Varfëron dhe ndan, taksa që duhet refuzuar

Lexuar 587 here




nga Azem PARLLAKU
Mbi 150 automjete të sipërmarrjeve të Kosovës që kanë marrëdhënie biznesi me Shqipërinë, protestuan të mërkurën kundër vendosjes së taksës për kalimin e autostradës në territorin shqiptar, e cila për makinat e tonazhit të lartë shkon deri në 22.5 euro për një kalim. Ata kaluan kufirin mes dy vendeve pa ngarkesë, për t'u rithyer sërish bosh.

Sipërmarrësit thanë se kjo taksë është shumë e lartë dhe e bën të pamundur vazhdimin e biznesit me tregun shqiptar, duke i kërkuar qeverisë së Tiranës që t'a rishikojë në ulje taksën. Taksa e kalimit të autostradës u vendos pasi mirëmbajtja e këtij aksi rrugor dhe përfundimi i plotë i punimeve i'u dha me koncesion një konsorciumi sipërmarrësish shqiptarë. Taksa e "Rrugës së Kombit" është një taksë plotësisht e padrejtë, ndaj ajo duhet refuzuar nga çdo qytetar i Shqipërisë, nga çdo shofer, nga çdo pasagjer, tregtar mallrash dhe konsumator nga Shqipëria dhe Kosova. Taksa e Rrugës së Kombit është një diskriminim i papranueshëm dhe një masë që varfëron edhe më tej shqiptarët. Taksa e Rrugës së Kombit do t'i vendosë në karantinë, një pjesë të mirë të banorëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës.

Taksa e Rrugës së Kombit është taksë e re politike. Në historinë tonë shtetërore, por edhe atë botërore, një taksë po filloi të zbatohet është e pamundur të hiqet. Është e sigurtë që ajo do u shijojë edhe qeverive në vazhdim. Ndaj, sa nuk është vonë, duhet jo vetëm të protestohet por edhe të argumentohet saktë kërkesa për shfuqizimin e saj. Elementët financiarë, ekonomikë dhe njerëzorë të  kontratës janë dukshëm shkelës dhe të padrejtë, ndaj nuk do jetë e vështirë të fitohet edhe si gjyq, duke kërkuar që taksa për këtë rrugë të shfuqizohet, ose të paktën të jetë sa 1/20 e pagës ditore, sa ç'është kudo në vendet që e praktikojnë.

Me një llogaritje të thjeshtë kjo taksë duhet të jetë 50 lekë, ose maksimumi 100 lekë. Nëse Rruga e Kombit realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro, pa llogaritur taksën e re. Kjo shumë prej 13 milionë eurosh paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore, shtetas nga Kosova dhe biznese që tranzitojnë e eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro. Me 31 mars në orën 11:30, qytetarë nga Kukësi, Hasi e Malsia e Gjakovës do të protestojnë pasi tarifa prej 10 euro është tejet e lartë për nivelin ekonomik të zonës. Ndërkohë që çmimi real për të udhëtuar në "Rrugën e Kombit" duhej të ishte vetëm 1 euro.

Kuksianët banorë të qarkut më të varfër në Shqipëri, bëhen bashkë dhe ftojnë të gjithë shqiptarët të bashkohen në tubimin e ditës së shtunë për të kërkuar dënimin e dyshes Berisha-Basha që vodhën në ndërtimin e "Rrugës së Kombit" dhe për të kundërshtuar vjedhjen në taksim të miratuar nga qeveria Rama-Meta. Kjo taksë duhet refuzuar sepse: Vlera monetare e saj nuk i përgjigjet nivelit të pagave të shqiptarëve. Rruga është ndërtuar me të ardhura nga buxheti i shtetit, pra nuk është një rrugë fitimprurëse, e ndërtuar nga sipërmarrje private që në thelb kanë gjenerimin e të ardhurave prej investimit të tyre.

Brenda çmimit të naftës, qytetarët shqiptarë paguajnë 32 lekë taksë qarkullimi, që e bën çmimin e karburanteve më të shtrenjtin në Europë. Kjo taksë që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Ndërkaq qytetarët e Shqipërisë paguajnë për "Rrugën e Kombit" taksat që shkojnë për interesat e huasë mbi 300 milionë euro që u mor për ndërtimin e saj.

Udhëtarëve nga Kukësi, shqiptarëve të Kosovës dhe tregtarëve nga të dy shtetet, nuk u ofrohet asnjë rrugë alternative, dhe se rruga e vjetër nga Puka është thjeshtë një variant rruge, që nuk ka asnjë parametër për të qenë alternative. Kjo taksë është vendosur në heshtje të plotë, pa vënë në dijeni grupet e interesit, pa marrë parasysh çmimin e propozuar nga ekspertët, dhe pa e diskutuar me qytetarët. Rruga në fjalë është e papërfunduar, është më pak se 70 km dhe nuk paraqet siguri, teksa urat janë të papërfunduara, dhe kanë humbur jetën dhjetëra udhëtarë. Kjo rrugë bashkon kombin, bashkon bizneset shqiptare dhe rit zhvillimin ekonomik të Kombit Shqiptar.

Taksimi i kësaj arterie strategjike për Kombin tonë është Taksë antikombëtare. Taksa e Rrugës së Kombit u interson dy palëve: hajdutëve në politikën e Shqipërisë dhe Serbisë. Hajdutët bëjnë lekë, Serbia i do shqiptarët të ndarë. Taksa është, padyshim, kufi.10 euro pagesë për vajtje ardhje në rrugën e kombit zhveshën dy qeveritë shqiptare të Tiranës dhe Prishtinës nga pretendimet se po punojmë në mbledhje të përbashkëta të Qeverive për të përafruar dallimet në mes dy shteteve.

Ende më keq, tanimë kur Ministri i Infrastrukturës së Kosovës deklarohet se, nuk e ka ditur, teksa homologu i tij i Shqipërisë nuk i përgjigjet as me telefon. Por, çka kanë biseduar ministrat e infrastrukturës sa ishin bashkë në mbledhje të dy qeverive!? Apo u joshën kur Kryeministri i Shqipërisë lundroi në imagjinatën e vet dhe foli për President të përbashkët në mes të dy shteteve. Vendosja e tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë përbën një situatë paradoksale. 350 milionë euro në vit humbet ekonomia e Republikës së Shqipërisë nga vendosja e haraçit në Rrugën e Kombit. Me mijëra vetë mbeten të papunë. E gjithë kjo vetëm që të fitojë oligarkia dhe mafiozët e politikës.