Vallja e Kukësit: Pasuri e shpirtit të ndjeshëm artistik

Lexuar 8626 here




nga Besim R CENGU
Deri në vitin 1993 “Vallja e Kukësit” është quajtur “Suita lumjane”. Mbi këtë material muzikor e koreografik kanë punuar muzikantë me zë Zef Gruda, Hamdi Gjana, Aleksandër Lalo, Pandi Bello, Alfred Kaçinari, Binak Elezi, Arben Sinani, Arben Bilali etj., koreografët Mirsat Hoxha dhe Ali Kingji, regjisorët Bilbil Hereni e Dashnor Zyberi… Secili prej tyre ka vënë nga një gur në këtë kala artistike, duke e ngritur cilësisht atë deri në kufijtë e përsosmërisë. Që në vitet 60 është luajtur dhe arritur cilësisht në planin muzikor prej kompozitorit Zef Gruda. Sidomos pas ngritjes dhe konsolidimit të orkestrës së temperuar ngritur mbi çiftelinë si instrumenti tradicional i Shqipërisë së veriut si dhe pipëzën, fyellin, daullen e instrumenta të tjerë tradicionalë. Janë publikuar me këtë orkestër krejtësisht specifike më shumë se 40 materiale muzikore. “Suita lumjane”, ky material muzikor është ndër më të arriturat. Është një renditje materialesh muzikore dhe motivesh vallesh nga më përfaqësueset. Karakteristikë është ritmi në rritje i saj, loja prefekte dhe shkathtësia e lëvizjeve të interpretuesve. Gjithsej “Suita Lumjane” zgjat 5 minuta e 30 sekonda.  Te ritmi, energjia e dinamizmi, qëndron sekreti që ky material muzikor, si pasuri shpirtërore e Krahinës së Lumës përballon me sukses shijet dhe konceptet artistike edhe aktualisht.
 
Në vitin 1993, Qendra e Kulturës e Kukësit u ftua në Festivalin e 33 të këngës në RTSH me një numër përshendetës. Mblodhëm Këshillin Artistik dhe menduam të paraqitemi me “Suitën Lumjane” dhe kështu bëmë. E konsultuam me udhëheqësin artistik të Festivalit në RTSH, maestro Zhani Cikon e stafin e tij dhe vendosëm së bashku kështu. Materiali muzikor u realizua nga muzikanti Arben Sinani me në qendër orkenstrën e temperuar të shoqëruar nga daullexhiu me renome kombëtare Xhemali Toçilla, Artist i Merituar dhe curlexhiu virtuoz Hisë Lapallari. Ajo ngjarje e madhe artistike kombëtare dhe loja profesionale e korrekte e orkestrës dhe valltarëve, tërhoqi vëmendjen e opinionit dhe profesionistëve. Njëherit ishte edhe arritje e vlerave artistike dhe estetike që kapërcin rrethet e mbyllura dhe synonte drejt një publiku edhe më të madh.

Para se të përfaqësoheshim në Festivalin e RTSH, paraqitjes së mirë në të gjithë komponentët i kishte paraprirë një përgaditje gati tre mujore, tetor, nëntor e dhjetor 1993 me intensitetin e plotë nga i gjithë stafi artistik e mbështetës, prej meje si drejtues institucioni, e deri te punëtori i skenës. Kompozitori i njohur Binak Elezi, kishte emigruar në Amerikë vetëm pak muaj më parë dhe punën e tij artistike e përmbushi me dinjitet muzikanti tjetër me i ri por shumë i përkushtuar, Arben Sinani. Si drejtues I Qendrës së Kulturës në Kukës, edhe sot e kësaj dite mbaj mend me ekzaktësi vijën melodike e ritmin e “Suitës lumjane” prej fillimit e deri në fund. Deri më sot nuk kam ndeshur në një material muzikor me një finale aq dinamike. Ndoshta jashtë edhe natyrës së ritmit të folklorit tonë që përgjithësisht karakterizohet nga ritmi i ngadaltë. Ky material artistik ka fillim festiv e të gëzueshëm dhe fund shumë emocional e të hareshëm me një aftësi magjike për të ndryshuar gjendjen e ekzekutuesve. Këtu mendoj qëndron edhe sekreti gjithnjë e në rritje i “Suitës lumjane” që sot quhet “Vallja e Kukësit”.
 
Është e udhës të theksojmë Vallet e Lumës, në përgjithësi shquhen për dinamizmin e tyre dhe brendinë plotkuptimore artistike. Mjafton të kujtojmë ‘Vallen e Shpatave” të pleqve të Kukësit apo “Kalloçojën” në të gjitha fazat e saj, “Vallen e Thuprës”, Vallen e Kaçakut”, “Vallen e Kosave” etj. Si rrallëkund, te vallja e Krahinës së Lumës, janë gërshtuar të gjithë zhanret e artit; loja koreografike, aktrimi, kënga. Loja valle e “Dhampirit me Lugatin” që luhet edhe sot në Rrafshen e Lumës (Shtiqën e Nangë) të kujton aktrimin në skenat madhështore shekspirjane, ndërsa aktorët (lojëtarët e valltarët) personazhe të atij niveli.

Në vjeshtën e vitit 1994, (shtator, tetor) Ansambli i Kukësit përfaqëson Shqipërinë në një festival ndërkombëtar folklorik, që u organizua në qytetin e Soçit në Rusi në kuadrin e veprimtarive të planifikuara nga Nisma e Detit të Zi. Në këtë festival folklorik merrnin pjesë 34 vende. Pas ndërprerjeve të marrëdhënieve në vitin 1960 me Bashkimin Sovjetik, ansambli ynë “çau akullin” i pari. Përpara publikut rus, përveç materialeve të tjera, “Suita lumjane”, paraqiti interes të madh, deri në kufijtë e bujës. Pas demonstrimit prefekt në skenën e teatrit të këtij qyteti, pothuajse të gjithë ansamblet pjesëmarrëse e luanin bashkë me artistët e valltarët tanë në rrugë e sheshe. Si duket u bënte përshtypje dinamizmi, që nxitej prej ritmit të shpejtë gjithnjë e në rritje. Në një farë mënyre, ato ditë në qytetin bregdetar të Soçit, Vallja e Kukësit, u shndërrua në një himn për të gjithë grupet artistike pjesëmarrëse në festivalin e Soçit. Për ato ditë të qëndrimit atje para se të hypnin në skenë artistë të vendeve pjesëmarrëse e kërcenin një herë Vallen e Kukësit nën ritmin e ekzekutimit shpërthyes të daulles e curles së çiftit të talentuar Toçilla-Lapallari.

Kur u kthyem nga turneu i Rusisë në Shqipëri, kudo dëgjohej Vallja e Kukësit. Në bare, dasma e gëzime të ndryshme. Prej asaj kohe e deri në ditët e sotme, ka kaluar një çerek shekulli dhe mrekullia është se tingujt e Valles së Kukësit ushtojnë gjithnjë e më fort, ndërsa ekzekutimi i saj kryesisht nga të rinjtë në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan e më tej është edhe më dinamik e mbresëlënës.