Sahit Gega: Brekijasi që matej me zemër

Lexuar 1878 here




I dekoruar "Për veprimtari patriotike" dhe Dëshmor Atdhetar, Sahit Gega, (1826-1877) shkëlqen bukur në gjerdanin e luftëtarëve të Lumës. Ai lindi në fshatin Brekijë, teksa në rini, ashtu sikurse babai i tij Arifi, është marrë me blegtori dhe kurbet.

Ka qenë një burrë me trup të shkurtër, leshverdhë, i shkathët, besnik dhe i prerë. Dallohej ndër shokë për inisiativën dhe guximin e tij. Këto ishin dhe cilësitë që e shquan në luftën e Prekupjes, Nishit, Vranjës e Kushumlies. Atje në fushëbetejë u evidentua si luftëtar i devotshëm, e si organizator i mirë. Atje kishte treguar se burri nuk matej me pëllëmbë, por me zemër.

Në kulmin e ashpërsimit të luftës në rrethinat e Nishit, kur vikati shoku i tij i armëve Jup Topojani, atëherë Sahit Gega vringëllon armët, dhe hipur në kalin gjok, sulmon me guxim pozicionet e topave të kundërshtarve serb.

Mbi top, këtë akt trimëror e të veçantë e përjetësojnë episodet dhe vargjet e këngës;
Sahit Gega me kalin gjok,
ban irish e drejtë e në top...

Atje në Fushë-Kosovë, gurët e varrit të Sahit Gegës me shokë, japin dritë dhe flasin shumë dhe përgjithmonë, për sakrificat e bashkëvendasve tanë, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës shqiptare.

Në kujtesën e fisit Aliaj dhe të gjithë brekijasve, Sahit Gega, është gjithmonë i gjallë. Heroizmi i tij i njohur është pasuar nga luftëtarët Jemin Alia, Hamdi Zyberi, Avdil Myrta, Shaqir Hasa, etj, të cilët vite më vonë, luftuan duke rënë Dëshmorë në luftë me serbët.

Në kujtim të tij, shkolla 9-vjeçare Brekijë, ku lindi e kaloi fëmijërinë, mban emrin "Sahit Gega"

Ky informacion u përshtat nga libri "Jehona e Topojanit" i autorit Naim Manaj