Kush ishte Veziri i Madh nga Topojani

Lexuar 2450 here




Sinan Pashë Topojani, i njohur edhe si Sinan Pasha i Madh, ishte shtetar, ushtarak, dhe drejtues politik i shquar i Perandorisë Osmane gjatë shekullit XVI, i cili shërbeu për më shumë se tetë vite, në pesë mandate të shkëputura, si Vezir i Madh (Kryeministër) i perandorisë, nën sundimin e Muratit III, dhe Mehmetit III.

Lindi në vitin 1506, në fshatin Topojan të Kukësit. Familja e tij ishin katolikë, por u kthyen në myslimanë, pasi Sinani bashkë me të vëllanë Ajazin, që kishin ndërruar fe me kohë, në mënyrë që të ngjisnin shkallët e administratës osmane, e bindën edhe të atin, Aliun, të bënte të njëjtën gjë. Aliu kishte tre djem, Ajazin, Sinanin, Hysenin, dhe një vajzë. As emri i parë i Sinanit, dhe as mbiemri i familjes nuk dihen. Siç ishte zakoni në shtetin osman, zyrtarët merrnin për llagap, emrin e vendlindjes së tyre (Ali Pashë Tepelena, Ibrahim Pargaliu, familja Vlora, etj.), e kësisoj Sinani u njoh gjithmonë me mbiemrin Topojani.

Familja e tij ishte me emër në Topojan, kjo për shkak se Ajazi, vëllai i tij i madh, ndodhej në pozitën e bejlerbegut (kryetar) të Erzurumit. Ai ia doli ta merrte Sinanin në Stamboll, diku nga mosha 12-vjeçare, i dha një shkollim të mirë e të plotë, dhe nëpërmjet lidhjeve të tij, e futi në pallatin perandorak, nga ku Sinani do të niste edhe karrierën e lavdishme. Ajazi më vonë, në 1558, do të ekzekutohej me vendim të Selimit II, pasi ndihmoi pretendentin tjetër të fronit, Bajazitin, të arratisej, kur i dështoi kryengritja.

Fillimet e Sinanit, kuptohet ishin pak më modeste. Kreu detyra të vogla në pallat, dhe në kohën e Sulejmanit të Madhërishëm, u caktua shef kuzhine i pallatit. Hap pas hapi, brenda një periudhe të shkurtër u ngjit në pozitën e interpretuesit të ligjeve. Prej aty u emërua sanxhakbej (drejtues i krahinës/provincës) në Malatia, Kastamonu, Gaza, Tripoli, Erzurum, dhe në fund në Alepo.

Karriera e vërtetë e Sinan Topojanit nis më 1567 kur emërohet vali (guvernator) i Egjiptit, nga ku katër vite më vonë, më 1571, me forca të shumta, hyn në Mekë, e më pas sulmon dhe pushton Jemenin kryengritës, që do ishte dhe fitorja më e madhe e tij. Fillimisht kjo fushatë i ishte caktuar Lala Mustafa Pashës, por ai po tregohej tepër i ngadaltë, prandaj Sinani përfitoi nga mundësia, dhe e kreu vetë detyrën. Aq e rëndësishme ishte kjo fitore për Portën e Lartë, sa Sinanit iu bë një pritje prej heroi në Stamboll, dhe iu dha titulli Gazi (Kryekomandant). Ai filloi tashmë të njihej me nofkën Pushtuesi i Jemenit. Për shkak të këtij suksesi të madh, u emërua vezir i shtatë në Divanin Sulltanor (ministër në këshill) në vitin 1573, dhe një vit më vonë iu dha komanda e operacionit për marrjen e Tunizisë nga spanjollët, të cilën e kreu me sukses të plotë së bashku me kapedanin legjendar Këllëç Ali Pashën. Ky sukses veç sa e ngjiti edhe më lart, pasi u emërua vezir i katërt në Divan. Në 1579, e caktojnë komandant në frontin e Persisë, dhe më 31 Korrik 1580, emërohet për herë të parë, Vezir i Madh.

Mandati i parë i tij u dominua nga lufta e Gjeorgjisë, dhe përplasjet me haremin dhe nënën sulltaneshë, Nurbanu Sulltanen. Sinani ankohej për fuqinë e haremit, dhe thoshte se pushteti i vërtetë ishte jo në duart e Nurbanusë, por të Sulltaneshë Safijes, gruas së Mehmetit III. Megjithëse fillimisht pati sukses në Gjeorgji, fatet e luftës shpejt iu kthyen kundër, dhe kaq iu desh Nurbanu Sulltanes që ta largonte nga detyra më 1582, dhe ta caktonte në Mallgarën periferike. Duhet thënë se gjatë këtyre arritjeve të tij Sinan Pasha, veç përplasjes me Nurbanunë, kishte krijuar edhe një armiqësi të madhe me dy kryevezirë të tjerë, Lala Mustafa Pashën, dhëndërr i Sulltanit, dhe me Ferhat Pashë Topojanin, të cilin e kishte nip.
Sinan Pasha kishte vënë pasuri të madhe, të cilën e përdori për të dhënë rryshfete të shumta në pallat, në veçanti në harem. Rryshfetet dhanë fryte, pasi në 1586, e caktuan vali të Damaskut. Tashmë rikthimi i tij në Stamboll u bë edhe më i afërt, sepse pasi shtypi një kryengritje të jeniçerëve, u emërua Vezir i Madh për herë të dytë, më 14 Prill 1589.

Në këtë mandat të dytë, ai u përfshi në përplasjet për fronin e Principatës së Vllahisë, midis Minea Turkitulit dhe Petro Kerkelit, ku mbështeti të parin duke i prerë kokën të dytit. Një tjetër kryengritje e jeniçerëve e hoqi nga detyra e kryevezirit më 1591, por do të rikthehej sërish më 28 Janar 1593.

Duke u ndjerë xheloz për sukseset e Ferhatit (i cili ishte arkitekti i traktatit të paqes me persët), Sinani e bindi Muratin III që të riniste luftën me Habsburgët. Ishte një periudhë krize ekonomike për perandorinë, prandaj ai e financoi luftën me paratë e veta, dhe i nxiti edhe vezirët e tjerë që të bënin të njëjtën gjë. Ai sulmoi Vllahinë që kishte ngritur krye, dhe pushtoi Beogradin. Serbët nuk po bindeshin, prandaj Pashai urdhëroi zhvarrosjen e eshtrave të Shën Savës, pajtorit të Serbisë, dhe i bëri shkrumb e hi. Megjithatë menjëherë pas ngjitjes në fron të Mehmetit III, në 1595, ai u shkarkua dhe u zëvëndësua me Ferhatin, për shkak të humbjeve të rënda në frontin hungarez, por u rikthye sërish në pozitë, po atë vit, më 7 Korrik, që të drejtonte ekspeditën kundër princit të Vllahisë, Mihajl Guximtarit.

Kundërshtarit të tij kryesor, Ferhat Pashës, iu pre koka pa shumë bujë, dhe Sinani caktoi të birin Mehmetin, drejtues të ushtrisë në betejën e Kalugarenit kundër Mihajlit. Por Mehmeti u shpartallua (në një betejë ku Sinani për pak sa nuk la kokën e vet), dhe Sinanit i dolën probleme të tjera më të mëdha me Habsburgët, prandaj në nëntor u shkarkua sërish. Si në një skenar filmash, pasardhësi i tij Lala Mehmed Pasha vdiq në krye të tre ditëve, gjë që e detyroi Sulltanin, ta rikthente edhe një herë të pestë Sinan Pashën në postin e Vezirit të Madh, më datë 1 Dhjetor. Sinan Pashë Topojani vdiq qetësisht, në detyrë, në moshën 90 vjeçare, më 3 Prill 1596. Është i varrosur në një tyrbe me emrin e tij, në Stamboll, në rrugën e Jeniçerëve, shumë pranë Pazarit të Madh.Tyrbja ku është varrosur, dhe medreseja e ndërtuar prej tij

Sinan Pasha ishte një politikan, ushtarak, dhe shtetar i madh, por i ftohtë dhe i pamëshirshëm. Kundërshtarët e akuzuan si një njeri të egër, që përdorte metodat më të pandershme për të ngjitur pozitat dhe për të arritur synimet e tij, që nuk e kuptonte letërsinë dhe nuk i donte akademikët (ndonëse paradoksalisht e quanin njeri të kulturës, dhe në fondin e tij u gjetën me qindra libra), dhe mbi të gjitha si një njeri i pashpirt, pasi çoi në duart e xhelatit Ferhat Pashën që e kishte nip. Vazhdimisht akuzohej për nepotizëm, ngase mbante afër dhe caktonte në poste të rëndësishme vetëm shqiptarët, duke anashkaluar kombësitë e tjera të perandorisë, dhe pati edhe akuza për korrupsion, që sollën konfiskimin e gjithë pasurisë së tij, pas vdekjes.

Por të tjerët, e në veçanti historianët e kanë parë me më tepër admirim. Historiani rumun Nikolla Jorga e cilësoi si i fundit i të mëdhenjve të Perandorisë Osmane, kurse orientialisti austriak Jozef Hamer e krahasoi me Mariusin e Romës së lashtë, për shkak të sukseseve të tij ushtarake, guximit, dhe natyrës së ashpër.

Ai ndërtoi shumë qendra bamirëse, xhami, dhe medrese, anekënd Perandorisë, në Selanik, Beograd, Stamboll, por mbahet mend veçanërisht për kalanë e Kaçanikut, dhe Vilën e Librit në Stamboll (tashmë e rrënuar), të cilën ia dhuroi sulltan Muratit III.

Është kthyer në një sport kombëtar, mania për të gjetur figura të mëdha shqiptare, pavarësisht se nuk kanë lënë ndonjë trashëgimi të veçantë në atdhe, madje në të kundërt edhe e kanë rrënuar shpesh herë atë, por Sinan Pashë Topojani gjatë gjithë jetës vërtetoi që nuk e kish harruar vendlindjen e tij, dhe për më tepër mbajti lidhje të vazhdueshme me të. Gjatë kohës që ishte vali i Damaskut, ai i nisi një kërkesë sulltanit, ku i kërkonte që të përjashtonte nga taksat, krahinën e Lumës, prej nga ishte vetë. Në Mars të 1586, Sulltan Murati III, ia plotësoi kërkesën, me këtë dekret të veçantë:

“Ish Veziri im i Madh e tani i ngarkuar nga ana ime Vali i elajetit të Damaskut, Sinan Pasha, me qëllim që të bëjë një vepër të mirë, katundet e veta Çajla (Çaja) që çdo vit sjell 6000 akçe, Flura (?) që sjell 4000 akçe, Topojani që sjell 5000 akçe, Kalisi me 8000 akçe, Beleshqa (?), të cilën e ka blerë nga spahiu Lutfi, me të ardhura prej 3000 akçesh, i ka falur për jetë të jetës rajës (popullit) së këtyre katundeve të gjitha bjeshkët, malet, kullotat, arat, kopshtet. Për të vërtetuar këtë, lëshoj këtë ferman dhe urdhëroj që askush të mos guxojë të marrë nga katundet e lartpërmendura as të ardhura toke, as të ardhura për dele, domethënë kurrfarë tatimi a detyrimi tjetër nga toka, e cila tani kalon në zotërimin e tyre.”

Fermani mbeti në fuqi deri në fund të perandorisë, dhe kuksianët mburreshin se kishin lidhje të veçanta me mbretër e pashallarë.
Përveç kësaj, Sinan Pasha mbeti një figurë mjaft e nderuar në Kukës, edhe për shkak të ndërtimit të disa urave, ku dallonin Ura e Djallit në Grykën e Vanave, dhe ura me emrin e tij, në Topojan. Në një vend pranë kësaj ure, besohej se ndodhej varri i tij, dhe njerëzit shkonin aty për pelegrinazh, pasi e trajtonin si vend të shenjtë.

Nga Bledar Bruka