OJ FUSHA E KORABIT: Pasthirrmë dhimbje, thirrje shprese

Lexuar 2162 here




nga Ermira B. Shehu
Jeta e banorëve të bashkësive blegtorale të krahinës së Kala e Dodës, ka udhëtuar midis dy të kundërtave, dhimbjes e kënaqësisë. Këto dy përjetime të njeriut, të formuluara që në lashtësi nga Aristoteli, në sentencën e njohur “Knaqësia e dhimbja janë shtysat më të mëdha të jetës shoqërore” kanë qenë “Thimos” siç e shpreh Platoni ose “Sedra” siç i thonë blegtorët e Kalasë Dodës, motivi që ata të mundin instiktin e mbijetesës për të krijuar atë sistem vlerash që kanë përcaktuar identitetin e tyre. Kjo“Sedër” që ka motivuar zhvillimet e jetës në Kala të Dodës, pasqyrohet mbrekullisht në këngën legjendë “Oj Fusha e Korabit”e cila këndohet, ndigjohet e shijohet në mjedise burrash e grashë, jo vtëm në fshatrat e kësaj krahine edhe pse kanë kaluar ndoshta mijra vjet.Që në vargun e parë, kënga fillon me pasthirrmën “Oj Fusha e Korabit”, duke e animizuar atë, duke i dhënë jetë, duke e bërë qënje të gjallë, pjesë të jetës së tyre. Po ku gjindet kjo fushë dhe ç’farë përfaqëson ajo për blegtorët e Kalasë Dodës, e në veçanti të fshatit Radomirë.

Mali i Korabit shënon lartësitë më të mëdha të vargmalit me të njejtin emër i cili fillon nga lugina e lumit Drini i Bardhë në veri e deri në grykën e lumit Radika në jug. Nga perëndimi lartësitë e vargmalit të Korabit zbresin në luginën e Drinit të Zi dhe nga lindja bashkëngjiten me lartësitë e maleve të Sharrit, kurse në pjesën jug-lindore, lartësitë e këtij vargmali zbresin në luginën e lumit Radika.Lartësitë e Malit të Korabit kurorëzohen me tri majat e tij më të larta, të cilat shënojnë edhe lartësitë më të mëdha të maleve shqiptare. Ato duken si tre alpinist që presin medaljet në përfundimin e garës së ngjitjes. Në qendër, duke shënuar edhe lartësinë më të madhe 2754m mbi nivelin e detit, qëndron maja e Korabit. Në verilindje të saj me 2725 m lartësi mbi nivelin e detit, qëndron maja Portat e Korabit, e cila është edhe maja më e bukur e këtyre lartësive dhe në jugëperëndim të lartësisë qëndrore, konkuron Maja e Moravës e ngjitur në lartësinë 2716 m mbi nivelin e detit. Kofiçenti i lartë i pjerrësisë me të cilin janë ngritur këto maja, ka sjell një reliev tepër të thyer e të ashpër, veçanërisht në mbulesën gëlqerore, duke formuar maja të mprehta të cilat rrëshqasin në hone e gremina të panumërta, por kanë krijuar edhe mrekulli natyrore nga më të bukurat, jo vetëm në vargmalin e Korabit, por edhe në të gjthë bukuritë natyrore të maleve shqipëtare, madje edhe atyre të Ballkanit.Një ndër këto mrekulli natyrore, madje më e mrekullueshmja e bjeshkëve të Korabit është Fusha e Korabit. Në lartësinë 1900 m mbi nivelin e detit, duke patur në juglindje fillimin e ngjitjes së majave të Korabit dhe në veriperendim kapërcimin pindarik në Rrafshit e Sorokolit, me një gjerësi mbi një km dhe gjatësi rreth katër km, verës mbuluar me qylimin e barit alpin, të quajtur fang dhe dimrit nën mantelin e bardhë të borës pesë mujorshe, mbretëron kjo kryezonjë e bjeshkëve të Korabit. Kjo govatë gjigande natyrore e cila fillon në Derzën e Korabit, aty ku shënon lartësia 1950 m mbi nivelin detit e deri në Kodrën e Staneve, një distancë rreth 2 km,emërtohet Rrafshja e Epër, e cila është edhe pjesa më e bukur e Fushës së Korabit. Në mesin e fushës, baraslarguar nga katër drejtimet e saj, me ujë si kristal, buron Gurra e saj me një prurje mbi 500 l/orë, një dhuratë tjetër kjo e Natyrës, që e banë qylimin e blertë të barit të lulëzuar, të duket përrallore.Kodra e Staneve e cila e ka marrë këtë emër pasi këtu vendosen stanet e deleve të Radomirës, në formën e një dige me lartësi rreth 10 m dhe gjerësi mbi 100 m, (është një bredashje morenike, e cila tregon edhe origjinën akullnajore të Fushës së Korabit) e ndanë atë në dy pjesë pothuajse të barabarta, Rrafshja e Epër dhe Rrafshja e Poshtëme. Edhe Rrafshja e Poshtëme vazhdon me të njëjtat përmasa deri në shkëmbenjt e Shpellave mbi Radomirë. Në dallim nga Rrafshja e Epër e Korabit, Rrafshja e Poshtëme ka një reliev më të alternuar me një zbritje graduale në drejtim të fshatit Radomirë.Identiteti i njeriut formohet në proçese historike dhe nuk mjaftojnë vetëm resurset natyrore, gjenetika apo origjina e banorëve. Zhvillimi arrihet nga njerzë të motivuar e të guximshëm që besojnë tek ky zhvillim më shumë se frika nga pasojat e veprimit të tyre.

Bjeshkët e Korabit ku janë vendosur e jetojnë banorët e 15 fshatrave historik të Kalasë Dodës, përveç bukurive natyrore, u dhuroi banorëve të këtyre krahinave edhe Delen Rudë, këtë mbarësi që begatoi jetën e këtyre banorëve jo vetëm nga ana ekonomike por edhe shpirtërore. Shtrirja e këtyre bjeshkëve në një reliev luginash e shpatesh akullnajore të mbuluara me qylimin e barit alpin që lulëzon në gjashtë muajt e verës si dhe me burimet e panumërta që freskojnë çdo pëllëmbë të saj, krjuan kushte tepër të favorshme që banorët e kësaj krahine të merreshin me mbarështimin e deles rudë.Shtegëtimi i blegtorisë për dimërim në zonat e ngrohta bregdetare, përbënte një nga aktivitetet jetike më të rëndësishme të banorëve të bashkësive blegtorale të Kalasë Dodës, nëpërmjet të cilit sigurohej ekzistenca e dhenëve, burimi kryesor i jetesës se këtyre banorëve. Deri në vitin 1912 banorët e bjeshkëve të Korabit, shtegëtimin e bagëtive e realizonin në kullotat e fushës së Selanikut, kurse në vitet pasardhëse me bllokimin e kësaj rruge, pasojë kjo e luftës së parë ballkanike dhe asaj botërore, blegtorët e Kalasë Dodës, filluan shtegëtimin e deleve në kullotat e bregdetit Adriatik dhe kryesisht në zonat Tiranë-Durrës dhe Lezhë-Shkodër.

Rugët dhe veprimet e përbashkëta të blegtorëve dhe përballimi i vështirësive duke ndihmuar njëri tjetrin, krijuan lidhje të sinqerta dhe të qëndrueshme të cilat reflektoheshin edhe në familjet e tyre, duke u kthyer në zakone tepër njerëzore e fisnike, të cilat do të quheshin “Zakonet e Dheut.”Ndër zakonet me vlera të veçanta dhe pothuajse unike në të gjitha trojet tona kombëtare, që u radhitë në vargun e traditave të banorëve të Dheut të Kalasë Dodës, është edhe pozita që mori gruaja në jetën e banorëve të kësaj krahine. Vetëm tek banorët e fshatrave të Dheut të Kalasë Dodës, “turpi më i madh për burrin është ngarkimi i gruas me barrë në shpinë” ku në fshatrat e malësisë është diçka normale, madje një detyrim për gruan. Vetë natyra e përpunimit të produkteve blegtorale, si të bylmetit, të përgatitjes së rrobave të shtrojes e të veshjeve, të cilat realizoheshin pothuaj krejtësisht me punimin e leshit të deles, si dhe kujdesi për familjen, e vinin gruan në punë që përcaktonin statusin e saj, jo si robinë, siç shprehet dikush që nuk e njeh jetën, traditën e vlerat e saj, në këtë krahinë, por si bijë në familjen e babës dhe si bashkëshorte, si nënë e si zonjë shtëpie në familjen e burrit.Dhimbjet fizike e shpirtërore që u sillte blegëtorve, shtegtimi i bagëtive ishte një dramë e vërtetë në jetën e tyre. Ajo përfshinte ndarjen, hidhërimin, mallin, por edhe kthimin, gëzimin, emocionet e pritjes për më të dashurit e tyre.

Gjashtë muajt e dimrit, ata, e kalonin jetën të ndarë nga familjet e tyre duke përballuar vështirësi të panumërta fizike e shpirtërore. Peshë të madhe të kësaj dhimbje, përjetonin gratë e këtyre blegëtorëve, të cilat, poeti anonim, me vargje brilante i përshkruan në këngën “Oj fusha e Korabit”, teksti i së cilës nuk është vetëm një poezi por është edhe një tablo epike me një dramë të pa shprehur, por lirisht të nënkuptuar. Që në vargjet e para të këngës, me pasthirmën “Oj Fusha e Korabit / Taj na erdhe hakit, / Taj na dave shtratit”, animizohet Fusha e Korabit, i jepet jetë asaj, se vetëm duke i dhënë shpirt ajo do të ndjente peshën e madhe të dhimbjes që u kishte shkaktuar. Në një vështrim të përciptë, ndarja nga shtrati, nuk duket se mund të jetë aq e dhimbëshme sa të fajsonin Fushën e Korabit, këtë mrekulli, me të cilën ishte lidhur jeta e tyre. Po, a nuk ngjajnë vargjet e kësaj kënge me vargjet e Shekspirit në Tragjedinë e Makbethit, ku e fajson atë për mëkatin më të madh që kishte bërë: “Makbethi vrau gjumin, vrau pafajsinë, vrau banjën trupkapitëse, vrau shtratin e shenjtë bashkëshortor”.

Gruaja e blegtorit në Kala të Dodës i njihte vështirësitë e shtegëtimit dhe me shprehjen “o njera un-o” që përsëritet pas ç’do vargu të këngës, “Oj fusha e Korabit”, nuk qan vetëm hallin e saj që do të përballoi gjashtë muajt e dimrit, “s’janë një ditë e dy, / janë gjashtë mujt e zi”, e vetme e larg gëzimeve njerëzore, por edhe të burrit të saj, i cili larg nga familja, i djegur nga malli për gruan, prindërit dhe fëmijët, si dhe meraku për jetën e tyre, do ta kalonte dimrin në kushte tepër të vështira moti e jetese. Por duke e ditur se nuk mud të bënin pa këtë shtegtim, ajo jo si qaramane por me përgjegjësinë e bashkëshortes është gati ta ndjek në rrugën e shtegëtimit, burrin saj, për t’ja lehtësuar vështirsitë “Si t’ishte sebepi, o njera un-o / T’më mirrshe me veti / Bukën ta gjatujë / Koliben ta rujë”.

Ky shqetësim largimi ishte i përvitshëm, si një ritual që gjithmonë do të ndodhte, ditën e Shën Mitrit, me 24 nëntor, dita kur niseshin shtegtarët me kopetë e tyre në kullotat dimërore në fushën eSelanikut. Ky merak do ta shoqëronte atë edhe në shtrat kur binte në gjumë, edhe në mëngjes kur shikonte Korabin, në se ishte i vrenjtur, edhe në magje kur gatuante dhe mendonte kaçamakun e barive me të cilin ata ushqeheshin. Këtë merak e shpreh, të ngritur në artë, autori anonim i kësaj kënge me pyetje retorike dhe premtimin, se me mendë e me shpirt ajo ishte gjithmonë pranë tij: “ Shajvi si po bije o njera un-o, / Ferexhe a kije / Ferexhja ba kllajë / Fugje me ni dllajë / Ferexhja e shkurtë / A t’mërdhajhin gjujtë / Ferexhja e vjetër / T’baj dada ni qetër / o njera un-o”.

Vargjet e këngës “Oj fusha e Korabit”nuk shprehin vetëm vuajtjet e barinjëve të Korabit dhe vashave të tyre. Si këngë e jetës së këtyre banorëve, si poezi me vargje të ndërtuara mjeshtrisht, ajo shpreh edhe shpresë e gëzim, gëzim që pritej e do të vinte ditën e Shëngjergjit për të lumturuar zemrat e vashave, fëmijëve dhe prindërve, por edhe të Fushës së Korabit. “Po na çelën shpenra , / Nuk na hihet mrena / Banja si t’ja bajsh / Për Shënxhexh t’na vajsh, / Me dhenë e me shqerra / Të na gzohet zemra.”

Për banorët e bashkësive blegtorale të Kalasë Dodës, viti kalendarik konceptohet në dy stinë: Vera dhe Dimri, seicila me nga gjashtë muaj. Dita e Shëngjergjit është dita e parë e vitit dhe kremtohet me 6 maj. Këtë ditë kthehen blegtorët nga shtegëtimi dhe kremtohet me këngë e rite me origjinë deri edhe pagane, në dëshirën për të patur një vit të mbarë blegtoral.

Me vargje homerike ndërtuar me figura letrare nga më të gjeturat, kënga pasqyron, si në një legjendë, gëzimin e ardhjes së shtegtarëve, duke emërtuar edhe vendet me shenjë, nga ku ata do të njoftonin ardhjen.“Kur të dalish n’atë kep / Dixhe ni fishek / Te ura e Radikës / Duel ylli i dritës / Te ura e Izvajrit / Topi i tranafajlit”.

Kënga “Oj Fusha e Korabit”, në saj të tekstit poetik dhe të melodisë, si jehonë bjeshkësh, të fyejve që e shoqërojnë, të japin emocione të papërshkruara, por edhe krenarinë që ke genin e atyre njerëzve të mrekullueshëm të cilët ndërtuan jetën e tyre në bjeshkët e Korabit me aq sakrifica e dinjitet. Thellimi në njohjen e mëtejshme të vlerave të kësaj kënge, të cilat janë të pafundme do të sillte studime e krijime artistike me vlera të veçanta kombëtare. Të shpresojmë që ky shkrim i imi modest, të jetë nxitje.