Një libër me vlerë për Shishtavecin

Lexuar 3962 here




nga Besim R Cengu
Monografia “Shishtaveci historia dhe tradita”, është një pasqyrë e jetës dhe aktivitetit të një prej fshatrave të zonës së Gorës të rrethit të Kukësit. Ky libër, pa dyshim është ndërmarrja më serioze deri tash e një autori, për të studiuar origjinën, traditat, zakonet e ritet, momentet më të rëndësishme historike të Shishtavecit, i cili ka qenë dhe është qendër e gjithë zonës së Gorës.Autori i kësaj monografie, Zenulla Bala, mësues dhe edukator i njohur, jo vetëm i Shishtavecit, ka punuar me shumë kujdes dhe përkushtim, për të paraqitur sa me drejt në kompleksitet portretin e këtij fshati, që i ka përballuar me sukses rrebeshet e historisë. Duke jetuar dhe vepruar aktivisht, pothuajse gjatë gjithë jetës së tij në Shishtavec, autori ka patur mundësinë dhe kohën të gërmojë, studiojë, shënojë e theksojë, shumë fakte dhe ngjarje që kanë shërbyer në realizimin e qëllimit të tij.Ai është i vetëdijshëm, se nuk mund të studiohet historia e një fshati, pa e vështruar dhe analizuar me vëmendje kompleksitetin e ngjarjeve në gjithë zonën, pjesë përbërëse e së cilës është, kryesisht në fshatrat e Gorës. Madje pa patur parasysh edhe zhvillimet historike në vend. Nisur nga ky kriter studimi, ai ka dalë prej “guaskës” të studimit të jetës dhe aktivitetit historiko-jetësor të një fshati, por edhe të përçasjes së tij me të gjithë regjionin, me të gjithë fshatrat e zonës së Gorës dhe më gjërë. Prandaj, ky libër, nuk i përkushtohet vetëm një fshati, Shishtavecit, por një treve të tërë, ku bëjnë pjesë mbi 50 fshatra shqiptare dhe gorane, gjithnjë të lidhur nga i njëjti fat, nga e njëjta histori dhe nga një komunikim e marrëdhënie “tradicionalisht e mirë”. ( Edhe marrëdhëniet miqësore nuk kanë patur kurrë barriera midis fshatrave gorane dhe shqiptare ).Duke iu referuar edhe studiuesve të tjerë, autori rreket të përcaktojë origjinën e fshatit Shishtavec, duke hulumtuar prej epokës bogomile, stabilizimit të fiseve vllehe, gjurmët e kishave, mbishkrimet e varreve, e deri te lëvizja e popullatave brenda për brenda vendit, si në rastin e shpjegimit për prejardhjen e disa fiseve (Doçi, Bela, Bala, Sokoli, Shyti, Draga, Ballabani, Murga, Kallabaku, Allaraj etj), që sot jetojnë në Shishtavec.Zenulla Bala, në shumë raste, nuk jep përfundime shkencore (as nuk u referohet spekullimeve antishkencore të studiuesve sllavë, sërbë sidomos, siç vepron ndonjë studiues tjetër i sotëm për Gorën), por ai shtron çështje e ide, që i lë hapur me qëllim, për të diskutuar edhe studiues të tjerë më të mirëinformuar për probleme specifike. “Kush bën diçka më të mirë në këtë drejtim, unë do ta nderoj dhe respektoj”, - thotë ai.Gjithashtu, vihen në theks në këtë libër aftësitë e këtij komuniteti për të mbijetuar, duke u nisur që nga qëndresa ndaj pushtuesve turqë e sllavë, e deri tek përballimi i jetës së vështirë të shishtavecarëve dhe të gjithë goranëve, që u kanë diktuar kushtet historike dhe natyrore. Goranët, prej kur kanë ekzistuar në këto troje, kanë luftuar në një front me shqiptarët kundër një pushtuesi të përbashkët dhe nën një flamur të përbashkët, I cili ka qenë sa herë ai kuq e zi me shkabën dykrerëshe, para të cilit janë përulur njëlloj të gjithë, shqiptarë e goranë, dje dhe sot dhe me siguri edhe në të ardhmen.Kryesisht banorët e këtij fshati, si në të gjithë Gorën, janë marrë kryesisht me blektori e kurbet. Autori në këtë monografi, ka bërë një punë të çmuar, pasi ka gjurmuar dhe ka evidencuar lëvizjet e shishtavecarëve, si jashtë vendit, në Bullgari, Egjipt, Turqi, Greqi etj dje, në Angli, Amerikë, Gjermani, Belgjikë, Itali etj sot, ashtu edhe në gjithë qytetet e Shqipërisë.Gjuha e Gorës sipas autorit, ka origjinë sllave, që përngjason më shumë me maqedonishten, por kurrësesi me sërbishten a ndonjë tjetër në Ballkan. Madje sërbët, (mbi bazën e fakteve reale historike), ai i përcakton si armikun historik të goranëve, të cilët janë keqtrajtuar njëlloj si të gjithë shqiptarët, deri në shekullin e ri, pas luftës së Kosovës. Nail Hyseni, nga Rapça e Gorës, Hoxhë Mehmeti, nga Shtiqni i Lumës, Molla Rasim Zapodi, nga Zapodi i Gorës, Islam Spahia, nga Kolesjani i Lumës, qenë drejtues të shquar të kryengritjeve popullore kundër ushtrive serbe, që kishin një qëllim të përbashkët. Burra si Dajlan Xhemë Basha, Murat Adem Murati, Rrahman Ali Murati, dhanë jetën në luftë kundër invadorëve sërbë në vitin 1913, duke luftuar krah për krah me luftëtarët lumjanë, a krahinave të tjera, ndërsa Qamil Beqa, protestonte në Komisionin e verifikimit të kufinjëve dhe qeverinë shqiptare të viteve 20-të të shekullit që iku, për të mos iu dhënë Gora dhe territore të tjera shqiptare Sërbisë.Autori ndalet edhe në faktin, se Shishtaveci ka mbështetur me vendosmëri luftën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi në Luftën Nacionalçlirimtare, duke i dhënë asaj edhe shumë partizanë, që u rrjeshtuan në formacionet e Ushtrisë shqiptare dhe gjakun e pastër shqiptar të tre dëshmorëve. Ky kontribut, me të njëjtin intensitet, ka vazhduar edhe pas çlirimit të vendit nga okupatorët nazifashistë, në përpjekje për të ndërtuar jetën e re.Me shumë interes për autorin e këtij libri, është edhe studimi i kulturës shpirtërore të Shishtavecit. Ai përmes studimit të traditës zakonore, të organizimit të aktiviteteve popullore në jetën e përditshme si dasma, etnografia, jeta baritore, festa pagane e fetare, aplikimi i sporteve të ndryshme etj, ka mundur të paraqesë të përbashkëtat dhe veçoritë me trevat përreth si Luma, Opoja apo edhe regjioni i Prizrenit e Tetovës. Shijet estetike në veshjet popullore, mjeshtria e ndërtimit të shtëpive, tradita e gatimit dhe e organizimit të aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive, dëshmojnë qartë traditën kulturore dhe shpirtërore të Shishtavecit dhe Gorës në tërësi, kësaj treve simpatike, pjesë e pandashme e kulturës shqiptare.Monografia “Shishtaveci - historia dhe tradita”, shkruar nga Zenulla Bala, është një kontribut i çmuar, që ai po jep për Shishtavecin, Gorën dhe më gjërë. Ky libër ka vlera historike dhe i thirr ndërgjegjes intelektuale, që të gjykojë drejt historinë, traditat, zakonet dhe jetën e një populli, se kështu sendërtojmë vetëdijen tonë brenda realitetit ku jetojmë. Pa kulturën, traditat, kontributet historike të trevës së Gorës, historia jonë do të jetë e mangët, ashtu sikurse jashtë kontekstit të historisë shqiptare, Gora nuk mund të ekzistojë.