Sporti i gjuetisë

Lexuar 2838 here




nga Zenulla BALA
Gjuetia e kafshëve të egra, shpendëve dhe peshkut, ka qenë gjithmonë një sport sa i bukur, aq edhe kalitës. Si kudo edhe në Shishtavec, ky sport ka zanafillën e vet. Të parët që janë njohur si gjuetarë aty nga fillimi i shekullit XX-të, kanë qenë Kalesh Basha dhe Sadik Çaka, të cilët njiheshin si gjuetarë të talentuar. Kanë qenë profesionist të talentuar dhe për arsye punësimi, kanë gjuajtur kafshë të egra në Greqi. Ata kësisoj, u kanë shërbyer në sezonin e gjuetisë (gusht-mars) pasanikëve grek për disa vite me radhë.   Pastaj më vonë gjuetia në fshat, është përhapur nga Halil Aga (Sokoli) pas vitit 1935, kohë kur ai u kthye nga Egjypti.
Armët e gjuetisë, janë përgaditur kryesisht nga armëtarë vendas, por disa prej tyre janë blerë edhe në vendet ku shishtavecarët emigronin. Si armëtar i zellshëm i armëve të gjahut është i përmendur Ibrahim Kashta.  Ja çfarë shkruan Milaim Duraku në librin e tij ''Aroma e maleve'' për Ibrahim Kashtën: ''Ibrahim Kashta nga fshati Shishtavec, njeri i talentuar, krijues dhe i shëtitur. Ai ishte i dhënë shumë pas zanatit të armëtarisë, dhe siç i thonë asaj fjalës popullore, atë që ia shihte syri ia bënte dora. Në atë shtëpinë e tij të mbuluar me rrasa guri, nën dritën e kandilit dhe të llambes, punonte dhe vetëm punonte mbi ato armë gjithëllojesh: turke apo frënge, austriake apo italiane, gjermane apo belge, që i sillnin gjuetarët nga zonat e largëta të Bushtricës apo Dragashit, Buzëmadhes apo Topojanit. Disa paisje Ibrahimi i kishte marrë nga Bullgaria; morset, lima, çekiçë dhe kishte instaluar edhe një reshek. Ai u bë faktor i rëndësishëm në atë zonë, që të mbaheshin armët në gadishmëri dhe të merrte urimet edhe të armëtarëve të tjerë. Atë vit që u ngrit kooperativa në fshat, ai u yhvendos nga shtëpia dhe hapi lokal, ku i dha një shtysë të madhe problemeve mekanike, me të cilat ndeshej kooperativa buqësore'' (Milaim Duraku, ''Aroma e maleve'' (2003), Kapitulli ''Mekanikët e çifteve'' faqe 65).   Më vonë, gjuetia u pasua në fshat nga djemtë e kryeplakut të fshatit, Ibrahim Sallahut, Niazi Ibrahimi dhe Sali Ibrahimi. Të tjerët kanë qenë gjuetarët Jusuf Haxhiu, Jashar Haxhiu, Jaho Hoxha, Jakup Uka etj.
Në vitet e para pas çlirimit të vendit u shqua si gjuetar Dylber Harun Haxhiu, Ramadan Basha, Selim A Haxhiu, Hazer Draga, Hasan M Haxhiu, Ramadan Bala, Qershit Haxhiu etj.
  Në vitin 1950, u formua klubi i gjuetarëve në Shishtavec me disa armë të shoqatës. Klubi e pati qendrën në lokalin e pronarit Mevlan Hoxha. Gjuetarët respektonin regullat dhe sezonin e gjuetisë, kualidonin rregullisht armët dhe kishin një disiplinë të admirueshme.
Në vitet e mëvonshme të demokracisë, erdhën gjuetarët më të rinjë si Halit Ballabani, Erzan Haxhiu, Mehmet Bala, Jakup Murati, Ylber Allaraj, Besim Draga, Sulltan Beqa, Jetnor Basha, Bilbil Kingji etj. Të gjithë këta gjuetarë, janë të paisur me armë gjahu dhe leje të rregullta. Zona ku gjuajnë është shumë e pasur me kafshë të egra, që nga lepuri i egër, e deri te ariu i murrëm. Në këtë zonë, gjuetie është e pranishme edhe dhelpra, derri i egër, ujku, më pak ndeshet kaprrolli, arusha dhe kunadhja, meqë vendi është i zbuluar për shkak të mungesës së pyjeve. Ka me pakicë thëllëza, rosa të egra, shqarth dhe lundërza.   Gjuetia e peshkut zë një vend të vogël në zonën e Gorës dhe Shishtavec, pasi mungojne lumenjtë apo rezervuaret, i vetmi lloj peshku që gjindet në përroi e Ilnarekës dhe atë të Turajve, është trofta. Me krijimin e rezervuarit të Kallabakut, u hodh rasati i disa lloje peshqish. Zënia e peshkut, më tepër praktikohet në kohën e verës dhe më së shumti për zbavitje. Ndër më të shquarit e  gjuetisë së peshkut , janë Mirzan Kingji, Ramadan N Bala, Mirat Bala, Elez Basha, Erzan Haxhiu, Artan Z Bala, Besim Draga etj. Për këtë sport, shpesh ka edhe bashkëpunim me gjuetarët goranë të fshatrave Krushë e Restelicë në territorin e Kosovës.
Bota bimore dhe e kafshëve në zonën e Shishtavecit, është shumë e pasur. Kjo botë e pasur është studiuar, nga shumë biologë shqiptarë dhe të huaj. Në vitin 1980 (korrik), një grup biologësh nga Universiteti i Tiranës, i përbërë prej pesë vetësh i kryesuar nga biologu i njohur Vangjel Taho dhe të shoqëruar nga banori i Shishtavecit Zylbehar Kingji, studiuan florën dhe faunën e kësaj zone. Pasi studiuan me kujdes malin e Gjallicës, Koritnikut, u përqëndruan në pllajën e Shishtavecit.   Në vendin e quajtur Guri i Djelprës, ata kapën një gjarpër (nëpërkë) tepër helmues. Pasi e hulumtuan këtë specie të rrallë, dolën në konkluzion, se gjarpërsi i Gurit të Djelprës, ishte i njëllojtë me kobrën australiane dhe një nga më helmuesit në botë. Për këtë u botua edhe një artikull në revistën '' Shkenca dhe Jeta''. Po ashtu, këta biologë, studiuan edhe disa lloj bretkosash dhe vunë re, se ata përbënin një arenë të vërtetë në pellgjet ku jetonin. Po këtu, u gjet një lloj bretkose e vogël, e cila kishte dy gjendrra helmi, helm i cili mund të shkaktonte ngordhjen e një kafshe të madhe, po ta hante bashkë me barin. Një studim interesant, ishte edhe për jetën e milingonave të mështeknës së Shishtavecit. Ajo ka veti të zhdukë të gjithë lavrat e insekteve dhe dëmtuesve të gjetheve. Ajo mund të transferohet dhe të shpërndahet në pyjet me pisha të okupuara nga dëmtues të ndryshëm. Milingona e mështeknës, mund të bëjë një shërbim të dobishëm në pyjet me pisha.