"Sa e trishtuar" është Borja pa vajza (!)

Lexuar 929 here




nga Azem PARLLAKU
Namik Dokle ka ardhur pranë lexuesve si autor i një romani. Në ditën e promovimit të këtij romani në "Panairin e librit", ai tregoi për “Vajzat e Mjegullës”, si një roman i frymëzuar nga jeta e tij e fëmijërisë, dhe që përpiqet të shtrihet në jetën e sotme, ku secili gjen veten nga jeta e dëshpëruar tek shpresa për një sinjal më të mirë, nga mjegulla në pritje të vajzave. Një roman me protagonistë pa emra, me të cilin Dokle guxon të rrokë lexuesit nga adoleshentët tek intelektualët.Por kush janë “Vajzat e mjegullës”?
Vajzat e mjegullës janë të gjitha vajzat që janë viktima të kohës së tyre. Ky është pikërisht koncepti i romanit që kam shkruar tha Dokle, sepse nisem nga parimi që misioni i historisë, nuk është që të shkruajë për ata që bëjnë historinë, por për ata që janë viktima të historisë apo të njerëzve që bëjnë historinë. Viktima mund të jetë një njeri, një komunitet njerëzish, krahinë, një vend apo një kontinent i tërë, siç ishte Evropa në Luftën e Dytë Botërore.
Nga kjo pikëpamje, vajzat e mjegullës mund të jetë edhe një plakë e cila dikur ka qenë vajzë, apo një grua e moshës së mesme.
Pra, është në kuptimin që mund të jetë vajzë, por edhe mund të jenë djem, që kanë qenë viktima të historisë. “Vajzat e mjegullës” janë gjithë ngjarjet e mjegullta të jetës sonë. Në roman, ka dhe një element konkret, sepse krahina që përshkruan Dokle, është një krahinë të cilën e ka jetuar, e ka ca tradita paksa të veçanta, sidomos në organizimin e dasmës dhe të Shëngjergjit.
Në roman tre muaj para festës së Shën Gjergjit, të gjitha vajzat e fshatit merren dhe çohen në një aksion, dhe fshati pret vajzat të kthehen për të festuar Shën Gjergjin se pa ato, thotë njëri nga personazhet “Nuk çelin as lulet”.
Vajzat e romanit të Namik Dokles, janë simbol i mjegullës në të cilën jetojmë, por nga ana tjetër dhe simbol i së bukurës dhe së mirës që presim çdo ditë e në cdo ndodhi të jetës sonë. Kjo është dhe simbolika e pritjes “a do të vijnë vajzat”. Nën këtë pritje zhvillohen të gjitha ngjarjet e tjera të romanit.
Vajzat janë edhe mjegulla të cilën ne e vuajmë, por edhe rrezja e diellit të cilën ne e presim.
Ngjarjet zhvillohen në krahinën e Gorës. Gora është një krahinë me 29 fshatra, por ka qenë një viktimë e historisë ashtu siç ka qenë edhe e gjithë Shqipëria. Edhe Gora është e ndarë në tre shtete. 18 fshatra ishin nën Serbi, por sot për fat të mirë janë në Kosovë, ka 9 fshatra në Shqipëri, dhe 2 në Maqedoni. Është një realitet kompakt, por që është i ndarë në 3 shtete.
Unë tha Dokle kam shkruar për një botë që e kam njohur, ku jam rritur, dhe aty ka natyrisht dhe elementë biografikë, jo aq të jetës sime sesa të atyre që unë kam njohur në komunitet. Ka ndonjë personazh aty edhe me emrin e vërtetë të tij, ka dhe të tjerë që janë produkt i fantazisë dhe të laboratorit krijues të shkrimtarit.
Romanin është konceptuar si një mozaik. Ngjarjet në roman nuk i tregon vetëm autori. Ato i tregon autori, pjesërisht i  tregon një fëmijë 13-vjeçar, pjesërisht i tregon një plakë të cilën e konsiderojnë 300 vjeçe, sepse është mbartësja e të gjithë kujtesës së asaj çka ka ndodhur. Narratorët e romanit janë të përzier me njëri-tjetrin, por synojnë të arrijnë mozaikun e një jete e cila është një jetë e trishtuar, por që ka shpresën dhe besimin se nesër do të bëhet më mirë. Një detaj: është një fëmijë dhe është edhe një plakë.  Këtë plakë fëmija me naivitetin e tij e konsideron si 300 vjeçe nga ato çka dëgjon prej saj.
Në një moment ai i kërkon t’i mësojë magjitë që ajo bën. Dhe ajo i thotë: “Jo mor bir, mi lër mua këto magji. Magjia jote është shkolla”. Pra, mesazhi është që ti nuk mund të bësh atë që kanë bërë paraardhësit, pasi koha kërkon diçka tjetër, dhe ti do të bësh atë çka kërkon koha jote.
Ngjarjet zhvillohen në vitet ’50, në një situatë të privacioneve edhe ekonomike e kulturore, ku njerëzit përzienin misrin me tërshërën nga mungesa e ushqimeve, aq sa mullixhiu që bluan drithin i thotë të voglit: “Me këtë që po sillni këtu, do të hingëllini të gjithë”. Këto detaje janë edhe sot. Ne kemi një hendek të madh mes të pasurve që pasurohen me shpejtësi marramendëse, dhe të varfërve që po varfërohen akoma edhe më shumë.
Personazhet e romanit nuk kanë emra, as Xhaxhai, dhe as fëmija nuk ka emër. Fëmija tregon në vetën e parë. Ka nga ata që më thonë: je ti? “Jo” thotë Dokle. Diku jam unë, diku je ti. Diku është dikush tjetër. Xhaxhai i librit është shumë afër realitetit, pasi unë kam pasur një xhaxha i cili për 20 vjet me radhë ka mbajtur një ditar për të gjitha ngjarjet e fshatit. Unë e kam ndryshuar emrin e fshatit, pasi nuk kam dashur të lokalizohem në fshatin e lindjes sime.
Frymëzimin e parë autori e ka marrë nga ditët kur në fshat kishin ikur vajzat dhe ai kishte shkruar vetëm një fjalë: “Sa i trishtuar është fshati pa vajza”. Vajzat u morën të gjitha në aksion për ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës, dhe nuk u la asnjë vajzë në fshat. Dhe një familje që e martoi vajzën vetëm që ajo të mos shkonte në aksion, i morën motrën më të vogël. Një familje që nuk pranoi t’i çonte vajzat në aksion, u arratis komplet. Vetëm për këtë arsye.
Personazhi kryesor që e vërtetit librin aty është një adoleshent. Ndërkohë mund ta kuptojë dhe një intelektual, sepse një nga personazhet e tjerë qendorë është një intelektual, një mësues-poet, që në kërkim të lirisë së tij krijuese, ai bie viktimë e kohës dhe pushkatohet.
Tre ndihmësit e mi për ta shkruar këtë libër, është Xhaxhai im, tek ditari i të cilit jam bazuar, dhe shkrimtarët tanë të njohur, miqtë e mi Kiço Blushi dhe Zija Çela, tha Namik Dokle në ditën e promovimit të romanit "Vajzat e mjegullës".