Shishtaveci në reportazhet e të shkuarës

Lexuar 1347 here




nga Azem PALLAKU
Shkrimi i ka ngrirë gjërat, faktet, njerëzit, ndodhitë…“Tek ec në mes pyllit të mështeknave të bardha, të kujtohet edhe një herë e përenduara e hidhur e këtyre anëve. Ai pyll merrte ngjyrat e ylberit nëpër lotin e nuses”. Kështu ka shkruar gazetari në pension Halil Buçpapaj në në librin e tij “Bubrrimë” si përmbledhje reportazhesh, skicash e përshkrimesh. Shfletimi i këtij libri më ngjalli interes, jo vetëm për faktin se në një nga reportazhet ishte titulluar “Ylberet që shfaqen sot mbi Shishtavec”, por më së shumti kisha dëshirë të kuptojë, si ishte shkruar në shtypin e kohës për Kukësin në tërësi. Nëpërmjet këtij botimi ku bëjnë pjesë shkrimet e dhjetëvjeçarit 1968-1979, autori ka thirrur nëpërmjet kujtesës së ngrirë në artikujt njerëz, ngjarje, e vende. Duke lexuar këtë përmbledhje, ndeshesh me njerëz, të prapë, të mbarë, dembelë e punëtorë, të shkathët e të ngathët, njerëz të zakonshëm, studiues, shkrimtarë, shkenctarë, gazetarë, minatorë, gjeologë, bujq e blegtorë. Përmes tyre e bashkë me ta, Halili si gazetar ka pasur fatin të bubrroj, të kërkoj, të mbledh, të përpunoj dhe të shkruaj, atë që mendohej se e donte koha. Pothuaj të gjithë këtyre shkrimeve të botuara në shtypin e kohës, nuk u është lëvizur, as edhe një presje, ndonëse tashmë është kohë tjetër. Nëpërmjet këtij botimi, na paraqitet një realitet i panjohur për një pjesë të konsiderueshme të popullësisë, veçanërisht për brezin e ri. Është pikërisht pasqyrimi i personazheve, mbresave e ngjarjeve, ajo ç’ka autori synon nëpërmjet librit në fjalë. Janë me qindra personazhe që, shfaqen e tregojnë jetët e tyre. Janë momente të shkurtra jete, profesione, brenga, dhimbje, gëzime e hidhrime, të cilat mbushin jetët e njerëzve të takuar. Megjithatë në këtë libër nuk të prezantohen veç njerëz e jetë, por edhe bukuri natyrore si p.sh Pllajat e bukura të Shishtavecit, Kroin e Bardhë, rudinat e mrekullueshme, Kungji i armëve, Pisha e Bajram Currit, Lugina e Drinit, bukuritë e Valbonës, etj. Jeta e gazetarit duket sa interesante, po aq edhe e trazuar. Kur ai është gjendur në mesin e njerëzve, e kur këta të fundit e kanë ndjerë praninë e tij, kanë pritur se çfarë do të shkruhet. E kështu, e shkruara ka mbetur. Copëzat e botuara në shtypin e kohës janë përmbledhur në një botim, e shumë prej atyre, për të cilët është shkruar kanë ndërruar jetë, të tjerët janë babballarë, nëna, apo gjyshër. Nëpërmjet kësaj përmbledhje duket se, shkrimi i ka ngrirë gjërat, faktet, njerëzit, ndodhitë. Ashtu kemi vënë re t’i ketë ngrirë imazhet për Kukësin kur jemi ndeshur me albumin e fotografit Safet Dokle, për të cilin autori ka folur në libër. Gjithashtu na qasen tërheqëse kujtimet e Ali Agës nga Topojani, e qindra të tjerë njerëzve bujarë e malsorë nga Tropoja e Vjetër, deri tek fshati Çajë, nga katundet e Hasit, deri tek ato në kufi me Pukën e Mirditën. Një jetë dhe realitet i këtyre viseve në atë kohë, të ngjall kureshtjen, ndaj dhe leximi bëhet tërheqës, e të imponon të shënosh përbri faqeve në këtë libër. A janë reale përshkrimet e bëra? Kjo mund të jetë pyetja që mund t’i lindë kujtdo, pasi bëhet fjalë për Shqipërinë e viteve 1968-1979. Dyshimi është i vërtetë dhe i justifikuar. Ka një pjesë vuajtje e dhimbje që, kalonte në heshtje në atë kohë, e që nuk mund të pasqyrohej plotësisht siç ishte. Kjo mund të shtyj në një vlerësim të errët të jetëve të njerëzve, që e jetuan atë kohë, ashtu siç bëhet sot rëndom. Megjithatë përshkrimet e gazetarit Buçpapaj, edhe pse pa këtë pjesë që përmendëm, mbajnë në vetvete diçka interesante, copëza jete në Kukësin e malsitë përreth të asaj kohe. Ky paralelizëm, shërben për të kuptuar se edhe në atë periudhë, nëse e zhvesh nga shumë shtresa, mund t’a vëresh si një gërshetim vuajtjesh, e mbresah, si një mpleksje të hidhurës me të ëmblën, si një frymëmarrje jete. Personazhet dhe ngjarjet që hasim në këto përshkrime, janë kaq të veçantë, pse jo dhe të njohura e të përfolura, të cilët e kanë motivuar gazetarin për të na paraqitur në një formë, përgjithësisht, më të asimilueshme disa nga refleksionet e kohës. Ndonëse si gazetar i paguar atëkohë, Halili nëpërmjet profilit si individ, ka dëshmuar se nuk ishte domosdoshmërisht i përjashtuar nga trajtimi real i shumë çështjeve me rëndësi jetësore. Personazhet realë të këtyre shkrimeve, kanë të përbashkët vetëm kohën. Ata ndryshojnë nga njëri-tjetri, si copëza jetësh të shkëputura ata janë shumë interesantë, por prapë pavarësisht ndryshimeve janë pjesë e atij “ansambli”. Ata, ishin të gjithë njerëz me diapazon dhe forcë intelektuale të jashtëzakonshme, të preokupuar me fatkeqësinë e sistemit dhe në mënyra të ndryshme. Mendimet dhe pikpamjet e tyre, herë-herë janë të guximshme dhe në mënyrë kaq pasionante konfliktuese, kaq të angazhuara në përpjekjet sociale. Ata janë të aftë për të jetuar më tej, nëse ne jemi të përgatitur për t’i rijetuar ata si frymëzim dhe mbështetje për përpjekjet tona personale. Përmbledhur, kështu ky libër është mbreslënës, pavarësisht pse përshkruan ngjarje të vendosura në një realitet ndryshe nga sot. Nëpërmjet një analize të hollësishme, vërejmë se autori, zbulon një mënyrë të kënaqshme për të shprehur, idenë qëndrore, rreth të cilës rrotullohen shumica e argumenteve të tij. Përmes një stili elegant, duket që gazetari Buçpapaj njëherësh ka bërë interpretimin dashamirës dhe kritik, nëse do të vlerësohet me të vërtetë. Edhe pse rruga për autorin ka qenë e vështirë, shpërblimi rezulton të jetë i madh. Disa nga shënimet e tradhëtojnë porosinë e redaktorëve të qendrës, të cilët e kanë patur si parim t’i nënshtrohen ortodoksisë doktrinale të kohës. Gjykuar në parametra më rigorozë përpjekja e autorit, për të parë realitetin siç paraqitej në këto anë, duhet të deklarohet e fituar. Është talenti, ai që i ka ardhur në ndihmë gazetarit, për të na mundësuar të shijojmë ese të efektshme pa bindshmëri politike, që vlejnë të lexohen… Nga koha e vendi ku ngjarjet janë vrojtuar, konstatohet ajo pamje e thjeshtuar njëngjyrëshe, e qartë dhe e kuptueshme siç ishte, jo aq e mirë. Sepse Kukësi dhe rrethinat e tij, ishin vetëm një shembull i skajshëm i asaj ç’ka ishte në esencë situata e përbashkët e qyteteve dhe rrethinave të tyre në të gjithë Shqipërinë. Në mënyrë më specifike, përmes këtij botimi lexuesi në mënyrë racionale, e kupton se cilat ishin vlerat, dhe jo vlerat e një kohe që duket e shkuar, jo dhe aq larg… Shkrimet e këtyre viteve, janë pasqyrim i përpjekjeve të paraardhësve tanë, të cilët nxitonin për të zgjidhur problemet, për të cilat makina pompoze e sistemit u jepte shumë pak ndihmë. Efekti i përgjithshëm i këtyre shënimeve është thellësisht prekës, sepse ata njerëz që nxitonin, ishin të tillë që, pas një jete të tërë problematike, i besonin idesë së një ditë më të mirë, e cila fatkeqësisht vonoi shumë