Turizmi në qarkun Kukës: Kush po kërcënon!?

Lexuar 3716 here




nga Jonuz KOLA
Qarkun i Kukësit ka asete të mjaftueshme për të tërhequr turistët, veçanërisht burimet e jashtëzakonshme natyrore në majat e maleve, kullotat alpine, luginat e thella si dhe liqenet dhe lumenjtë spektakolar. Megjithatë, turizmi nuk është ende i zhvilluar mirë. Është një industri e re në Luginën e Valbonës e se fundmi edhe në Shishtavec. Në Kukës, i cili është dhe qendra e rajonit ka disa hotele të cilët shërbejnë si mjedise (shërbime ushqimore).

Ndërkohë që infrastruktura e përgjithshme po përmirësohet me furnizim të kënaqshëm me energji elektrike dhe ujë, si dhe rregullimi i rrugëve në këto vitet e fundit, ka një mungesë të dukshme infrastrukture turistike me shumë pak sinjale, mjedise të pamjaftueshme në vendet turistike dhe pa përkthim.

Marketingu për të promovuar rajonin si destinacion turistik është pothuajse non-ekzistues. Rajoni nuk ofron mjedise  dhe shërbim të përshtatshëm dhe as nuk promovohet mjaftueshëm që të kthehet në një vend turistik, pjesë e portofolit të Shqipërisë, dhe si rrjedhojë ky rajon nuk po ndihmohet apo reklamohet nga autoritetet qëndrore të turizmit.

Përkundrazi, pengohet edhe më shumë nga publiciteti negativ që bëjnë këshilltarët e udhëtimeve në vendet kryesore nga ku dalin turistë, si dhe nga informacioni i vjetruar në guidat turistike ku paralajmërojnë për pasigurinë në vend.

Mjedisi në Qarkun e Kukësit ndodhet i kërcënuar, i dëmtuar nga ndotja, neglizhimi dhe vandalizmi, të cilat, nëse nuk kontrollohen, mund të lënë pasoja të pakthyeshme, duke shkatërruar asetet turistike që tërheqin turistët në këtë rajon. Sistemi i mbledhjes së mbeturinave nuk është në nivelin e duhur, pavarësisht disa përmirësimeve në këtë sistem gjatë viteve të fundit, dhe ka nevojë për vende të reja ku të groposen mbeturinat. Nëse ky problem nuk merret në konsideratë situata do të përkeqësohet më tej me rritjen e numrit të vizitorëve në të ardhmen.

Qarku i Kukësit është i pasur me burime ujore; megjithatë uji është i ndotur, veçanërisht Liqeni  i Kukesit. Lumejte po keqperdoren per prodhim Energjie duke u futur ne tuba.
HECET jane armiku me i madh i Turizmit ne kete qark.

Erozioni në Qarkun e Kukësit ka qenë dhe vazhdon të mbetet një problem konstant, pavarësisht masave për të përmirësuar situatën dhe rimbjellë zonat pyjore.
Pyjet po dëmtohen nga prerja e paligjshme e drurëve, zjarret si dhe nga planifikimi i keq i përdorimit të tokës. Si rrjedhojë tani gjendemi përballë sipërfaqeve të tëra të shpyllëzuara dhe pyjeve të shkatërruar. Janë një sërë problemesh në lidhje me mjedisin në qarkun e Kukësit të cilat duhen adresuar nëse duam që turizmi në këtë zonë të zhvillohet me sukses.