Simboli që mbështjell atribute të shenjta

Lexuar 207 here




nga Azem PARLLAKU
Flamuri shqiptar, shqiponja dykrerëshe e zezë në sfondin e kuq është simboli më sublim i shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj, sidomos gjatë shekullit XX.

Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Prandaj, përderisa në pothuaj të gjitha shtetet e botës presidenti betohet mbi Biblën apo Kuranin, në Shqipëri një betim i tillë bëhet para flamurit. Flamuri është edhe thelbi i himnit kombëtar. Derisa te popujt tjerë esenca e himneve ndërlidhet me atdheun, kombin, luftën, lirinë, sundimtarët, Zotin, te shqiptarët në qendër është flamuri.

“Flamur, flamur, shenj’ e shenjtë tek ti betohemi këtu, për Shqipërinë, atdheun e shtrenjtë, për nder’ edhe lavdimn e tu”, thotë një varg i himnit.

Pa marrë parasysh frustrimet që shqiptarët i kanë me origjinën e këtij himni, me muzikë dhe tekst të adaptuar rumun, ky himn është mishëruar në psikologjinë dhe patriotizmin shqiptar. Prandaj, me të drejtë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, thotë se frikën dhe optimizmin e mosshuarjes si komb shqiptarët e kanë përforcuar edhe nga Himni Kombëtar.

Me këtë flamur u shpall pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Gjatë historisë atij i shtoheshin “dekore”: herë përkrenarja e Skënderbeut, herë simbolet fashiste, e herë ylli i Davidit apo ai komunist. Por, thelbi nuk u ndryshua: shqiponja dykrerëshe e zezë me sfondin e kuq. Me këtë flamur kuqezi u bë edhe betimi në luftën e fundit në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës.

Shqiponja dykrenëshe është përdorur masivisht nga sundimtarët si simbol pushteti. Në Shqipëri, si simbol pushteti, shqiponjën e kanë përdorur familjet sundimtare shqiptare të mesjetës, si: Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët, po ashtu edhe Çernojoviçët e Malit të Zi. Duke përdorur shqiponjën si simbol të pushtetit të tyre, dëshmohet se këto familje kanë qenë funksionare të larta gjatë Perandorisë Bizantine. Shqiponja dykrenëshe është e dokumentuar qartësisht tek paraardhësit tanë, që nga shek. VI p.e.r.

Që në periudhën e bronzit kemi nga paraardhësit tanë, me formën e artit të lashtë, të dëshmuara koka të shpendit me drejtime të kundërta në objekte kulti dhe zbukurimi, por që gjithmonë edhe këto të dytat kanë ngarkesa religjioze të besimeve të lashta. Dy kokat e shpendit kultik janë të pranishme në të gjitha epokat që kaloi populli ynë deri në ditët e sotme. Që shqiponja udhëtonte drejt lartësive të qiellit, është e dëshmuar dhe në Bibël. Shqiponja drejtonte diellin që të lindte në botën tonë (sipas besimeve të lashta), por dhe e përcillte për të ndriçuar në botën e përtejme.

Ajo kishte pushtet në drejtim të Lindjes nga kishte vazhdimisht të drejtuar njërën kokë, por edhe në Perëndim, për ku e përcillte diellin, nga ku e kishte të drejtuar tjetrën kokë. Sot mbushen 574 vite ditëlindje Flamur e Shqipe, 28.XI.1443, ngritur në Krujë nga heroi ynë kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Flamuri i shek. XV i kombit tonë me shqiponjën dykrenëshe u ruajt në vazhdimësi vetëm tek shqiptarët. Në Evropë asnjë flamur nacional nuk ka vazhdimësi në pesë shekuj, prandaj flamuri kombëtar shqiptar renditet si flamuri më i vjetër në Evropë.

Duke marrë parasysh se simboli kultik i shqiponjës dykrenëshe është pjesë e kulturës shpirtërore e materiale të ilirëve e në vazhdimësi deri në ditët tona, atëherë konkludohet se është simboli i flamurit më të lashtë në Evropë dhe nga më të lashtët në botë. Dihet se flamuri, që u shenjtërua i tillë, ishte simboli heraldik administrativo-politik i Dinastisë Kastrioti, të cilët e trashëgonin, si shenjë dhe flamur, që shumë kohë përpara shekullit XIV. Ruajtja e flamurit kombëtar shqiptar në shekujt e robërisë pesëshekullore, është e lidhur dhe në traditën e lashtë të paraardhësve të shqiptarëve me kultin e shqiponjës.

Gjatë gjithë rrugës së mbijetesës nga prehistoria dhe iliro-arbëresho-shqiptarët e ruajtën kultin e shqiponjës, dhe kjo është një ndër faktorët që simboli heraldik kombëtar (flamuri kombëtar shqiptar), i përcaktuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës të pranohej, sepse ishte edhe pjesë përbërëse e pasurisë shpirtërore tradicionale mbaretnike. Studiuesit kanë vënë re dhe kanë konkluduar se, shqiponja dykrenëshe e Skënderbeut nuk ishte ndikim nga faktori bizantin, por ishte përfytyrim i një kulti të paraardhësve të shqiptarëve.

Flamuri kombëtar i pranuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës nuk ishte vetëm akti i pranimit të një simboli heraldik kombëtar, por përkoi me atë, që ky simbol kultik e shpirtëror u bë edhe simbol politik dhe identiteti etnik. Prej shekullit XV e këtej, tek ne shqiptarët, ky simbol kombëtar mbështolli rreth vetes atribute të shumta të shenjta. Shqiptarët, që nga shekulli XV, në flamurin e tyre shihnin vazhdimin simbolikisht të kultit të hyjnisë, së bashku me shenjën etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit shqiptar. Sot mbushen 105 vjet, kur në Vlorë simboli i pavarësisë, i’u dha Ismail Qemalit, i cili me krenari valëviti flamurin e parë të Shqipërisë së pavarur.

Sot, ky 28 Nëntor le të na shërbejë si pikë referimi se kemi një amanet për të përmbyllur, që historia në thellësitë e saja ti mbrojë panteonët e kombit tonë të cilët mbi gjithëçka vunë Shqipërinë dhe shqiptarët. Në kte datë feste të përjetshme do të ishte zbrazëtirë po qe se nuk do ti kujtonim dhe gjithë ata martirë, patriotë e atdhetarë, që me veprat, gjakun dhe sakrificat e tyre na shtynë në millenniumin e tretë. Le të besojmë në Lirinë dhe Bashkimin tonë Kombëtar.

28 Nëntori është ngjarje e rrënjosur thellë në kujtesën historike të kombit tonë, është një rast për të nderuar sakrificën që gjenerata të tëra bënë për lirinë dhe për shtetin e tyre të pavarur, për përpjekjet e tyre për ta konsoliduar pavarësinë e shpallur të kombit tonë dhe për t’i çliruar trojet e tjera shqiptare.

Sot shqiptarët janë bërë faktorë të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit në rajon dhe më gjerë. Prandaj, kjo ditë duhet të jetë dita e kremtimit të vlerave evropiane, të vizionit tonë për një të ardhme më të ndritur për të gjithë shqiptarët.