Toponime të gurëve në Novosej

Lexuar 1971 here




nga Avdi NOKA
Në mënyrë që të ruhet trashëgimia e toponomastikës, të paktën pjesërisht, duhet shënuar dhe me kujdes të hulumtohet kjo çeshtje nga perspektiva të ndryshme shkencore. Me hulumtimin e toponimeve merren shkenca të ndryshme, sidomos linguistika, por edhe gjeografia, hartografia, historia, arkeologjia etj. Metodologjia e hulumtimeve shkencore të toponimeve më së miri e elaboron toponomastika, dega e linguistikës, disiplinë shkencore e cila merret me emrat. Nëpërmjet këtij publikimi po ju njohim me toponimet e gurëve në Novosej e përreth tij.

Guri i Xhaxhës (në juglindje, ngjitur me lagjen Bashaj).
Guri i Madh (gur midis fshatit Novosej e Shishtavec gjatë rrugës këmbësore).
Gurtë e Shpeshë (rreth 800 m në veri-lindje të fshatit).
Gurtë e lamë me gjak (mbi kep të keq, në shpatin jugor të Pashtrecit).
Guri si Qen (gur që së largu i ngjan qenit, e që ndodhet ne majë të malit, rreth 1000 m në veri të fshatit.
Gurtë e Bardhë (Gurë në kodër të Kollovozit pranë kufirit me territorin e këtij fshati).
Guri i Manit (Guri i Man Bakallit, në perëndim ngjitur me lagjen Bakalli).
Guri i Zi (në veri-lindje poshtë Kallabakut të vogël).
Guri si Samar (ngjason së largu me samarin e kalit, që ndodhet në jug të Kallabakut të Madh).
Guri i Gjatë (pranë stanit tl Merxhan Ibroshit, në jug të parcelës Hurdhë).
Guri i Rrafshave (në perëndim të Hurdhës e përballë Gurëve të Kuq).
Guri i Kullës (kullë-vend vrojtimi policor ushtarak i kohës sundimit turk, në jug të pyllit të Ahut).
Katër Gurtë (gurët mbi stan të Danjallit mbi Pashtrec).
Guri i Rreshkes (në jug të Gurit të Kullës në bjeshkë të Kallabakut).
Guri i Lules së Nokës (gur ku kaçakët nga Kalisi kanë masakruar Lulen e fisit Nokë, të këtij fshati, e cila i ka ofenduar ata; ndodhet në jugperëndim të rrafshës Parllak).
Guri si Gërshanë (në juglindje të varrit të Bajramit).
Guri i Beqare (gur ku rrinin beqarët pranë çezmës e pranë Baçes së Arif Mehazit).
Guri i Xherenit (në rrafshe të pyllit Xheren).
Guri Seli (gurë si karriget e dikurshme pranë Kepit të Keq në shpatin jugor të malit Pashtrec).
Guri i Lajthisë (përballë Tabes, në parcelën Lajthi).