Jo hidrocentrale në Turaj, Topojan, Novosej

Lexuar 1000 here




nga Azem PARLLAKU
Natyra dhe mjedisi janë krijimi i Zotit, ndaj për cilindo nga ne është detyrë t'a mbrojë krijimin. Ne duam t'a mbrojmë dhe t'ia dorëzojmë fëmijëve tanë një mjedis të padëmtuar. Për ne politika e mbrojtjes mjedisore përbën një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të Shqipërisë. Sipas pikëpamjes sonë, mbrojtja e mjedisit dhe avancimi ekonomik nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën. Veçanërisht në një zonë si kjo e cilësuar si një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës shqiptare. Është zona turistike më e vizituar në rrethin e Kukësit, madje nga më të vizituarat në gjithë veriun pas luginës së Valbonës. Jo HEC-et! Vetëm turizmi këtu do të përmirësojë ekonominë e banorëve, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën.

Për t'i thënë NDAL ndërtimit të hidrocentraleve në zonë duhet që:

1.Drejtuesit e Njësive Administrative, kryepleqtë e fshatrave Shishtavec, Novosej, Kollovoz, Shtrezë, Turaj, Xhaferaj, Topojan, Brekijë, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Kukës, duhet të depozitojnë një kallëzim penal për Kryeministrin si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, në lidhje me vendimin e miratuar në KKT në datë 2 shkurt 2018. Në pikën 3 të këtij vendimi shkruhet; Leje Ndërtimi për objektin: "Ndërtimi i hidrocentraleve "Zaje, "Turaj", "Xhaferraj", "Kollovoz" dhe "Novosej", në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit, Bashkia Kukës, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “Reka Energy” sh.p.k.

2.Të ngrihet një grup pune jo më shumë se 5-6 persona i cili duhet të formulojë dhe të shpërndajë një Peticion drejtuar Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Ministrit të Energjitikës, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, ambasadorëve të BE-së dhe SHBA, disa institucioneve të pavarura dhe shoqatave të cilat promovojnë dhe mbrojnë mjedisin.

3.Gjithkush nga ne duhet t'i bashkëngjitet listës në mbështetje të Peticionit duke nënshkruar vetëm mbasi ka deklaruar Nr.ID, atësinë, datëlindjen dhe Nr.telefonit.

4.Grupi i punës që do të formulojë Peticionin dhe aktivistët që do të mbledhin firmat do të përcaktojnë agendën e veprimtarive për ditët në vijim.

5.Është detyrë për çdo intelektual dhe aktivist të bashkëpunojë me mediat, për t'i dhënë sa më shumë jehonë këtij shqetësimi tonin dhe brezave që do të vijnë.

Ps.Në inbox të kallabak.com mirëpresim sygjerime shtesë.