JO TË GJITHË GARAT DUHET TË VDESIN

Lexuar 1408 here




nga Azem Parllaku
Po të kishte ndodhur, që ky grup vajzash të gjendej vetëm si spektatore në një pasarelë promovuese, me siguri që kjo fotografi do të realizohej, më ndryshe ende! E falenderoj administratorin e “Novosej Vendlindja”, mbasi në murin e tij e gjeta këtë foto, e cila u bë shkak për këtë përcjellje, të cilën e shoh të arsyeshme se duhesh bërë. Anasjelltas, pro, apo kundër, mesazhi që transmeton kjo fotografi nuk është aq blu sa ç’duket! Ndoshta…! Në mënyrën se si lexohet mesazhi në këtë fotografi, duket sikur lëvizjet e natyrës dhe çastet e ndryshme kyçe të ekzistencës njerëzore, zbulojnë se deri në ç’pikë mbërrin kjo simbolikë e harmonizuar, e cila në mënyrë “jo të kamufluar”, na qaset si një version bashkëkohor, i kujtimit të një modeli klasik. Si unë, e cilido nga ne, besoj se e ka të lexuar atë “Pantomimia e frikshme e bronzit”. Konteksti në të cilin e ka shkruajtur Ismail Kadare, ka të bëjë me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. E kur e kam lexuar atë, në fund të njërës nga faqet, “jo si fusnotë”, kisha shënuar “…Ne jemi popull që jemi rritur në shalë të kalit…” Interesante…! Ky grup vajzash, si “frymë e materializuar”, duket se është natyralizuar pa asnjë kundërshti në atë terrenin alpin, ku kali është simboli i forcës, besnikërisë dhe vlerës. Por dikush nga Ju, me të drejtë po pyet? Çfarë hyn në punë kali këtu! Atëherë më duhet të bëj një sqarim shumë shkurt; Është Pegasi ose siç njihet ndryshe “Kali i muzave”, ose “Kali me krahë”, ai që ka hyrë në lojë…! Përtej atij mesazhi spontan, ka të ngjarë që këto vajza, në mënyrë të stërholluar sapo kanë tentuar dhe përcjellin, atë çfarë “qortojnë” si sfidante, e që unë sapo e thashë “Jo të gjithë garat duhet të vdesin…” Nuk më shkon nëpërmend, që ndonjë nga kryeredaktorët e të printuarave të sportit, të ishte kaq indiferent, nëse kjo fotografi do të kishte mbrritur në postën e tij elektronike. Pak e çuditshme, por jo kryekput “naive”! “…Një ekip femrash me veshje popullore kërkon të sfidojë në pistën e skive…” Ky do të vlente si “stand up” i mirë për reporterin që do të merrej me këtë “histori vajzash” A vlen të ndalojmë për të kujtuar dhe ne diçka?! Ndoshta jo të gjithë vajzat që kanë pozuar këtu, janë të afta për një ulje të lirë në pistën e skive. Por pasioni për këtë mundësi duket se është një nga motivet e tyre. E ky motiv, mund të jetë shnderruar dhe në një nga pasionet, që stina e dimrit ofron në pllajat me dëborë aty në Shishtavec dhe Novosej. Ky lloj pasioni nuk është thjesht argëtim, përkundër ai është një lloj gare në të cilën si ekip të duhet të harmonizohesh, më tutje si komunitet të duhet të jesh dashamirës dhe të përkujdesesh. Pak para do kohe, u njoha me një inisiativë të një grupi emigrantësh të zonës, të cilët mundësuan sjelljen nga Sllovenia të një makinerie për shtrimin e një piste për ski, kjo në kuadër të organizimit të kampionatit lokal në këtë lloj sporti. Ndërkohë, pushteti vendor edhe ai ishte angazhuar në mbarëvajtjen e aktivitetit. Sigurisht, që ky lloj sporti është masiv dhe i pëlqyer këtu. Skiatorët e Shishtavecit dhe ato të Novosejt, e kanë përfaqësuar denjësisht ekipin e Kukësit, e ekipin Kombëtar në garat kombëtare e ato ndërkombëtare. Pasioni për këtë lloj sporti, duhet thënë që ende nuk është shuar, përkundër mjaft prej brezit të ri po evidentohen si sportistë të talentuar. Pllajat alpine këtu, ofrojnë mundësi të pafundme për të ndërtuar pistat e skive për çdo grupmoshë, apo garë. Por pyetja lind me të drejtë! Çfarë është bërë konkretisht, përpos atyre nismave të komunitetit këtu? Asgjë! Kjo vlen si përgjigje, po të kemi parasysh përkujdesjen që shteti, apo instutucionet që monitorojnë e inkurajojnë këtë lloj sporti duhet të kishin dhënë e të japin. Stimulimi dhe promovimi i këtij lloj sporti, vazhdon të mbetet në kuotat për të dëshiruar. Me gishtat e dorës numrohen kilometrat që të çojnë prej këtyre pllajave në pllajat e Sharrit, ku Kosova dhe Maqedonia, këtë lloj sporti e kanë zhvilluar përpos të tjerave dhe si një mundësi për paketën e turizmit dimëror. Mungesa të tilla si; një strategji e plotë për këtë lloj sporti, infrastruktura rrugore, mbështetja e invesitorëve që promovojnë këtë lloj sporti të harmonizuar me atë të turizmit dimëror, kompletimi i qendrës të skive me të gjitha nevojat, e plot mungesa të tjera, e justifikojnë atë “protestën në celuloid” të vajzave “…Ky sport duhet mbajtur gjallë…”