Dr.Milidin BAKALLI: Novosejasi që Biokiminë mjekësore i'a dedikon babait

Lexuar 2129 here




nga Azem PARLLAKU
Nobelisti zvicerian, Jacques Dubochet, i cili të mërkurën u nderua me mirënjohjen më të rëndësishme në fushën e kimisë, duke folur me gazetarët u tha atyre: "Shkenctari është dikush që e pranon natyrën si mjeshtër. Njëherë ai pa diellin duke u zhdukur në horizont dhe shkoi në biblotekë për të zbuluar se, ku mbeti dielli". Sigurisht që, Dubochet, po fliste për njeriun brenda të cilit lind kureshtja e pashuar për shkencën, një kureshtje që nuk e braktisë kurrë.

Ka qenë një sfidë e shumëfishtë për djaloshin nga Novosej, Milidin Bakalli, synimi për të qenë Doktor në Bioteknologjinë Bimore. I rritur mes mureve të laboratorit, Milidini, i është përkushtuar Biologji-Kimisë, që nga viti 2003, koha kur dhe është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore. Edhe sikur të bëhej mjek, prapë është i bindur se, do të ishte përfshirë emocionalisht në këtë profesion, por kurrësesi nuk do t'i pëlqente.

Është vëllai i tij, Mirdash Bakalli, i cili sot ka bërë historinë e suksesit si udhëheqës shkencor në Universitetet më prestigjoze të Zvicrës dhe në Amerikë, modeli që, Milidinin e ka bërë për vete. Përgjithësisht sot, flitet me bollëk për ata njerëz që kanë pasur, apo kanë dështime në karrierën e tyre profesionale. Shumë më pak flitet për ata individë të cilët, mësohen të rriten, duke e kombinuar atë mjeshtërisht me suksesin. Standardi ku duhet të mbahen dy vëllezërit Bakalli, duhet të jetë i lartë, ndërsa ata janë modest.

Ndërsa, Mirdashi, vjen shumë rrallë në Tiranë, Milidini thotë se edhe ai e gjen me pakicë kohën, mbasi është një "mi laboratori", një kërkues i lidhur ngushtësisht me profesionin dhe shkencën. Milidini, i përket atij brezi të studentëve, që nuk është rritur me kompjuter në shtëpinë e tij, e megjithatë, mbërrin në moshën universitare me rezultate të shkëlqyera.

I lindur në vitin 1981 djalë në një familje të madhe, Milidini, e ka vuajtur situatën e vështirë. Nëna e tij sakrifikoi shumë për t'a shkolluar atë njëlloj si, Mirdashin, djalë më të madh. Ajo ishte një periudhë në të cilën Shqipëria kishte filluar të hapej. Por, në vend të rrugëve të emigrimit, Nëna e Milidinit, zgjodhi shkollimin për djemtë e saj, ndonëse Jakupin babain e të dy vllezërve vdekja e kishte marrë shpejtë. Vëllezërit zgjodhën një fushë studimi jo të lehtë. Zgjedhja i'a ka vlejtur.

Në fakultet, Milidini, nuk zhvilloi vetëm aftësitë në shkencën e bio-kimisë, por edhe një prespektivë më të gjerë kulturore, shumë më shumë se shumica e miqve të tij të fëmijërisë. Kjo vazhdoi përgjatë viteve kur ai ishte në fakultet, nga ku menjëherë fiton vendin e punës në Laboratorin Qëndror të Forcave të Armatosura, fillimisht si Shef Seksioni i Analizave të Mjeteve Mbrojtëse Kundrakimike, më vonë Shef Seksioni i Analizave të Ushqimeve,Veshmbathjes e Karburant-Lubrifikantëve, derisa nga ky institucion i rëndësishëm i Sigurisë Kombëtare, largohet si Përgjegjës i Laboratorit të Analizave Mikrobiologjike dhe Intendencës.

Përgjatë asaj periudhe, Milidini, spikat si kërkues shkencor, dhe bëhet pjesëmarrës në disa Konferenca Ndërkombëtare në fushën e Sigurisë, ku Shqipëria dërgonte ekspertët e saj, në kuadër të Partneritetit për Paqe dhe NATO-s. Në ndërkohë po përgjatë kësaj periudhe fiton titullin Master në Biologji me drejtim Mikrobiologji-Bioteknolgji, dhe punon si Lektori i Jashtëm në Universitetin "Vitrina" për lëndët Biologji, Kimi dhe Botanikë.

Por, Milidini, ka plane të tjera, dhe që prej vitit 2014 e vazhdim është ?Lektor për lëndët Biologji, Mikrobiologji, Biokimi, Shëndet Mjedisor pranë Departamentit të Mjekësisë, Fakulteti i Studimeve Profesionale, në Universitetin "Aleksandër Moisiu" Durrës. Autor i botimit "Biokimia mjekësore", të cilën thotë se u'a  ka dedikuar prindërve të tij, në veçanti babait, Milidin Bakalli, nuk gjen asnjë arsye përse të mos jetë, pjesmarrës në borde për organizime konferencash apo borde editorial. Specializant në më shumë se dhjetë trajnime në Universitetet më me zë të Europës, ai është bashkëautorë i gjashtëmbëdhjetë botimeve shkencore dhe ligjërues në dhjetra konferenca elitare të fushës, brenda dhe jashtë vendit.

Milidini është një karakter i thjeshtë, ai e sheh botën thjeshtë. Ai qëndron pozitiv dhe i vërtetë në karakterin e tij. I thjeshtë, por me energji, vendosmëri, tashmë e ka busullën e fortë morale që në mënyrë të pashmangshme e çon drejt suksesit.  Atij i pëlqen të thotë që, "Në qoftë se ju nuk hiqni dorë, ju ende keni një shans". Duke thënë kështu ai në fakt ka thënë se shpreson të qëndrojë përherë besnik i profesionit të tij.