Një shembull si ky

Lexuar 4131 here




nga Hys HASA
Në vazhdim të takimeve ,sot qe në  orën 9:30 ishim të ftuar nga vëllezërit “Parllaku” në Filadelfia,nën drejtimin e mësuesit veteran dhe djali i madh i të paharruarit n/mjeku Muharrem Parllakut( miku ynë e shoku im që nga viti 1975, pra mbi 41 vite). Në orën 9:00 kishin vajtur dhe kishin zënë vend në lokalin shqiptar (në kryqëzimin e rrugëve Ashton me Willits-Ave.) ku do të pinim kafenë, vëllezërit: Enver,Nijazi e Fadil Parllaku,të cilët kishin rregulluar tavolinat ku në do të vendoseshim sipas vjetërsisë dhe respektit shoqëror dhe po prisnin siç dinë të presin kukësianët, tashmë me vlerësim botërorë  “Për Bujari e Mikpritje”.

Në zbatim të kësaj tradite na pritën sot vëllezërit Parllaku në Filadelfia. Në orën 9:30 zunë vend me rradhë, si zakonisht  në krye kryetari i grupit vëllazëror kukësianë Ahmet Shaban Shahu, në krah të tij zunë vend muzikanti veteran i talentuari Hamdi Gjana, e me rradhë Vëllai i Enverit Nijaziu(i ardhur për vizitë tek djali i tij Robert Parllaku), inxhinieri mekanik, veterani Xhemali Elezi, vëllai i Enverit, Fadili dhe në anën tjetër zunë vend me rradhë Tajar Domi (ky dhe kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” ne Filadelfia), veterani  ushtarak Hys Hasa, mjeku veteran farmcisti Daut Ahmeti, intelektuali i ekonomisë i shkolluar në SHBA  Astrit Ahmeti, dhe ballë për ballë me kryetarin e grupit vëllazëror kukësianë kishte zënë vend mësuesi veteran dhe i zoti i tavolinës për ditën e sotme Enver Parllaku.

Sipas traditës shqiptare mësues Enveri  na uroj mirëseardhjen dhe u shpreh: "Sot kam një gëzim të veçantë, se jemi mbledhur e po pimë kafe bashkë, duke qenë bashkë me vëllezërit e mijë e veçanërisht me prezencën e Nijaziut, i cili punon e jeton në Shqipëri me shpresën së një ditë të bukur do ta kemi mes nesh. Në këtë tavolinë sot unë jam mes vëllezërve që mi ka bërë nëna e baba ,por edhe mes ju vëllezërve bashkëkrahinarë kukësianë, që të gjithëve na ka bërë vëllezër emigracioni.

Kur pimë kafe e rrimë pranë njëri-tjetrit, duket taman si me qenë duke pirë kafe në Kukësin tonë dhe në Shqipëri, atdheun tonë të origjinës.Sot do kisha dëshirë që të kishte edhe më shumë vëllezër kukësianë , sepse sa ma shumë të jemi, aq më mirë i bëjmë grupit vëllazëror kukësianë,por edhe komunitetit shqiptar të Filadelfias nën drejtimin e shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Kam kënaqësinë të ngre shendet për të gjithë juve një për një, për ata që s’kanë patur mundësi për të ardhur dhe për gjithë kukësianët në diasporën e Amerikës ,për të gjithë komunitetin shqiptar të Filadelfias; kështu u mbledhëshim vazhdimisht dhe ju falenderoj që ju përgjigjët ftesës tonë vëllazërore, jua kthefshim për gëzime e të mira në familjet e tavolinat tuaja”.

Sigurisht që nga kryetari i grupit vëllazëror kukësianë z.Ahmet Shaban Shahu e të gjithë shokët falenderuan vëllezërit “Parllaku” e veçanërisht Enverin si vëlla i madh i tyre, i cili ka ditur që bashkë me nënën e tij të paharruar (sepse baba u ka vdekur në moshë relativisht të re) kanë përballuar vështërsitë e kohës, për t’i rritur, edukuar, arsimuar, martuar e dhënë drejtim 6 vëllezërve, të cilët sot janë  jo vetëm pjesë e krenarisë fisit të tyre “Parllaku”ne Novosej,në Kukës e Tiranë ,por edhe pjesë e krenarisë kukësiane e shqiptare si në Tiranë e sidomos në Diasporën e komunitetit shqiptar në Filadelfia.

Hijeshinë e tavolinës e rriti ardhja e prezenca  e vëllait  tjetër të Enverit, Korab Parllaku, tashmë një intelektual vizionar e integrues mes biznesit Amerikan në Filadelfia, duke punuar si drejtues në një kompani elektrike me emër në gjithë Amerikën. Lind pyetja i dashur lexues!

Kush janë vëllezërit Parllaku?

Po ata janë djemtë e n/mjekut të paharruar Muharrem Parllakut nga fshati i nderuar i trevës Kukësit “Fshati Novosej” i dalluar për besë e burrëri, për bujari e mikpritje dhe për trimëri sa herë ka patur nevojë atdheu dhe me kontribute atdhetarie si dje për çlirim, ndërtim e sot për zhvillim. Babai i tyre ka kryer detyrën e mjekut në vitet e para pas çlirimit  e në vazhdim, duke i shërbyer popullit të Surroit, Vilës, Bushtricës, Borjes, Topojanit e Novosejit, Kollovozit, Shishtavecit e deri sa ai ishte gjallë në detyrë. Kontributi i tij human e njerëzor është i paharruar tek të gjithë ata që përjetuan shërbimin e tij, në përmirësim të shëndentit të tyre,duke ju lënë një pasuri shumë të madhe trashgimëtarëve, ”Pasurinë e emrit të mirë” që ai la kudo, që punoi në shërbim të popullit kukësianë, djemëve të tij të nderuar e të respektuar.

Djali i madh Enveri  intelektual veteran, me arsim të lartë si mësues e drejtues në disa shkolla, sot i nderuar mes komunitetit kukësianë e shqiptar të Filadelfias. Nijaziu me arsim të lartë ekonomik, shef finance në kooperativë, kryetar kooperative, shef llogjistike me detyra të ndryshme në Ministrinë e Rendit Publik dhe sot në Drejtorinë e Burgjeve në Tiranë, Fadili me arsim të lartë ekonomik sot me punë të ndryshme në Filadelfia, 2 vëllezërit tjerë në Tiranë janë të shkolluar dhe drejtojnë bizneset e tyre me shumë suksese e me emër të mirë në kryeqytetin, Tiranë. Djali i 5-të i doktorit të paharruar është Korabi. Një vigan intelektual me arsim të lartë me titull ingjinier elektrik, i integruar dhe konkurent kudo që ka punuar,sot është një intelektual kukësian e shqiptar me emër,si biznesmen në Filadelfia në kompaninë që ai drejton dhe shumë i respektuar e me “Peshë Fjalë e Mendimi në Administratën Kryesore të Majorit të Filadelfias.

Pra vëllezërit,djemtë e të paharruarit Muharrem Parllaku, me mund e sakrifica, kanë bërë emër të mirë sot si në Shqipëri, por edhe në Filadelfia. Ata janë shumë fisnikë e shumë bujarë. Këtë e tregojnë ne aftesitë e tyre bashkë me familjarët e femijëve të tyre në punët që ata kryejnë, në ndihmën që ju japin shqiptarëve dhe kukësianëve per t’u stabilizuar në punë,  apo në strehim. Ata janë shumë bujarë e të dalluar mes komunitetit dhe për kontributin në shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Korabi ka ndihmuar në paisjen e lokaleve të mjediseve  të shkollës shqipe "Gjuha Jonë" në shoqatë dhe me të holla, me sponcorizime ku me të drejtë është nderuar si “Veprimtar i dalluar në shërbim të komunitetit shqiptar të Filadelfias.”  Enveri  vazhdimisht sposorizon për komunitetin dhe tek ata që shkuajnë libra për vlerat historike, atdhetare e intelektuale të kukësianevë e shqiptarëve. Aktualisht kopshti që mbollën e kultivuan prindërit e paharruar Muharrem Parllaku e zonja e tij, sot është i mbushur me plotë burra e gra të nderuara, intelektual të fushave të ndryshme,me plotë nxënës e studentë, që studjojnë e përgatiten në shkollat  e universitetet e ndryshme shqiptare, evropiane e amerikane,të cilët janë krenarë me veprën, që ju lanë pas prindërit e gjyshërit e tyre të paharruar, për të qenë krenarë para brezave të ardhshëm në zhvillim.

Ja pra të dashur miq, kush janë vëllezërit “PARLLAKU” të  Filadelfias. ”Sigurisht në këtë takim u dhanë mendime të vlefeshme se si mund të punojmë më shumë për të rritur shkallën e njohjes për problemet që shqetesojnë kukesianët në Filadelfia, duke i dhënë përparësi njohjes së tyre me adresa, telefona, punësimi i tyre, forcimit të bashkëpunimit me aktivitete të ndryshme, si takime me grupe javë për javë, zgjerimi i këtyre takimeve, kryerja e ndonjë aktiviteti të veçantë, si mbrëmje familjare, ndonjë festim ditëlindjeje e takim me të rinjtë, festimi i ndonjë ditëlindjeje për ata që kanë përvjetore pikante (70,80,90 vjetor lindje), mbrëmje për ndonjë nxënës të dalluar kukësianë, përveç  atyre që organizohen në kuadrin e shoqates ”Bijtë e Shqipes”.

Ndihma që mund të jepet në rast fatkeqësie, sëmundje, pse dhe urime për ditëlindje, fejesa  e martesa, bile u hodh idea nga z.Astrit Ahmeti dhe Korab Parllaku të shkojmë drejtë krijimit të një “Fonti simbolik Financiar” me një kuotë të arsyeshme (Kryesisht nga biznesmenët) pa rënduar  asnjëri nga familjarët kukësianë në Filadelfia. Pati mendime  të punojmë  më shumë për të rritur ndihmën  ndaj shkollës shqipe dhe shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Pra puna e shtabit drejtues duhet të përqëndrohet në këto drejtime, ku të  gjitha i shërbejnë forcimit të njohjes, bashkimit, unitetit  në grupin tonë vëllazëror Kukësianë dhe në mes komunitetit  shqiptar të Filadelfias. Ja pra kështu gëzuam sot bashkë, në këtë ditë pushimi në Filadelfia. Patjetër që bëmë edhe foto për kujtim e në respekt të njëri-tjetrit. Duke falenderuar  z.Enver Parllaku e vëllezërit e tij , për këtë ftesë pirje kafeje  me një pjesë të grupit vëlllazëror  kukësianë, zoti Astrit  Ahmeti na bëri  ftesën  për të pirë kafenë bashkë, ne orën  9:30 po në këtë lokal të dielën tjetër datë 13 nëntor 2016, por me kusht, qe të shtohet numri, duke e zgjeruar dhe me shokë tjerë të ftuar. Mendojmë se takime të tilla i shërbejnë bashkimit dhe unitetit mes kukësianëve e shqiptarëve.