Unë, shishtavecari nga Kukësi me fizarmonikë, nga trenat e Greqisë deri në orkestrën e Marinelës

Lexuar 2066 here




Bashkëpunimet midis dy popujve fqinjë, popullit shqiptar dhe popullit grek, kanë ekzistuar nëpër shekuj, në fushën ushtarake, ekonomike, kulturore, njerëzore, e më të intensifikuara shpalosen ato në kohët moderne. Ato kanë qenë domosdoshmëri për të dyja palët, pa paragjykime, pa superioritete, thjesht për hir të nevojave të diktuara nga faktorë historikë, si midis dy fqinjëve natyror.


Një rast domethënës, është edhe ky që do të trajtojmë më poshtë: Agron Belaj, nga fshatrat e thella të Kukësit, përfundon studimet e mesme në shkollën e muzikës në vitin 1979, dhe fati i jetës e përcjell në Gjirokastër, mësues muzike në shkollën artistike “Feim Ibrahimi”. “Sa filloi tranzicioni – na thotë ai – jeta u vështirësua dhe u detyrova të shkoja në mbrëmje me fizarmonikë në Turizëm. Një i moshuar grek, kishte ardhur për të marrë eshtrat e vëllait të tij, vranë në luftën italo-greke, dhe ishte akomoduar në këtë hotel. Dëgjonte muzikë dhe ndjehej i kënaqur. Ashtu i gëzuar, na përshëndet: “Jini muzikantë shumë të mirë, pse nuk vini në Athinë, do të fitoni shumë më tepër se sa këtu”. Na dha telefonin dhe u largua me dashamirësi.”

ME FIZARMONIKE NE TRENIN E GREQISE, MUZIKA QE PERLOTI PASAGJEREN

Ishte koha kur rrogat po konvertoheshin me ulje dhe gjendja ekonomike ishte tepër e vështirë, prandaj vendosi të ikte si shumë të tjerë në Athinë. Nga hoteli mori në telefon mikun e tij, pas një ore Spirua erdhi dhe e mori në shtëpi. Bujaria dhe fisnikëria e tij e detyruan shumë. Dhëndri i tij, kishte një librari, në të cilën ishin edhe partiturat e kompozitorëve grekë. Spirua i tha dhëndrit t’ia sillte në shtëpi dhe e vendosi Agronin t’i studionte. I tregoi për ditëlindjet dhe ditëvdekjet e kompozitorëve dhe këngëtarëve grek, dhe e shpuri tek treni.

“Nga mësues të shkoja në tren si një lyps”! – më tregonte Agroni si t’i përjetonte rishtazi ato kohë – Me zemër të dridhur nga turpi, hapa fizarmonikën dhe fillova disa pjesë të kompozitorit të madh Miki Teodoraqis. Njerëzit në tren më shikonin me admirim, kaq respekt kishin për muzikën e tyre! Ata entuziazmoheshin nga tingujt e asaj muzike magjike dhe hidhnin në qesen pranë fizarmonikës dhrami. Mua më mbyste turpi, por familja duhej mbajtur… Shuma e parave më ngrohu… por përsëri e kisha të vështirë…” “E shikoni se çfarë respekti kanë për ty”, i thoshte Spirua dhe i kujtonte kalendarin për kompozitorët. Vazhdoi me muzikën e Marko Vanvakaris, Joanis Papajoanus, Aqis Panus, Apostolos Kalvaras, Manos Haxillaqis, Vasili Cicani etj. Ishte një pasuri muzikore përrallore! Një grua, duke dëgjuar disa tango, harroi të zbriste në stacion, e përlotur hoqi nga qafa zinxhirin e saj prej floriri, dhe ia vuri në qafë Agronit: “Të faleminderit, më kujtove kohën e rinisë…”- i kishte thënë ajo e përlotur dhe e emocionuar.

ME NE FUND NE NJE ORKESTER

Ky ishte një ngushëllim i mirë për muzikantin shqiptar. Duke e dëgjuar, dikush e rekomandoi tek një taverno e vogël, ku vinin muzikantë të ndryshëm. Shefja e kulturës, Ranja, që vinte në kishën e lagjes ku banonte Agroni, e rekomandoi tek udhëheqësi artistik, dirigjenti Kosta Zarillaqi, i cili pasi e dëgjoi, e inkuadroi në orkestër. Mes repertorit në koncert u interpretua edhe pjesa orkestrale “Zorba” e njohur në të gjithë botën muzikore. Në koncert mori pjesë edhe vetë kompozitori i madh. Pas koncertit u ngjit në skenë një trup i lartë, i buzëqeshur, dukej njeri me zemër të madhe, e uroi Agronin për tingull të pastër dhe interpretim mjeshtëror. Agroni i afroi partiturën me muzikën e tij dhe i kërkoi një autograf. Kur mori vesh se ishte shqiptar, ai shprehu një gëzim të sinqertë: “Kam qenë në Shqipëri, u befasova nga numri i madh i orkestrave simfonike që kishte çdo qytet, ishte një mrekulli!”

PRIFTI I LAGJES

Prifti i lagjes, të cilin Agroni e kishte ndihmuar për përgatitjen e korit të grave, takoi në koncert menaxheren e muzikës, Marien, dhe i kërkoi ta ndihmonte shqiptarin e talentuar. Maria, që e shijoi interpretimin mjeshtëror të Agronit, e prezantoi me Jani Niko Lulin, i cili do të drejtonte një koncert të rëndësishëm në Selanik. Ky ishte një kompozitor i dëgjuar, edhe për faktin se shkruante tërë partiturat në revistën muzikore “Dhifono”. Ky e dëgjoi Agronin në studio dhe u befasua. I entuziazmuar e ftoi në orkestër. Në koncert do të merrnin pjesë këngëtarë të mëdhenj si Dhimitra Papiu, Lena Alkeo, Marjana Zurba, Jorgo Kacari, Jani Palamidha dhe Moskonas, gjithashtu do të merrnin pjesë në orkestër, instrumentistë mjeshtëror, si klarinetisti i famshëm Jani Vasilopulo, i cili kishte arritur një sukses të madh me diskun për këngët e Teodoraqit, buzukxhiu i famshëm Dhimitris Vizas etj. Koncerti u dha në sallën “Diogjeni”, suksesi ishte i jashtëzakonshëm! Drejtuesi artistik, Lulis, për ta motivuar Agronin, i drejtohet plot dashamirësi, sikundër veprojnë njerëzit e kulturuar: “Është edhe kontributi yt në këtë sukses, urime!” Ishte një ngjarje e pazakontë që i dha muzikantit shqiptar, një kënaqësi të rrallë dhe besim në forcat e tij.

Agroni vazhdoi të punojë me këngëtarë të njohur si: Liseta Nikolau dhe Jani Pario që kishin ardhur edhe në Shqipëri me koncerte, Manoli Micia, Pandeli Thalasino, Lizeta Kalimenri, Sokrati Malama etj. Por ajo që i dha një kënaqësi të pabesueshme, dhe do të përcaktonte pikë kthesën e tij në vitet e punës në Athinë, ishte një telefonatë në orët e vona të mbrëmjes. Buzukxhiu, kolegu me të cilin punonin bashkë në tavernë, i kishte dhënë numrin e telefonit të Agronit pianistit Jorgo Njarkos.

ME MARINELLEN

Një mbrëmje, e merr në telefon, prezantohet si dirigjenti i orkestrës së Marinellës, dhe kërkon ta dëgjoj. Agroni filloi të dridhej nga emocionet. Marinellën e kishte ndjekur në turneun e saj në Shqipëri, por kurrë nuk e besonte se do të vinte radha ta dëgjonte vetë Marinella! Kjo ishte përtej ëndrrës! Jorgua e ftoi në studio. E kuptoi hutimin e tij, dhe për ta qetësuar i tha se ai ishte kushëriri i “Heroit të Popullit” Misto Mame nga Erindi i Gjirokastrës. Ai krenohej me të. Ky afinitet, e qetësoi Agronin dhe filloi të çlirohet nga kontraktimi, interpretoi lehtësisht disa pjesë muzikore, greke dhe shqiptare. Pas interpretimit, maestro Jorgo, i entuziazmuar, lajmëron Marinellën. “Sille”- i tha Marinella. Ajo e pret me një thjeshtësi dhe buzëqeshje aq njerëzore, sa e hutoi Agronin, priste të takonte një perëndeshë hijerëndë të Olimpit. “Hyra i trembur, më dukej vetja i vogël përpara Divës së Greqisë, mendova se nuk do të më pëlqente dhe do të mbetesha i ofenduar. Ajo e ndjeu kontraktimin tim, më përqafoi, më afroi si një zonjë fisnike. Më ra në sy inteligjenca e saj, thjeshtësia, dashamirësia. Fjala e saj e ëmbël ma hoqi ndrojtjen, megjithatë vazhdoja të jetoja ëndrrën.

Kërkoi të luaja një pjesë ballkanase dhe pastaj shqiptare. U entuziazmua, m’u afrua, më hodhi dorën në sup dhe më pyeti nëse dëshiroja të punoja në orkestrën e saj. Do të zëvendësoja fizarmonicistin e orkestrës, pasi ai ishte disa ditë i sëmurë. Nuk mund të besoja, që një fshatari nga Kukësi që kisha mbaruar shkollën artistike “Preng Jakova” në Shkodër, të më binte fati të rreshtohesha në orkestrën e më të madhes këngëtare të Greqisë, perëndeshës së muzikës greke. Atë çast m’u duk se zbriti nga qielli një engjëll dhe po më drejtonte… Vura re se punonjësja e shtëpisë, që e kishte nga Goranxia e Dropullit, buzëqeshi ëmbël, shikimi i saj më dha siguri. Kjo sikur më përmblodhi tensionin nervor që më shpërqendronte. Ajo u gëzua shumë që unë isha nga Gjirokastra, megjithëse vinte shpesh në fshat, dukej se e kishte marrë malli për vendlindjen, lidhjet e tyre shpirtërore ishin të fuqishme.

“Koncertin e parë me Marinellën e dhamë në sallën lirike “Megaro Musikis” të Athinës. Ishte hera e parë që e pashë Marinellën në një publik grek. Dukej se tingujt e saj, dalë nga kordat vokale, si t’i kishte prej diamanti, vallëzonin nëpër sallë… Ishte impresionuese, e zotëronte skenën, si një magjistare, falë edhe specializimit një vjeçar që kishte bërë në Paris për trajtimin e mikrofonit. Ajo të dehte me zërin e ngrohtë dhe melodioz, me ndjenjën dhe lirizmin e saj flladitës, veçanërisht në këngët “Anikse petra” (hapu gur), “Stalia-stalia” (qetë-qetë), “Pali fa klapsis” (përsëri do të qash) etj. Duartrokitjet dhe ovacionet për të ishin të pambaruara! Ne ngriheshim në këmbë sa herë Marinella i drejtohej orkestrës me dorë, kjo ndodhte pas çdo kënge, sepse ovacionet vazhdonin gjatë.

Në mes të koncertit Marinella ndërron veshjen, do të hiqte fustanin e bardhë, me të cilin dukej si një pëllumbeshë, dhe do të vishte një fustan të zi, në përshtatje me melankolinë e këngëve pasuese. Për të mbuluar këtë pauzë, i thotë Jorgos, nipit të dëshmorit tonë Misto Mame, të interpretoja një solo me fizarmonikë. U ndodha i vetëm përballë sallës të mbushur plot me entuziastë dhe pasionantë të asaj muzike magjepse. Vallë do të arrija ta mbaja atmosferën ndezur, apo do të dobësohej emocioni! Sa mbarova interpretimin hyn Marinella dhe më kap për dore, i drejtohet publikut: “Një duartrokite për artistin e talentuar nga Shqipëria”! Këtu u mpiva fare, mes shpërblimit dashamirës të publikut, më dukej vetja shumë i vogël për vlerësime të tilla nga vetë Marinella, vazhdoja ende të isha në ëndërr, sepse në orkestrën e saj bënin pjesë mjeshtërit e Greqisë. Kishte orkestrantë edhe nga Moska, nga Gjermania (një muzikante me harpë), nga Bukureshti dhe Meksika.

Ishte një ëndërr që vazhdoi 5 vjet, më duhej shumë kohë për të dalë nga kjo ëndërr.

KONCERTET NE LAS VEGAS

Edhe gjatë vizitave në shtëpinë e saj, edhe gjatë pushime në turne, tregonte kujtime gjatë koncerteve në Las Vegas dhe vende të tjera të botës. Me emocion tregonte për koncertet në Shqipëri, megjithëse në koncertin e parë “nuk më pritën mirë”, kujtonte me keqardhje: “Disa njerëz në Tiranë tentuan të dilnin nga salla, s’më kishte ndodhur asnjëherë kjo gjë. Të nesërmen ndryshoi situata, salla jo vetëm që ishte plot, por ovacionet ishin shpërthyese, sikundër ndodh me spektatorë të qytetëruar që e vlerësojnë artin. Më vonë mora vesh se udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha kishte ndikuar për këtë situatë të pazakontë edhe me artistë shqiptarë dhe të huaj. Ai ka shkruar edhe për mua në librin “Dy popuj miq”. ma sollën librin dhe e lexova me kureshtje. E vlerësova konsideratën e tij, jo vetëm për mua, por edhe për artin dhe filozofinë greke.”

Në Gjirokastër i kishte pëlqyer shumë arkitektonika, pastërtia dhe pritja shumë dashamirëse. E konsideronte një mrekulli perëndimin e diellit në Gjirokastër, sikur “fshihet prapa malit” thoshte. Një ngjarje që e tregonte me shumë emocion, ishte takimi me një prind, i cili me vajzën një vjeçare në dorë, i kërkonte ta bekonte se i kishte vënë emrin Marinella. “U emocionova – kujtonte Marinella – por akoma më shumë u emocionova pas 17 vjetësh, kur Marinella e rritur, një vajzë e hijshme, e bukur, vjen në Athinë për të më takuar. Emocioni shkonte deri në mallëngjim.”

Me shumë nostalgji Marinella kujtonte koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Athinë. Kishte shkuar me shumë dashamirësi për ta parë. E vlerësonte shumë artin popullor shqiptar: “Një art i larmishëm, origjinal, plot bukuri dhe thjeshtësi, plot emocione”, shprehej Marinella. Veçanërisht vlerësonte Vaçe Zelën, për të cilën kishte një adhurim të madh. “Zëri i saj i plotë, i fuqishëm, tretur epikja dhe lirikja aq natyrshëm, si rrallëkush këngëtare tjetër… Meqenëse vend i mbyllur, çuditërisht Shqipëria kishte një kulturë muzikore shumë të zhvilluar”!

“Ndjehesha i lumturuar – më tregon Agroni – kur ajo, artiste famëmadhe, e donte kulturën shqiptare, më dukej se diçka fitoja edhe unë nga prestigji i asaj kulture. Në shtëpinë e Marinellës do të isha me bashkëshorten në festat e saj, na respektonte dhe na prezantonte me shumë aktorë e këngëtarë grekë. Më kujtohen veç të tjerëve, kritiku i famshëm i teatrit, Floridhi dhe gruaja e tij, Katia Vabdulaqi, këngëtarët Jorgo Kacaro, Jorgo Haxhinasio etj. Ishte Njeri me shkronjë të madhe, më mbante afër si fëmijën e saj. Më këshillonte vazhdimisht për shumë gjera, që të mos hyja në rrugën e keqe të disa instrumentistëve, me cigare dhe alkool. Komunikonte aq lirshëm me mua dhe bashkëshorten time, sa ndjeheshim si të shtëpisë.

Syri.net