Taksa e Rrugës së Kombit si diskriminim!

Lexuar 203 here




nga Azem PARLLAKU
Së shpejti secili drejtues automjeti që hyn dhe del nga Rruga e Kombit do të paguajë 5 euro në shkuarje e 5 të tjera në kthim. Taksa e Rrugës së Kombit është një diskriminim i papranueshëm, e një masë që varfëron edhe më tej njerëzit më të varfër të Shqipërisë e të Europës.

Pagesa për Rrugën e Kombit është vendim politik, i qeverisë së rilindjes dhe si i tillë thellon diskriminimin e shqiptarëve. Taksa e Rrugës së Kombit do t'i vendosë në Karantinë, një pjesë të mirë të banorëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Pse jo dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë dëshmuar se janë të lidhur fuqishëm me Tiranën, Durrësin, Vlorën, e çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Taksa e Rrugës së Kombit është kosto financiare për banorët e zonës, është taksë politike dhe dëshmi se si Edi Rama ka guximin që t'i bëjë realitet projektet e përçarjes kombëtare.

Nëse Rruga e Kombit realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë.

Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro. Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën.

Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Ndërsa pagesa e dytë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë interesat që paguhen në mënyrë indirekte nga taksat për të shlyer huanë mbi 300 milionë euro që u mor në vitin 2008 për ndërtimin e saj.