Kuksianët i kërkojnë Qeverisë financimin e stadiumit të ri

Lexuar 3501 here




Klubi i Futbollit "Kukësi" kërkon nga Qeveria shqiptare ti financojë një impiant modern me 10 mijë vende. Në faqen zyrtare në facebook shkruhet se ka mbërritur projekti i bërë nga arkitektët e huaj, i cili është pëlqyer shumë dhe nga Presidenti i skuadrës, Safet Gjici.

"Projekti është i mirëstudiuar dhe ka ardhur me detaje. Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve. Ky impiant kap vlerën e 3.5 milion eurove dhe do të jetë padyshim ndër më modernët në Shqipëri" thuhet në faqen zyrtare të F.K. Kukësi.

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, miku i Kryeministrit Rama, i cili kandidoi edhe për deputet në këtë qark, është treguar i kujdesshëm për të mos artikuluar vetë kërkesën për 3.5 milionë euro, por e ka "vënë në gojën" e skuadrës, ku ndër të tjera thuhet: "Presidenti Gjici ka besim se ky projekt do të miratohet nga qeveria shqiptare. Ndërtimi i stadiumit është një e mirë për qytetin e Kukësit, pasi sjell një tjetër impakt në jetën dhe ekonominë e qytetarëve. Skuadra kampione e Shqipërisë e meriton një investim të tillë edhe për shkak të historisë që ka bërë këto vitet në futbollin shqiptar. Ky stadium mund t’i shërbejë mjaft mirë edhe vëllezërve tanë nga Kosova, që do t’i kenë dyert e hapura për zhvillimin e ndeshjeve në kompeticionet ndërkombëtare".

Tashmë pritet për tu parë nëse Kryeministri Rama do të shpërblejë Gjicin, i cili edhe pse u inevstua shumë e humbi garën për deputet në qarkun e Kukësit.

kallabak.com