Një film nga Bullgaria për Shishtavecin dhe Borjen

Lexuar 2866 here




nga Azem PARLLAKU
Bashkësia e goranëve, e cila është ndarë mes Shqipërisë dhe Kosovës, përbën një interes shumë të madh. Interesi im është drejtuar ndaj goranëve në Shqipëri, sepse bashkësia andej është më pak e studiuar"; thotë Vesellka Tonçeva, studiuese bullgare me profesion muzikologe dhe etnografe, e cila ka udhëhequr xhirimet e filmit "Dita e Shën Gjergjit te goranët në Shqipëri" gjatë ekspeditave të saj kryesysht në Borje dhe Shishtavec.Për shkak të regjimit në të cilin kanë jetuar, goranët në Shqipëri kanë qenë në një farë mënyre më të mbyllur dhe në fakt ky izolim e ka bërë të mundur ruajtjen e zakoneve dhe traditave autentike, thotë studiuesja nga Bullgaria.
Në film ajo ka provuar të përmbledh gjithçka që ka parë gjatë festimit të Ditës së Shën Gjergjit. 6 maji te goranët është dita më e madhe dhe më e rëndësishme. Atëherë përfundon dimri, që stinë në malin Shar është e tmerrshme, dhe fillon pranvera, kur natyra zgjohet për një jetë të re.
  Ditën e Shën Gjergjit goranët nuk e lidhin me figurën e shenjtorit të krishterë Gjergj, i cili nderohet më 6 maj nga Kisha Ortodokse.
Goranët janë myslimanë dhe 6 maji për ta është dita e fillimit të pranverës, kur burrat kthehen në shtëpi nga kurbeti.
Duhet përmendur se Dita e Shën Gjergjit te të krishterët në Shqipëri është një festë e lëvizshme, që do të thotë, nuk bie në një datë të caktuar, dhe festohet në varësi të Pashkëve. Goranët ndajnë vitin në dy stinë kryesore; Stina e dimrit e cila fillon me Ditën e Shën Dhimitrit (26 tetor), kur punëtorët bujqësorë nisen për në krahinën historike e gjeografike mes Maqedonisë Lindore dhe Trakisë Perëndimore, dhe stina e verës e cila fillon me Ditën e Shën Gjergjit.
Goranët respektojnë shumë Ditën e Shën Gjergjit. Ajo festohet disa ditë.
Në fshatin e Borjes festa zhvillohet katër ditë. Përgatitja për festën vetvetiu përbën një rit. Lyhen muret e shtëpive dhe këto të fundit pastrohen tërësisht. Ende interpretohen këngët e dikurshme rituale. Goranët gjatë ditëve të vishen me kostumet karakteristike popullore.   Çdo ditë e festës ka të bëjë me një rit të posaçëm.
Ditën e parë mblidhen lulet të cilat futen në ujë dhe me këtë ujë lahet trupi. Gjatë ritit të larjes deklarohen këto fjalë: "Ashtu si uji rrjedh poshtë, ashtu edhe unë të rritem lartë."
Dilet për t’u mbledhur barna, të cilat prehen dhe u jepen kafshëve për bulmet. Branat mblidhen në të gdhirë të ditës. Vetëm në këtë kohë ato janë magjike dhe shpërndahen që të jetë viti i mbarë.
Ditë tjetër goranët hyjnë në valle me shoqërimin e dy surleve dhe dy daulleve, kurse ditën e fundit dilet për teferiç dhe bëhet një piknik i përbashkët.
  Për sa i përket mbledhjes së drurëve, kjo bëhet vetëm në fshatin e Shishtavecit. Me ta ngrohet uji, ku futen lulet. Pylli ku merren drutë konsiderohet si i shenjtë, sepse vetëm Ditës së Shën Gjergjit lejohet mbledhja e drurëve andej.
Një rit tjetër interesant është ai me vezën. Merret një vezë e pazierë dhe me lëvozhgën fërkohet trupi. Kjo bëhet për shëndet. Simboli i vezës nuk është vetëm se e ka lëvozhgën e fortë, forma e saj të rrumbullakët simbolizon pafundësinë.
Në Shishtavec në mbrëmjen e 6 majit vajzat shkojnë në lumë dhe presin majat e flokëve. Besohet se nëse flokët prihen në këtë ditë, ata do të fillojnë të rriten më shpejt, sepse atëherë natyra "rritet", gjithçka gjelbërohet.
Në thelb skenari dhe sekuencat e filmit hedhin poshtë përpjekjet e disa studiuesve vendas të cilët, janë përpjekur të argumentojnë se; komuniteti i goranëve në Shqipëri është i lidhur me korpusin boshnjak të Ballkanit.