Pse banorët e fshatit Shishtavec duhet të protestojnë për HEC-et?!

Lexuar 726 here




Me datë 2 shkurt 2018, KKT (Këshilli Kombëtar I Territorit) ka miratuar lejen për ndërtimin e 5 HEC-eve në ujërat e  lumit  Luma dhe vazhdimësinë e përrenjve Topojan-Shishtavec. Konkretisht, leja parashikon ndërtimin e HEC-eve  "Zaje",  "Turaj" “Xhaferraj”, “Kollovoz” dhe “Novosej”, në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “Reka Energy” sh.p.k.

Në kushtet kur banorët e këtyre fshatrave prej dy-tre javësh kanë dalë, me shumë të drejtë, në protesta të organizuara kundër ndërtimit të këtyre HEC-eve, edhe banorët e fshatit tonë, Shishtavecit, e më gjerë të të gjithë zonës së Gorës, nisur nga lidhja e ngushtë shoqërore e kulturore dhe interesat e përbashkëta ekonomiko-sociale, duhet të dalin hapur publikisht në përkrahje të këtyre protestave, duke marrë pjesë aktive në to dhe nënshkruar masivisht peticionet dhe kërkesat që do parashtrojnë protesuesit, për tre arësye të rëndësishme, që përfshijnë faktorin human (njerëzor) të solidarizimit me fshatrat fqinjë, faktorin ekonomik dhe atë të mjëdisit të përbashkët natyror. 

1.Faktori social – historik dhe human: Banorët e fshatit Shishtavec dhe më tej të të gjithë fshatrave të Gorës kanë lidhje te hërshme e të ngushta fisnore me banorët e Novosejit, Kollovozit dhe gjithe zonës së Topojanit. Në këto kushte, është një detyrim moral dhe njerëzor që të ndajmë bashkarisht me ta sic kemi bërë për shumë shekuj,  jo vetëm gëzimet e festat, por edhe fatkeqësitë e hallet tona, që në këtë rast janë krejtësisht të përbashkëta dhe paraqesin të njëjtin interes dhe ngutshmëri për zgjidhje. 

2.Faktori natyror:  Shishtaveci dhe fshatrat e tjerë të Gorës ndajnë të njëjtin habitat banimi dhe biodiversitet natyror (shumëllojshmëri mjedisi) me fshatrat e Novosejës, Kollovozit dhe Topojanit, me tipet e njëjta të relievit, llojet njëjta të tokave e livadheve, sistemet e njëjta hidrike dhe mikroklimën e njëjtë dhe në këto kushte efekti dhe pasojat do ndihen njësoj në gjithë zonën. Dy përrenjë e Shishtavecit ai i Ilna Rekës dhe Paskidofit derdhen nëpër fushën e madhe të fshatit Shishtavec, me shtrirje të gjerë në Novosej e duke u bashkuar e përfunduar me përrenjtë e tjerë të grykës së Vanave. Por kjo fushë është kompakte në gjithë gjëresinëë  e saj, duke I dhënë jetë një mikroklime dhe mikromjedisi të vecantë, që mundëson krijimin e vesës dhe ujëdhesavë të shpërndara në këtë fushë që mundësojnë rritjen e bimës më përfaqësuese dhe me të dashur nga banorët - lules së narcizit (babënxabecit). Po në këtë mikromjedis merr jetë dhe zhvillohet pasuria më e madhe natyrore e dy fshatrave Shistavec - Novosej dhe unikale për nga vlerat e jashtëzakonshme kurative (mjekësore) e turistike, masivi i madh i Mështeknave (pjesë e pyjeve të rralla alpine boreale), i vetmi në këto përmasa në gjithë Shqipërinë.

3.Faktori ekonomik: Përfitimet (e munguara në këtë rast) dhe privimet që vijnë nga vepra të tilla të mëdha publike sic janë HEC-et që pritet të ndërtohen, janë të njëjta dhe përbashkëta për të gjithë banorët e jo vetëm mbi ata që janë pronarë të tokave përreth parcelave ku do ndërtohen HEC-et, sepse cdo ekonomi e vogël lokale e familjare ka impact të konsiderueshëm mbi mirëqenien e gjithë banorë të zonës.
Pjesë e pandashme e këtij faktori është edhe ngritja e ekonomisë së turizmit malor. Por për shkak të pasojave dhe ndikimit negativ që do ketë ndërtimi I kaq shumë HEC-eve në një zonë kaq të vogël dhe në një ekosistem kaq delikat si ai I zonës Shishtavec-Topojan, kjo ekonomi nuk do ketë përfitimet e  pritshme dhe përmirësimin e jetesës së ëndërruar.
Ekosistemi Natyror  (një bashkësi e formuar nga Qëniet dhe mjedisi i Gjallë si flora dhe fauna e mikroorganizmat biologjike dhe Bota jo e gjallë si formimet gjeologjike, shkëmbinjtë, ujërat e rrjeti hidrik etj.)  Korab - Koritnik (me sipërfaqe prej 34.866 m2 në Qarkun e Kukësit), ku përfshihet Kanioni i Vanave, si dhe e gjithë krahina e Gorës, me VKM nr.989  datë 21.12.2011 që ka hyrë fuqi me 21.01.2012, është shpallur Zonë e Mbrojtur – ZM (pra park natyror) e kategorisë IV, I ndarë me tre nënzona.

4.Në ekosistemin e kësaj zone ndodhen disa Monumente të mbrojtura të Natyrës, me vlera të rëndësishme shkencore e turistike, si: 1)Mështekna e Shishtavecit; 2) Guri i Mëngjesit, 3) Guri i Shqipes (në Borje), 4) Pylli i Dushkut në Novosej.
Por, përvec këtyre monumenteve të shpallura, zona ka shumë pasuri të tjera natyrore që mund dhe duhet të përfshihen si monumente të natyrës, sic është Fusha e madhe e fshatit Shishtavec-Novosej, masivi I Lajthive dhe Ahishteve në shpatet e Ilna Rekës, dhe vetë ky lum që buron nga bjeshka e fshatit (Kotefi), pasi aty rritet dhe peshku i Troftës. Me vlera unikale dhe të jashtëzakonshme, kjo zonë paraqet trashëgiminë e saj etno-kulturore me gjuhën, folklorin, melosin dhe veshtjet e kostumeve popullore, si dhe me traditat gastronomike me gatimet e shumëllojshme autentike dhe bylmetin. Për të gjitha këto arësye, e gjithë zona duhet  të përfshihen në listën e trashëgimisë botërore UNESCO.

5.Në një ekosistem gjithcka është shumë ndërvarur e me lidhje kompakte të pandërprerë, pra të gjithë faktorët dhe elementët natyrorë e njerëzorë bashkëveprojnë mes tyre në lidhje të ndërsjella duke krijuar një balancë delikate. Prishja e këtyre balancave nga tjetërsimi I pastudiuar dhe pa kriter nga ndërhyrja e njerëzve sic është ndërtimi I HEC-eve në lumenj e përrenj me prurje të kufizuara, apo humbja dhe shkatërrimi I ndonjërit prej elementëve jep automatikisht efekt negativ, duke krijuar një efekt zinxhir mbi gjithë elementët e tjerë.
Këto hapësira të banuara me qënie të gjalla dallohen në mes tyre për nga kushtet e jetesës (mjedisi ujor, tokësor dhe ajror). Bimët kanë nevojë për dritë dhe lënde minerale, ndërsa një pjesë e kafshëve janë të varura nga bimët, pasi i shfrytëzojnë si ushqim. Nga kafshët shtëpiake dhe bimësia e në tërësi nga gjithë pasuritë natyrore të ekosistemit të zonës, varet jetesa dhe mbijetesa e te gjithë banorëve që jetojnë në këtë hapësirë.

Të gjithë këta faktorë të marrë së bashku, do sjellin brenda pak vitevë degradimin e natyrës dhe mungesën e burimeve jetësore për banorët e të gjithë zonës dhe kjo në mënyrë të pashmangshme do sjellë shpërnguljen dhe shpopullim e saj.Për të gjitha këto arësye, dhe duke menduar për të ardhmen e brezave që do vijnë, të gjithë banorët e fshatrave të Shishtavecit dhe Gorës duhet të shprehen publikisht hapur përkrahjen e tyre për protestën kundër HEC-eve.

Nga Adm i faqes Fshati Shishtavec