e varret e të parëve të tyre.

Momentalisht Dr.Naim Ismen Basha, jeton familjarisht në Belgjikë mes komunitetit shqiptar, kurse gjatë verës shkon në Kosovë dhe në Shqipëri. Kur viziton trevën e vëndlindjes Novosej, ai ndjen kënaqësinë e veçantë të tij në takim me njerëzit e gjakut të tij. Atij i duket se shkarkohet nga malli e përgjërimi i akumuluar me dekada. Një kujdes të veçantë Dr.Naim Ismen Basha,i ka kushtuar rritjes-edukimit dhe arsimimit të dy djemve të tij Lavdërimit dhe Valonit, si dhe katër vajzave të tij, duke nxitur dhe ngjallur
interest e tyre për dije-kulturë dhe shkencë.

Dr.Naim Ismen Basha,vëmëndje të veçantë i ka kushtuar njohjes, ruajtjes e zbatimit të traditave e zakoneve të mira shqiptare tek fëmijët e tij. Ato sot flasin shqip, janë martuar dhe kan krijuar familje me vajza dhe djem shqiptarë,si dhe u ka futur në gjak
krenarinë e shqiptarizmës së tyre dhe atdhedashurinë e origjinës së tyre Novosej si dhe të qenurit shqiptar nga treva e Kukësit.

Nisur nga veprimtaria patriotike dhe kontributi i Dr.Naim Ismen Bashës, në dobi të kombit shqiptar e bën atë një intelektual veteran, me gradë shkencore për të mbetur vazhdimisht
një novosejas i nderuar e i respektuar, duke mbetur një pasuri e madhe shkencore intelektuale, si pjesë e krenarisë së inteligjencës shkencore lumjane e kombëtare shqiptare.