Novosej (Monografi e plotësuar)

Lexuar 1813 here




nga Xhevahir LIKA
Mësuesi në pension Avdi Noka, nuk ka ndërmend të ndalet së shkruari për fshatin Novosej vendlindjen e Tij. Më herët solli për lexuesit librin e parë, ku ka trajtuar çështje të historisë dhe kulturës së fshatit. Ndërsa libri i dytë ishte një përmbledhje e lirikave popullore, si një pasuri e çmuar dhe me shumë vlera.

Libri i tij i tretë "Novosej (Monografi e plotësuar) është fryt i punës kërkimore dhe një evidentim më i detajuar në lidhje me kulturën, traditat, punën, ekonominë, arsimin dhe historikun e brezave.

Në këtë botim krahas të tjerave interesante është trajtjesa ku përfshihen; lëvizjet demografike të popullësisë, riciklimi i disa fakteve dhe ngjarjeve të dhjetë vjetorit të fundit 2005-2015, trungjet e fiseve të Novosejt dhe në veçanti fisin Noka, fjalët dhe shprehjet e trashëguara nga të parët tanë, ndërsa kapitulli për shëndetësinë bashkë me atë të zhvillimit të arsimit dhe protagonistëve të fushës, janë më të zgjeruar.

Gjithësesi, edhe pse në libër flitet për Novosejn, prapë ngjarjet dhe protagonistët nuk paraqiten si qasje të "izoluara", përkundër ato harmonizohen me zhvillimet tërësore në zonë dhe përtej saj.

Ky libër shërben si referencë e nevojshme për të gjithë individët të cilët do t'i përkushtohen studimeve të mëvonshme në lidhje me Novosejn, ndërkohë që, aktualisht jo vetëm të apasionuarit e librit, por dhe të rinjtë e shkollës, duhet me çdo kusht t'a njohin tematikën që rrok botimi.