Arsimimi në Novosej një histori me shumë protagonistë

Lexuar 4209 here




nga Abedin NOKA
Fillesat e arsimit në fshatin e Novosejt datojnë më herët se të hapej shkolla e institucionalizuar dhe lidhet me odat e konaket e burrave, novosejas, në kuvendet e herëpashershme, ku këta njerëz flisnin e konsultoheshin e u jepnin zgjidhje problemeve dhe halleve të zonës. Këto vatra shërbyen si gjeneza të dijes, ku më i dituri vlerësohej, respektohej e dëgjohej. Kështu, shquhej konaku i Xhafer Limanit, për pritje e bujari me burrat e urtë e të mençur si: Xhafer Limani, Nebi Limani, Hoxhë Novosej, Ismen Basha, Latif Mazllumi, Sulejman Selami, Rrahim Hazir Noka, Ibrahim Sadik Noka, Osman Bakalli, etj.   Të etur për dije e kulturë, për shkrim e lexim, gjatë viteve 1930-1938 shumë nxënës nga Novosej vijuan shkollën fillore në Shishtavec, ku përmenden; Ali. M. Tocilla, Bajram. R. Noka, Beqir Noka, Ismail Parllaku, Hasip Dema, Mahmut Parllaku, Mustaf Mata, Ramadan Beqa, Rrahi Parllaku, Osman S. Tocilla, Ziadin Bakalli etj, me mësues Xhevdet Doda dhe Sali Kingji.
Dita më e gëzuar dhe sublime për Novosejasit qe 15 dhjetori i vitit 1944, ku drita e dijes trokiti në portën e Mejtepit të vjetër me 34 nxënës që ulën në bankat e tempullit të dijes. Ishte mësuesi, i parë, ai që është skalitur në mendjen e shumë njerëzve që mori përsipër t’u hapte njerëzve horizonte të reja.
Beqir Hamza mori përsipër misionin e tij të madh dhe në nder të kontributit të tij të vyer shkolla me krenari mban emrin e tij. Më 15 dhjetor të këtij viti shkolla mbush 72 vjetorin e hapjes së saj. Më në fund Novosejasit përmbushën ëndrrën e tyre të shumëpritur për arsimim , dije dhe zhvillim.   Natyrisht, që Shqipëria e varfër e pasluftës reflektohej në çdo cep të saj e për pasojë nxënësit e parë e zhvilluan mësimin në katin e dytë të mejtepit në kushte shumë të vështira. Nxënësit mësonin në klasa kolektive dhe patën si fletore rrasat e gurit ap të drurit dhe përdorën si penë thëngjijtë e shuar të zjarrit, me anë të të cilëve lanë gjurmët e mendjes dhe përpjekjeve të tyre për dije.
Mirënjohja dhe respekti më i madh shkojnë për pionierin e arsimit në Novosej, mësuesin e parë të kësaj shkolle Beqir Hamza. Ai mbetet “Kalorës i arsimit” siç citohet nga Azem Parllaku në shkrimin e tij. Për të gjithë ne ai mbetet “ një përmendore e gjallë e brezave, në fidanishten që me mjeshtëri krijoi vetë. Ai qe arkitekti që hodhi bazat e arsimit në Novosej dhe vuri themelet e dijes në vendin të cilit i përkiste.
Në rrugën e tij ecën edhe fëmijët e tij, i biri Besimi, i cili u nda nga jeta në moshë të re, dhe e bija Hidja, sot në pension.
Më pas kjo vatër dije u rrit me mësues të tjerë e pikërisht: Stavri Simo (Teneqexhiu) nga Korça, Emerli Doci e Sami Doci (Nangë), Astrit Gjebero e Piro Tako (Gjirokastër), Ukë e Mesim Domi (Ujmisht), Rexhep Korbi (Kolesjan), Iliaz Arifi e Nuredin Doci (Shishtavec).   Brezi i mëvonshëm u shënjua nga puna e palodhur e  Murhan Dallaci (Borje), Brahim e Halit Nela (Kollovoz), Violeta Dushollari (Vlorë), Marie Puna (Shkodër), Maksim Rrëmbeci (Tiranë), Remzie Visha (Kolesjan), Sabrie Braha, Shpresa Cengu, Rufat Shehe, Avni Kola, Rexhep Cuni etj.
Një pjesë e tyre qenë bij e bija të Novosejt si: Bilal Basha, Xhemal Tocilla, Halit Basha, Muedin Tocilla, Dije Parllaku, Idreiz Basha, Haxhire Mata, Elhame Basha, Hatixhe Tocilla, Avdi Noka, Besim Beqa, Mahmut Tocilla, Selam Tocilla, Niazi Mata, Lefterije Tocilla, Safet Lika, Vjollca Mata, Durim Tocilla, Hyrije Tocilla, Rexhep Disha, Naim Tocilla, Arjana Haklaj e shumë të tjerë.
Një pjesë e tyre janë ndarë nga jeta, si gjethet e vjeshtës u këputën e ranë, por dituria që mbollën lulëzon. Ata lanë pas përvojën e tyre, zemrën,vullnetin; ëndrrën dhe besimin për t’i bërë brezat e ditur e të denjë për një jetë më të mirë. Ata qenë të mençur  e të thjeshtë deri në madhështi, secili më pasionant se tjetri, metodistë të shkëlqyer, mësimdhënës  të dashur e të palodhur.
Janë 15 drejtues e mësues të kësaj shkolle që mbajnë me dinjitet medaljen “Naim Frashëri”, dëshmi e përkushtimit dhe misionit fisnik që ata mbartën.
Sukseset e shkollës së Novosejt janë të shumta e është e pamundur të përmblidhen në një shkrim të vetëm. Ato përkthehen në punën e palodhur të drejtuesve si : Asllan Basha, reshat Noka, Ervehe haxhiu, (Uka), Nebi Shyti, Enver Parllaku, Sejde Noka, Selam Tocilla, Abedin Noka e Mirdash Disha.
Kurrikulat e para konceptuan zhvillimin e këtyre lëndëve:
Këndim –recitim, ortografi, gramatikë, aritmetikë (gjeometri), histori, gjeografi, mësim jete e natyre, vizatim , punë dore, këngë, gjimnastikë e higjienë. Vlerësimi shtrihej nga nota 1-5. Nota 3/4/5 ishin nota kaluese.

Ndërtesat ku u zhvillua mësimi në Novosej

1944-1948 Mejtep
1948-1971  Ndërtesa poshtë Varrezave të Poshtme
1972-1988 Ndërtesa në krye të fshatit.
1988 e në vijim ndërtesa aktuale karshi Mejdanit.
Është për t’u theksuar se mësimi është kryer edhe në shtëpi private, si ajo e Islam Maksut Bashës.
Në periudhën 1944 -1971 mbaruan shkollën fillore 406 nxënës, nga të cilët 64 të vlerësuar “shkëlqyeshëm”. Gjaë viteve 1945-46 u regjistruan për herë të parë në shkollë, tri vajza të fshatit e pikërisht: Jemine Tahir Bakkali, Zahide Xhafer Mata si dhe Shahe Nuredin Lika. S’ mund të lëmë pa përmendur këtu faktin se Isa Xhelil Noka, mbaroi klasën e parë me të gjitha notat pesa, gjatë vitit shkollor 1948-1949. Me vendim të veçantë ai ia del të marrë dy klasa njëherësh (2/3), brenda 1 viti shkollor. (e dhënë e nxjerrë nga amza me numër rendor 1, faqe 19, numër rendor i nxënësit 91. Aktualisht shkolla ruan të gjitha amzat që nga hapja e saj e deri më sot.   Me qëllim zhdukjen e analfabetizmit gjatë viteve 1962-1964, ka funksionuar shkolla e natës, e cila zhvillonte procesin mësimor pasdite, me 26 nxënës të moshave të rritura të cilët punuan me programe të klasave të para dhe të dyta. Kontribut të veçantë në këtë cikël studimesh kanë dhënë Tahir Parllaku, Xhemali Beqa, Kadri Lika, Haxhire Tocilla, Muharrem A. Noka, si dhe Sabrie M. Mata.
Ciklin e dytë të studimeve 7- vjeçare në atë kohë e vijuan të gjithë nxënësit që mbaruan ciklin fillor. Gjë që dëshmon për shpirtin arsimdashës të Novosejasve.Në vitet 1971-1972  u vendos për zgjerimin e shkollës fillore dhe plotësimin e saj me ciklin 8-vjeçar, ngjarje e rëndësishme për komunitetin e fshatit Novosej.
Nga viti 1944 e deri në vitin 2015 kanë ndjekur arsimin 4-7- 8 dhe 9- vjeçar 2 383 nxënës nga të cilët 250 kanë arritur rezultate maksimale dhe janë vlerësuar me nota 9 dhe 10-ta, nga të cilët 40 nxënës janë vlerësuar maksimalisht me 10 përgjatë gjithë ciklit të studimeve. Këtu po përmendim disa prej tyre si: Nijazi R. Basha, Riza S. Noka, Jashar M. Disha, Islam N. Bakalli, Hasbije A. Mata, Ramadan M. Beqa, Naim R. Disha, Naim D. Dema, Mirdash J. Bakalli, Majlinda A. Noka, Remzi B. Tocilla, Dostan N. Tocilla, Shemsi Basha, Shahin Basha, Xhemali A. Tocilla, Hyrije I. Basha e shumë të tjerë.
Numërohen  mbi 600 nxënës nga Novosej të cilët kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme dhe atë profesionale përgjatë kësaj kohe.

Që nga viti 1944 e deri më sot kanë dhënë gjithsej mësim 120 mësues pranë shkollës “Beqir Hamza”, nga të cilët 58 të ardhur nga qytete dhe fshatra të tjerë dhe 62 mësues nga Novosej, Përsa i përket arsimit të mësuesve rezultojnë 46 me arsim të lartë, 44 me arsim të mesëm pedagogjik, ndërsa të tjerët me institute dhe cikle të tjera studimi.
Me fillimin e arsimit 8-vjeçar kanë funksionuar dy grupe kopshti/parashkollorësh, që siguronin arsimimin e hershëm për përgatitjen për klasën e parë. Shkolla e Novosejt ka qenë dhe është një burim dije i pashtershëm nxënësish cilësorë për gjimnazin e Shishtavecit. Familjet Novosejase i shtyjnë fëmijët e tyre të ndjekin ciklin e studimeve të mesme dhe më të suksesshmit u drejtohen studimeve të larta. Kjo ka qenë një traditë e kahershme që lidhet fort me ndjenjën arsimdashëse tonën dhe vazhdon dhe sot.

Nga dyert e shkollës “Beqir Hamza” kanë dalë e vijojnë të dalin nxënës të talentuar të cilët japin kontributin e tyre në shumë fusha të jetës si në : ekonomi mësuesi, mjekësi, gazetari, farmaci, rend, ushtri, sociologji, gjuhë të huaj dhe mësimdhënie në universitete si: Naim Basha, Mirdash Bakalli etj.
Këta bij dhe bija të Novosejt mbeten emblema jonë, pasaporta jonë për një përfaqësim dinjitoz, në rang fshati krahine e më gjerë.
Nga vitet 90 e në vazhdim shkolla ka hyrë në fazën e demokratizimit dhe standardizimit të saj, ku vlejnë të përmenden metodat e reja bashkëkohore dhe frytdhënëse, si “objektivat minimalë të domosdoshëm “ në orët mësimore, minitestet e testet për orë e kapituj, një kurrikul fleksibël në duart e mësuesit, afrimi me komunitetin, bordi i shkollës, futja e kurrikulës së lirë në bazë shkolle, mësimdhënia e bazuar në projekte, lënda e teknologjisë së informacionit etj.   Shkolla është përfshirë në shumë aktivitete kulturore e artistike ku vlen të përmendet programi artistik me rastin e 65 vjetorit dhe 70 vjetorit të shkollës, programi artistik në nder të poetit dhe martirit “Havzi Nela” që që u dha në disa shkolla si: Novosej, Shishtavec, Kollovoz, Topojan dhe pranë gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës. Gjithashtu vecohet programi artistik i realizuar në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë “Novosej në vite”, si dhe konkurset e fjalës artistike, çdo 7 Mars, dramatizimet, konkurse, e vizatimet, lojërat popullore, marshimet në natyrë, konkurset sportive dhe ato të skive mes shkollave ku nxënësit e shkollës “Beqir Hamza” kanë zënë vende nderi.
Megjithë rënien e numrit të nxënsve për arsye imigrimi dhe emigrimi, shkolla “Beqir Hamza” Novosej mbetet një nga shkollat më të mira në rreth, e lidhur fort kjo me përpjekjet e vazhdueshme të bëra nga stafi mësimor, me përkushtimin e madh për të përmbushur misionin e përhapjes së dijes, për të mbajtur me nder emrin e dashur e të paharruar të atij që hodhi themelet e arsimit në Novosej, mësuesit të parë “Beqir Hamza”.