Rruga e Kombit

Lexuar 902 here




nga Koço Kokëdhima
Rruga e Kombit nuk është një autostradë e zakonshme. Është arteria që bashkon pjesët e kombit tonë të ndara brutalisht e përdhunisht në të shkuarën historike. Ajo nuk mund të trajtohet si një “punë e brendshme” e qeverisë së zuzarëve të Tiranës dhe u përket shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tona të tjera në Ballkan. Për Rrugën e Kombit duhet të vendoset me transparencë e gjithëpërfshirje, ajo duhet të mbetet rruga e bashkimit të shqiptarëve dhe jo rruga e përçarjes së tyre.

Qeveria e PD-së e përdhosi e para ëndrën tonë të bashkimit kombëtare që mundësoi kjo vepër. Zyrtarët e lartë të saj, vodhën për xhepat e tyre të paktën 200 deri në 300 milionë euro nga buxheti duke e lënë pa përfunduar këtë vepër edhe pse shqiptarët paguan shumë shtrenjtë për të. Kontratën për ndërtimin e saj Saliu dhe Basha ua dhanë miqve të tyre holandezë, amerikanë e turq pa tender, pa projekt dhe pa çmim tavan! Qeveria e sotme u kërkon atyre që do të udhëtojnë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas të paguajnë nga 5 euro. Kjo është nga tarifat më të lartat në Europë sepse reflekton nivelin e lartë të korrupsionit shtetëror.

Sipas kontratës koncesionare me vlerë 320 milionë euro, investimet do të jenë 40 milionë euro. Përveç mirëmbajtjes rutinë dhe riparimeve kapitale, do të ndërtohet vetëm një urë mbi lumin Drin dhe do kryhen disa ndërhyrje të tjera të pjesshme. Kompensimi nga buxheti i shtetit për trafikun e munguar është 65 milionë euro për 13 vitet e para. Përmes tarifave direkte dhe taksave, populli do paguajë 400 milionë euro në 30 vite. Rruga do të vazhdojë të marrë miliona të tjera nga buxheti, për ta sjellë në parametra normalë në gjithë gjatësinë e saj.

Protestat në Rrugën e Kombit, në Kukës e në Tiranë, në thelb janë reagim i zemërimit të një populli të shtypur, të varfër, të braktisur e të harruar. Qeveria e PD-së u vuri shqiptarëve, përmes koncesionit të skanimeve në dogana, taksë për çdo kile presh, sheqer, medikamente, kafe, miell apo gjithçka tjetër që hyn e del nga Shqipëria.

Kjo taksë shkon e gjitha, si e ardhur neto, në xhepat e qeveritarëve dhe miqve të tyre. Koncesioneve famëkeqe të qeverive të shkuara qeveria e tanishme ua ka kaluar për së keqi në mënyrë të hatashme. Nuk kam dashur ta besoj një penë të shquar të gazetarisë ekonomike shqiptare, e cila thotë se kryeministri dhe zyrtarët e lartë janë dy përfitues të barabart? të 30 deri në 40 për qind të të ardhurave të çdo PPP-je që bën kjo qeveri. Populli dhe shteti janë të shitur në çdo negociatë dhe marrëveshje.

Këtu sundon tradhëtia, hajdutëria dhe tirania e krimit. Kjo qeveri dhe partitë e vjetra të opozitës, në tërësi institucionet e pushtetit shtetëror nuk përfaqësojnë interesat dhe vullnetin e popullit, por punojnë kundër tyre. Përsa kohë vazhdon kjo situatë “përmbysja e qeverisë nga populli, me anë të kryengritjes n.q.s. është e nevojshme, mbetet një rrugëzgjidhje e legjitimuar” (Locke).

Protestuesit nuk janë barbarë. Asnjë protestues nuk është vandal. Barbarët, vandalët dhe kriminelët janë në krye të shtetit, të partive dhe të qeverisë së Tiranës. Edhe zemërimi i pakontrolluar nuk i bën njerëzit vandalë e barbarë. Qeveria është e tmerruar nga rebelimi i mundshëm i popullit të shtypur e të përbuzur. Rama e kupton se shpërthimi i kuksianëve mund të zgjojë dhe të çlirojë nga frika gjithë popullin. Revolta e tyre është revoltë kundër tiranisë. Protestuesit mund të quhen si të tillë vandalë dhe barbarë aq sa mund të quhen kështu Volteri e Rusoi. Protesta e kuksianëve është një shërbim i madh ngaj popullit tonë për ndërgjegjësimin dhe ngritjen e tij kundër sundimit të elitës së korruptuar që është sjellur me këtë popull më keq se shumica e pushtuesve të huaj në histori.

ZGJIDHJA i fton protestuesit të mos përfshihen në akte dhune, të mos djegin, thyejnë dhe dëmtojnë pasuritë publike apo private. Kompanitë koncesionare nuk kanë përgjegjësi as për varfërinë ekstreme të popullit, as për tarifat e rrugës dhe as për keqmenaxhimin e fondeve të buxhetit. Thyerjet dhe djegjet, aktet e dhunës në tërësi me shumë gjasa mund të shfrytëzohen nga armiqtë e Shqipërisë dhe mund të përdoren kundër interesave të kombit tonë.

ZGJIDHJA ju bën thirrje protestuesve të ndjekin me vendosmëri rrugën paqësore të luftës. Ata nuk duhet të lejojnë partitë e vjetra të përdorin protestën e tyre dhe të nxjerrin kapital politik prej saj.

Trau i Rrugës së Kombit është vendosur nga të tri partitë e vjetra, PD, PS dhe LSI. Ata e bëjnë “kopilin” bashkë dhe në opinion përpiqen t’ia lënë njëra-tjetrës në prehër. Kemi 25 vite që i shohim. Kur janë në opozitë përbetohen se do zhbëjnë koncesionet që ka nisur pala tjetër. Kur vijnë në pushtet bëjnë pikërisht ato që kundërshtonin në opozitë dhe mbrojnë bëmat e paraardhësve në pushtet. Oligarkia e manipulon popullin me partitë e vjetra të opozitës, ndërsa e shtyp me partitë e vjetra në pushtet.

Këto të fundit kanë shkatërruar republikën, liritë politike, ekonomike dhe njerëzore në vend dhe e ushtrojnë pushtetin në marrëveshje të plotë me njëri-tjetrin, bëjnë sikur zihen, por kjo ndodh deri në atë pikë sa të mos e rrezikojnë ekzistencën, riciklimin dhe alternimin e ndërsjelltë në pushtet.

Kryetarët e tyre nuk u përpoqën asnjë sekondë për të qeverisur por vetëm për të grumbulluar pushtet e pasuri për vete dhe për servilët, konformistët dhe kriminelët që i rrethojnë.

Kryeministria është bërë pallati i intrigave dhe pabesive, mashtrimeve dhe poshtërsive, përçarjes dhe luftës pas shpine kundër popullit. Oligarkia që sundon vendin po i zbraz territoret dhe po e zhbën fuqinë e mbetur të kombit tonë.

Me stilin dhe kulturën fashiste të qeverisjes, Rama kërkon të mbajë të nënshtruar dhe të frikësuar qytetarët. Prandaj i arreston dhe i rrëmben protestuesit në mes të natës nga shtëpitë e tyre. Ai është tashmë një figurë e urryer që simbolizon tiraninë shtypëse të krimit dhe korrupsionit. Në çdo gj? që bën dhe që thotë vetëm gënjen, fsheh faktet dhe mashtron.

Partitë e vjetra në pushtet, cilado qoftë prej tyre, kanë dy arsye të forta për t’i koncesionuar me tarifat më të kripura në botë, si Rrugën e Kombit, të gjitha akset e tjera të transportit. Së pari, sepse e kanë çuar shtetin tonë drejt falimentimit dhe drejt kolapsit të plotë ekonomik e financiar. Në tre-katër vitet e ardhshme do të kërkojnë të venë tarifa edhe për takimet mes burrave dhe grave! Këta janë jo vetëm hajna e mizorë, por edhe tutkunë të paaftë që nuk dinë të bëjnë as shtet, as ekonomi, as pasuri për popullin.

Së dyti, tarifat do të jenë të kripura për dekada me rradhë, sepse këta duhet të kenë mundësi të na vjedhin edhe kur të kenë vdekur, edhe nga varret, madje duhet të trashëgojnë mundësinë për të na vjedhur edhe te pasardhësit e tyre.

ZGJIDHJA kërkon nga autoritetet: 1) Të lirohen menjëherë të gjithë protestuesit e arrestuar dhe të ndërpritet çdo akt dhune e përndjekje policore ndaj tyre. 2) Të zerohet me detyrim kontraktor tarifa për të gjithë banorët që i arrijnë shtëpitë e tyre duke dalë nga segmenti Trau i Kalimashit- Dogana e Qafë-Morinës. 3) Tarifat e Rrugës së Kombit për kalimtarët e rastit të pjestohen me 2 deri në 3 herë.

ZGJIDHJA ju bën thirrje gjithë qytetarëve të Shqipërisë t’u bashkohen dhe të ndjekin shembullin e kuksianëve, të mos tremben nga të korruptuarit që kanë uzurpuar shtetin dhe pushtetin. Të bashkuar do t’i përmbysim, do t’ua marrim sovranitetin politik dhe do t’ia kthejmë popullit tonë. Atëhere do ta kuptoni se çfarë frikacakësh e ordinerë të pacipë na kanë shtypur e vjedhur këto 25 vite.