Tradita në sport (ski)

Lexuar 2036 here




nga Zenulla BALA
Banorët e Shishtavecit, siç i kemi cekur edhe më sipër, për vetë kushtet janë marrë kryesisht me buqësi dhe blegtori, por kanë ushtruar edhe lloje të ndryshme sportesh si rrëshqitje me ski, hipizëm, futboll dhe lojëra tjera popullore.Tradia e mundjes, hipizmit dhe atletikës vijnë nga kohët e lashta, ndërsa sporti i skive, është relativisht sporti më i mirë në Gorë, por është më i zhvilluari dhe që ka popullaritetin më të madh në fshat dhe në zonë.   Zanafilla e këtij sporti kaq të zhvilluar, është që në kohën e Luftës së Parë Botërore (1914 - 1918), kohë në të cilën në Shishtavec erdhën trupat alpine austro-hungareze, të paisura me ski, të cilat i përdorën për shërbime ushtarake, zbavitje sportive dhe kalitje fizike. Këtu lindi kureshtja e banorëve për këtë lloj sporti dhe pastaj natyrshëm improvizuan me gdhendje si nga druri i ahut edhe nga ai i mështeknës ski. Ato ishin te parat që u përdorën kryesisht nga të rinjtë dhe fëmijët. Në vitin 1939, erdhën ushtarët italian në këto anë dhe për periudhën e dimrit sollën ski dhe disa nga ato ua dhanë edhe banorëve te Shishtavecit, kuptohet atyre që e admironin këtë sport.   Kushtet e përshtatshme, pllajat e mbuluara për një kohë të gjatë, lejuan dhe krijuan mundësitë e zhvillimit të këtij sporti të bukur dhe masiv. Në vitin 1949 klubi sportiv Morava i Shishtavecit, krahas sporteve të tjera tradicionale, i jep përparësi edhe sportit të rrëshqitjes me ski dhe e bëri këtë sport kryesor. Në vitin 1950, me nismën e profesor Luigj Shalës, u bë e mundur të realizohej gara e parë kombëtare e rrëshqitjes me ski në Shishtavec. Gara u bë në një terren të përshtatshëm me borë. Vlen të theksojmë mikpritjen, që iu bë sportistëve të ardhur nga gjithë vendi në Shishtavec. Në këtë garë, ekipi ''Morava'' i Shishtavecit, fitoi vendin e parë.
Në vitin 1951, garat u zhvilluan në Dardhë të Korçës dhe ekipi ''Morava i Shishtavecit, shpallet kampion i vendit për të dytën herë. Kështu vazhdoi edhe në vitin 1953. Pas këtij viti sporti i skive pati një ndërprerje prej disa vitesh. Në vitin 1967, me kërkesën këmbëndulëse të popullit sportdashës, u bë e mundur që përsëri ekipi ''Morava'' të përfshihet në kampionatin kombëtar. Në këtë vit, u organizua kampionati kombëtar i skive në Razëm të Shkodrës, ku morën pjesë ekipe nga gjithë Shqipëria. Ekipi ''Morava'' edhe këtë vit u shpall kampion kombëtar.   Në muajin mars të vitit 1969, në fshatin Shishtavec, u organizua kampionati kombëtar i skive. Krahas ekipit vendas, morën pjesë edhe mjaft ekipe tjera, si ''Skënderbeu'' i Korçës, ''Gramozi'' i Ersekës, ''Dajti'' i Tiranës, ''Razma'' e Shkodrës, ''Korabi'' i Peshkopisë dhe ''Tërbuni'' i Pukës. Në këtë kampionat, për herë të parë morën pjesë edhe dy ekipe femrash, ''Skënderbeu'' i Korçës, dhe ''Morava'' i Shishtavecit. Garat e meshkujve, i fituan skiatorët Shishtavecarë, ndërsa për femra fitoi Korça. Vlen të përmendet se në këtë kampionat, mori pjesë dhe kryetari i komunitetit të kulturës fizike dhe sporteve të vendit Rexhep Doda dhe gazetarë Ismet Bellova dhe Astrit Omeri.   Vlen të përmendet mikpritja dhe bujaria e popullit të Shishtavecit, që të gjithë skiatorët e ardhur i mbajti në shtëpitë e tyre. Sportistët shprehën kënaqësinë dhe falënderimet më të sinqerta për popullin e Shishtavecit. Në vitin 1975, në muajt janar e shkurt, kampionati kombëtar i skive, u mbajt në Voskopojë të Korçës. Garat qenë shumë të forta dhe cilësore. Garat i fituan skiatorët e Shishtavecit, ndërsa kampionatin e fitoi Korça. Pas viteve 1990, si rrjedhojë e ndryshimeve politiko-shoqërore në vend, pati pasoja negative edhe sporti e në veçanti sportet dimërore. Ky aktivitet u ndërpre, ose pati natyrë lokale dhe individuale argëtuese. Deri në këtë kohë, skiatorët e Shishtavecit, u përfaqësuan me ekipet e ''Përparimit'' të Kukësit dhe ''Partizanit'' të Tiranës. Pas vitit 1997, ka patur një interesim më të madh të komunitetit dhe rretheve sportive, për ringjalljen e traditës sportive të zonës sidomos të sportit të skive. Kjo u finalizua me aktivitetin sportiv masiv të 23 janarit të vitit 1999, kur u riformua klubi sportiv ''Morava'' i Shishtavecit. Riaktivizimi i këtij klubi sportiv, u realizua në sajë të shpirtit sportdashës të banorëve të fshatit Shishtavec, të intelektualëve dhe nxënësve të shkollës së mesme. Një përkushtim dhe një ndihmesë të veçantë, dhanë skiatorët veteranë dhe të rinjtë e fshatit. Ky sport mban përmasa të kënaqshme edhe në fshatrat Novosej e Borje. Skiatorë të veçantë me aftësi individuale, tashmë marrin pjesë edhe jashtë shtetit si në Maqedoni, Greqi dhe Itali, siç është rasti i Ahmet H Balës, Sami Y Haxhiut, Ismet M Pashaj dhe Azem A Haxhiut nga fshati Novosej. Me datën 5 shkurt të vitit 2000, me iniciativën e sportistit të talentuar Servet Bala dhe me sponsorizim të OSBE-së në Shishtavec u zhvillua aktivitti sportive i skive me pjesëmarrjen e disa ekipeve vendase, vlen të përmendet edhe pjesëmarrja e ekipit të Kosovës.   Sportistët pjesëmarrës të fshatit Shishtavec në aktivitete ndërkombëtare, janë Sami I Haxhiu, skiator vrapues, i cili mori pjesë në olimpiadën Ballkanike të para të rinjve në qytetin e Valaostës në Itali, në vitin 1993. Ahmet H Bala, në garat Ballkanike në Greqi, Ismet M Pashaj në garat Ballkanike në Mavrovë, Maqedoni dhe Bullgari. Azem A Haxhiu, në olimpiadën në Valaosta në Itali, Asidin R Haxhiu, në kampionatin botëror të trupave alpine në Itali në vitin 1999, mori pjesë në kampionatin europian të skive, ku u përfshinë me pjesëmarrjen e tyre më shumë se 30 vende.   Ky aktivitet, u emërua kupa Belul Hatibi, për nder të sportistit skiatorë me famë Belul Hatibit. Në këtë veprimtari morën pjesë disa përfaqësues edhe të vendeve skandinave dhe të Europës Qëndrore, si dhe nga Kanadaja, përfaqësues nga pushteti në rrethin e Kukësit dhe Komuna. Ishin të pranishëm edhe gazetarë nga Tirana, Kukësi dhe Kosova. Që nga ky vit aktivitete të kësaj natyre, kanë mbetur në nivel lokal dhe të shkollës së mesme brenda fshatit.   Në sportin e skive, kanë dhënë kontributin e tyre Xheladin J Bala, Destan Çeliku, Halil Uka, Ramadan Basha etj, ndërsa në gjeneratën e dytë dolën skiatorë të talentuar të dy lloj rrëshqitjeve si në sllallomin e madh (rrëshqitje e lirë) dhe në sllallomin special (kthesat), u dalluan Servet Bala, Hasan Haxhiu, Ali Kingji, Abdirrahman Dervishi, Refik E Uka, Abdulla Basha, Garip Çeliku, Nazif Bala, Kadri Xh Bala etj. Në garat e vrapimeve të gjata, është shquar Voke Kingji, Zarif Haxhiu, Ramadan Draga, Uzidin Draga, Ilmi Haxhiu dhe Sami Haxhiu, kampion kombëtar në këtë garë. Në gjeneratën e tretë dolën shumë skiatorë të rinjë si Sami Haxhiu, Ahmet Bela, Ismet Pashaj, Shuaip Beqa, Rexhep Bala, Gëzim Çeliku, Shkëlqim Kallabaku e shumë të tjerë.
Në këto aktivitete sportive, Shishtaveci ka fituar 8 vende nderi, 12 kupa dhe 10 flamuj e stimuj të tjerë, duke nderuar fshatin e Shishtavecit dhe klubin sportive ''Morava'' dhe ''Përparimi'' të Kukësit.