Joni Noka, karateisti i medaljes së artë

Lexuar 1552 here




nga Azem PARLLAKU
Në mesin e muajit maj, Federata Shqiptare e Karatesë zhvilloi në Kamëz kampionatin e 23-të Kombëtar për Fëmijë, në të cilin Kamza Karate u rendit në vendin e parë të klasifikimit me 8 medalje ari, 4 medalje argjendi dhe 11 medalje bronzi, në total 23 medalje. Në këtë kampionat kaq të rëndësishëm morën pjesë gjithsej 21 ekipe nga e gjithë Shqipëria, ndërsa ekipi i Kamzës u përfaqësua me 20 karateistë, të cilët shkëlqyen duke i dhënë trofeun e dytë Kamzës.

Njëri prej karateistëve i cili, ishte meritorë i njërës prej medaljeve të arit, është Joni Noka 9-vjeçari, i cili trajnohet nën kujdesin e trajnerëve Luftar Kurti dhe Halil Marqeshi, ky i dyti pjesë e ekipit olimpik të Shqipërisë.

Joni tashmë kampion i moshës në disiplinën (kumite=dyluftim), është nxënës i shkollës 9-vjeçare "Hillari Klinton", shkollë në të cilën është nderuar me medaljen e vendit të parë në Olimpiadën e Matematikës. Gjyshi i Jonit, Reshati ish-mësues për shumë vite në Novosej, thotë se: "Pasioni im për sportet ka qenë dhe mbetet futbolli, ndoshta këtë mund të dëshiroja dhe për nipin, mirëpo, kur shoh dhuntinë dhe rezultatet e tij në sportin e karatesë, nuk kam përse të mos krenohem".

Në njërën prej këtyre ditëve ndoqëm një seancë stërvitore të ekipit në të cilin përfaqësohet kampioni ynë, i cili bëhet më miqësor, kur e merr vesh se ashtu sikurse familjarët e tij edhe Unë isha novosejas. Trajneri Luftar Kurti, është i kënaqur me paraqitjen e Jonit, teksa shprehet besimplotë për të ardhmen e karateistit të sapo shpallur kampion. Gjithashtu, ai premtoi se në çdo aktivitet, si kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, Kamza Karate do të synojë gjithmonë të ngrejë lart emrin e Kamzës dhe nuk do të ndalet vetëm me këto trofe, por do të synojë edhe trofe të tjerë në të ardhmen, ku sigurisht shumë prej tyre pret t'i rrëmbejë Joni, karateisti të cilin ai po e trajnon.

Halil Marqeshi i cili së bashku me trajnerin Luftar Kurti, drejtojnë ekipin e karatesë “Kamza”, e konsideron këtë sport si luftarak dhe vetëmbrojtës dhe shprehet se: “Unë e pëlqeja si sport, duke u nisur dhe nga filmat që shikoja. Kam vazhduar tek klubi Partizani ku jam stërvitur prej 10 vitesh. Sot vazhdoj me profesorin tim, ku vendosëm të hapim ekipin e karatesë së Kamzës ku aktualisht vazhdon stërvitja rregullisht. Këtu stërviten të interesuar dhe pasionuar pas këtij sporti nga mosha 5- 25 vjeç, Joni është njëri prej më korrektëve dhe i disiplinuar, po kështu dhe njëri prej kampionëve, ndaj krenohemi pse jo".

Karateja është shkathtësi luftarake, e cila sot ushtrohet edhe si sport, në të cilin dominojnë lëvizje aciklike. Sipas principeve të caktuara, lëvizjet bëhen në të gjitha drejtimet me kundërshtarë të paramenduar dhe real. Mbi një mijë të goditura të ndryshme, blloqe, kombinime dhe lëvizje e pasurojnë këtë sport. Një mori lëvizjesh në karate ndërrohen në rrethana të reja të diktuara nga kundërshtari. Kushtet e ndryshueshme diktojnë mënyrën, shpejtësinë dhe zgjedhjen e lëvizjes, që të reagohet në mënyrë adekuate, në situatën e sapokrijuar. Është e pamundur që të jesh i përsosur në të gjitha karate lëvizjet, prandaj në nivelin e lartë teknik përsosen forma te caktuara -specialet, që i përshtaten vetive psikofizike te njeriut. Me aplikim e rregullave të garimit është mundësuar që karateistët të garojnë ne shkallen e cila i përshtatet aftësive te përvetësuara te shkathtësisë se karatesë.

E ndërsa, sollëm në vëmendje këto ide tradicionale të sportit të karatesë, nuk e shkëputëm vëmendjen nga seanca stërvitore e Jonit, ç'ka evidentojmë se karateisti 9-vjeçar, i ka fituar kënaqshëm shprehitë e këtij lloj sporti, ku prindërit dhe trajnerët e tij, e mbështesin dhe e inkurajojnë fuqishëm. Karateisti i vogël Noka vazhdon të djersitet, duke dëshmuar kështu se  premton shumë për të ardhmen. Me dëshirën që Joni nesër të jetë pjesë e ekipit olimpik kombëtar, jemi optimist që medaljet e vendit të parë, nuk do t'i mungojnë për një kohë të gjatë.