Topojan-Shishtavec, peticion për anulimin e HEC-eve në lumenj

Lexuar 890 here




nga Azem PARLLAKU
Ndërtim i Hidrocentraleve Zajë, Turaj, Xhaferaj, Kollovoz, Novosej, në rrjedhën e përroit të Rekës dhe Shishtavecit Bashkia Kukës, shkelje flagrante të akteve dhe ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare. Banorët e zonës dhe komuniteti i të shpërngulurve dhe emigrantëve me origjinë nga kjo zone, kundër vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit
Pasi janë organizuar në katër protesta respektivisht në Novosej, Topojan, Kukës dhe së fundmi në Tiranë, komuniteti i banorëve të fshatrave të zonës Topojan-Shishtavec i janë drejtuar me anën e një peticioni Kryeministrit Edi Rama, ministrave Klosi, Gjiknuri, Ahmetaj, dhe bëjnë me dije Presidentin, Meta, Kryeparlamentarin, Ruçi, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Leskaj, Avokaten e Popullit, Ballanca, ambasadorët Vlahutin, Borchardt, Lu, deputetët Kodheli dhe Noka për; Anullimin e Projekt-Vendimit Nr.03, datë 02/02/2018 të Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Ndërtim i Hidrocentraleve Zajë, Turaj, Xhaferaj, Kollovoz, Novosej, në rrjedhën e përroit të Rekës dhe Shishtavecit Bashkia Kukës.

Në Peticion janë evidentuar të gjitha shkeljet flagrante të akteve dhe ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe është argumentuar pse banorët e zonës dhe komuniteti i të shpërngulurve dhe emigrantëve me origjinë nga kjo zonë e kundërshtojnë fuqishëm vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit. Peticionit të formuluar nga Grupi i punës anti-HEC-e, i është bashkëngjitur lista me nënshkrimet e banorëve dhe komunitetit të interesuar, të cilët e kundërshtojnë fuqishëm këtë vendim të padrejtë, i cili ka shkelur rëndë të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme, të mbrojtura dhe të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, legjislacioni në fuqi, dhe Aktet  Ndërkombëtare.

Në miratimin e këtij vendimi janë shkelur, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Është shkelur Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Është shkelur Karta e OKB-së. Është shkelur Rezoluta 1803 e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, datë 14 Dhjetor 1962 “Sovraniteti i Përhershëm i Popullit mbi Burimet Natyrore”.E sidomos, Neni 1, E drejta e sovranitetit të përhershëm të popullit mbi pasuritë dhe burimet natyrore duhet të ushtrohet në interes të zhvillimit kombëtar dhe të mirëqenies së popullsisë, Neni 7, Shkelja e të drejtave sovrane të popullit mbi pasuritë dhe burimet e tyre natyrore, bie ndesh me këtë rezolutë dhe me frymën dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Është shkelur Rezoluta 2200A e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, “Pakti ndërkombëtar lidhur me të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore”, miratuar nga Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara hyrë në fuqi me 3 Janar 1976, sidomos Neni 2, në të cilin thuhet: “Për t’ua arritur qëllimeve të tyre, të gjithë popujt mund të disponojnë lirisht pasuritë dhe burimet e tyre natyrore, në asnjë rast popullsia nuk mund të privohet nga mjetet e veta të jetesës”.

Është shkelur Ligji Nr.146/2014 Për njoftimin dhe konsultimin publik.Në tërësi procesi dhe procedurat e bëra nga autoritetet qeveritare janë në shkelje të plotë dhe flagrante të këtij ligji, madje janë kryer në konspiracion të plotë. Ligji Nr.81/2017 Për zonat e mbrojtura. Në bazë të VKM Nr.898 datë 21.12.2011 zona është shpallur “Park Natyror” si pjesë e ekosistemit natyror malor Korab-Koretnik. Zonës në fjalë do t’i shtohen edhe pesë HEC-e të reja, të cilat së bashku me HEC-et e Kanionit të Vanave, që nisën prodhimin e energjisë në vitin 2016, dënojnë me vdekje vendin më të vizituar të turizmit malor dhe atij ndërkufitar në Kukës.

Pasi i mallkoi HEC-et private të dhëna me koncesion nga paraardhësit, Edi Rama rifillon dhënien e lejeve për hidrocentralet private, të cilët janë kthyer në një kancer për të ardhmen e turizmit dhe në një barrë për liberalizimin e tregut të energjisë në vend. Leja për ndërtimin e HEC-eve private në Zajë, Turaj, Xhaferraj, Kollovoz dhe Novosej, në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit, është një vendim i cili definivisht shkatërron natyrën që Zoti u ka falur banorëve të kësaj ane.

Shqetësimi i banorëve të Topojanit, Kollovozit, Novosejt, Shishtavecit, etj, është rritur mjaftueshëm gjatë këtyre orëve. Në këtë Rezervat Natyror të Menaxhuar, rriten rret 46 specie të rëndësishme bimore të futura në listën e specieve të rrezikuara të vendeve të rëndësishme bimore të Shqipërisë. Grupi i vertebrorëve në zonën e Koretnik-Korabit përfaqesohet në tërësi nga 205 lloje. Grupi më frekuent është ai i shpendëve me 135 lloje, i ndjekur nga grupi i gjitarëve me 30 lloje.

Më pas vijojnë peshqit me 15 lloje, reptilët me 14 lloje dhe së fundi amfibët me 11 lloje. Ndër këta vertebrorë të paktën 74 lloje hyjnë në kategorinë e specieve të kërcënuara në shkallë kombëtare. Këtu bëjnë pjese 14 lloje reptilësh, 11 amfibë, 39 shpendë dhe 10 gjitarë. Objektet kulturore, fetare, historike brenda zonës janë një tjetër pasuri e madhe e cila i tërheq vizitorët nga e gjithë bota.

Zona dallohet jo vetëm për vlerat e spikatura natyrore por edhe për vlera unike të kulturës, historisë, veshjeve, banesave karakteristike, traditave e zakoneve që ruhen e transmetohen brez pas brezi.

Është shkelur Ligji Nr.10431 datë 09.06.2011 Për mbrojtjen e mjedisit, Ligj Nr.111/2012 Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, Ligji Nr.9587 datë 20.07.2006 i ndryshuar Për mbrojtjen e biodiversitetit, Ligji Nr.10006 datë 23.10.2008 Për mbrojtjen e faunës së egër. Në peticion thuhet se “Duke ju paraqitur shkelje kaq të rënda, ne si banorë të zonës dhe komuniteti i interesuar, ju bëjmë me dije se e kundërshtojmë fuqishëm vendimin e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit, sepse na është hequr e drejta  sovrane për burimet natyrore, privohemi nga sigurimi i mjeteve të jetesës, shkatërrohet zhvillimi i qëndrueshëm i zonës dhe mirëqenia sociale, shkatërrohet ekosistemi dhe biodiversiteti në zonë”.

Ky vendim do të sjellë si pasojë migrimin dhe emigrimin e detyrueshëm të banorëve, kjo në kundërshtim me vullnetin dhe të drejtën e tyre të garantuar në Kushtetutë për të zgjedhur lirisht vendbanimin dhe mënyrën e jetesës. Ne të gjithë kemi detyrimin të respektojmë me përpikëmëri kuadrin ligjor për bujqësinë, rregullimin e territorit, turizmit, trashëgiminë kulturore, qeverisjen vendore, dhe mbrojtjen mjedisore.

Duke konsideruar dhe arsyetuar Projekt-Vendimin Nr.03, datë 02/02/2018, të Këshillit Kombëtarë të Territorit për  miratimin e lejes së ndërtimit për objektin: “Ndërtimi  i Hidrocentraleve “Zaje” “Tujan”, “Xhaferaj”, “Kollovoz” “Novosej”, në rrjedhën e përroit të Rekës dhe të Shishtavecit Bashkia Kukës, plotësisht të padrejtë dhe haptazi në shkelje flagrante me aktet dhe ligjet e lartëpërmendura, bazuar në Nenin 48 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisës, kërkojmë të veproni sipas objektit të peticionit, shprehen banorët.

Babëzia dhe Barbarizmi ndaj natyrës dhe sidomos ndaj lumenjve e pyjeve e nisur që në Qeverinë Berisha, edhe pse ka qenë një premtim i Qeverisë Rama 1, jo vetëm që nuk është ndalur por po finalizohet me sukses pasi në çdo mbledhje të KKT-së po miratohen njëri pas tjetrit ndërtimi i HEC-eve të vegjël në çdo përrua të ngelur ende pa HEC-e.

Nën efektin e pseudo-reflektimit qeveritar për anulimin e HEC-eve të Osumit në fakt po tentohet të shpërqendrohet vëmendja e publikut pikërisht ndaj kësj babëzie që vazhdon të jetë ulur këmbëkryq sidomos në Zonat e Mbrojtura. Rasti më i fundit bën fjalë për lejimin e ndërtimit të 5 HEC-eve në Zonën e Mbrojtur “Korab-Koritnik” në lumin e Rekës, Kukës.

Sikur të mos mjaftonte shpopullimi i përmasave të një eksodi biblik i fshatrave Novosej, Shishtavec etj. për shkak të mungesës së një strategjie zhvillimi, ai pak komunitet i mbetur do të duhet të përballet edhe me mungesën ujit pas ndërtimit të këtyre HEC-eve dhe sidomos me shkatërrimin përfundimtar të mundësisë për një zhvillim ekonomik përmes turizmit në zonë.

Lejet e miratuara nga KKT tregojnë edhe njëherë se babëzia dhe barbaria jo vetëm që nuk është ndalur e penalizuar, përkundrazi në çdo rast stimulohet duke përshfaqur praktikat më të këqija sesi mund të menaxhohen të mirat publike natyrore për përfitimin e një rrethi shumë të ngushtë njerëzish. Natyra dhe mjedisi janë krijimi i Zotit, ndaj për cilindo nga ne është detyrë t’a mbrojë krijimin.

Ne duam t’a mbrojmë dhe t’ia dorëzojmë fëmijëve tanë një mjedis të padëmtuar. Për ne politika e mbrojtjes mjedisore përbën një pjesë të rëndësishme të zhvillimit të Shqipërisë. Sipas pikëpamjes sonë, mbrojtja e mjedisit dhe avancimi ekonomik nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën. Veçanërisht në një zonë si kjo e cilësuar si një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës shqiptare.

Është zona turistike më e vizituar në rrethin e Kukësit, madje nga më të vizituarat në gjithë veriun pas luginës së Valbonës. Jo HEC-et! Vetëm turizmi këtu do të  përmirësojë ekonominë e banorëve, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën.




shekulli.com.al