Brekijasi i shkruan Tanushës

Lexuar 1477 here




nga Azem PARLLAKU
Të shkruash për këtë pjesë të trojeve shqiptare dhe popullin këtu, kurrë nuk është vonë. Me qëndresën e tij tejet duruese dhe asnjëherë asimiluese, ky popull ka dëshmuar shkallë të lartë qëndrueshmërie, ndaj të gjitha sfidave në rrjedhën historike.
Nëpërmjet hulumtimeve të shumta, paraqitjes së një sërë faktesh dhe ngjarjesh, autori Feri Arifi, ka kontribuar në zhvillimin dhe pasurimin e historiografisë sonë kombëtare, duke ezauruar dukshëm cështjet që kanë të bëjnë me Tanushën si trevë, gjithashtu dhe qëndrimet e programuara antishqiptare në kurriz të këtij populli autokton.
Nga një lexim i vëmendshëm të këtij libri, përmes fakteve të qasura dhe materialit të konsultuar, me të drejtë konstatojmë atë cfarë e thotë në përcjelljen që i bën kësaj monografie studiuesi Ramadan Musliu "...Tanusha arriti të jetë një sinor midis epokave ekzistenciale të historisë, duke filluar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjes shqiptare në Kosovë në fillim të shekullit XX, e në vecanti tanushasit shquhen në betejën e Grykës së Kacanikut...".
Në tërësi cdo lexues, e sidomos ai i dhënë pas librit historik, mund të gjejë në librin e z.Arifi  pjesë me interes të vecantë, apo të dhëna të nevojshme, por edhe mund të kujtojë apo të sistemojë ngjarje të përjetuara prej atij vetë, që jo gjithmonë e bashkëshoqërojnë jetën e njeriut.
Në libër spikasin dy tipare të rëndësishme që tërheqin vëmendjen e lexuesit dhe përforcojnë karakterin shkencor të veprës.
I pari është vështrimi i saktë panoramik i trevës, ku evidentohen të dhëna të sakta për të gjitha resurset natyrore dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të tyre në zhvillimet ekonomike të popullësisë së këtushme.
I dyti dhe më i rëndësishmi është shtjellimi i gjërë i zhvillimeve historike duke filluar që nga lashtësia e deri në ditët tona.
Libri përmban një numër të madh dokumentesh ku trajtohen në mënyrë të gjithanshme të dhëna antropologjike, kulturore, gjeografike, toponomastike, etnografike, gjuhësore, etj.
Autori paraqitet bindës si njohës i cështjeve historike, ndaj dhe analiza dhe qëndrimet e tij janë të sakta, e të lidhura drejtpërdrejtë me faktorët kardinal të zhvillimeve historike të së shkuarës, të tashmes dhe të prespektivës.
Popullësia shqiptare ishte këtu bashkë me malet dhe me veprimtarinë e saj e shkroi historinë në këto anë.
Kënga, legjenda, miti e gojëdhëna, që na i lanë në oda brez pas brezi  dhe gjeneratë pas gjenerate ishte shkolla e kohës dhe e jetës së popullit shqiptar në këto treva  ku kishin jetuar dardanët.
Nuk ka vend në malet e Karadakut të Shkupit, qoftë majë kodrinash, përgjatë lumenjve apo edhe në fusha e lugina, të mos gjenden themelet e vjetra gurore të kalave, vendbanimeve, objekteve të kultit.
Këto mbetje nga antikiteti gjatë mesjetës vetëm sa u adaptuan. Faltoret e vjetra dardane në mesjetë u bën kisha e manastire, kurse nga shekulli i XV– të, pasi erdhën osmanët dhe e pushtuan Gadishullin Ilirik, siç quhej atëherë Ballkani i sotëm.
Dëshmitë e këtij ndryshimi gradual janë gjithkund. Sa themele të vjetra kishash, të cilat nuk u arrit të beheshin xhami, ngase ishin shumë në numër, sa varreza, ku si në pasqyrë shihet ndryshimi i simboleve fetare, nga dielli në kryq e nga kryqi në gjysëmhënë, janë sot të shpërndara nëpër fshatra, kodrina e lugje afër fshatrave.
Shqiptarët e këtyre trevave i kaluan të gjitha ato rrebeshe të historisë që i përjetoi Gadishulli Ilirik. Pasojat e këtyre rrebesheve në këtë anë ishin edhe më të ndjeshme ngase Mali i Zi i Shkupit,  jo vetëm se ishte rrethina e qytetit gjithmonë të madh e të rëndësishëme, çfarë ishte Shkupi, por edhe nga shkaku se vetë teritori ishte i një rëndësie të veçantë gjeostrategjike: aty priteshin rrugët që shpienin nga  të katër anët, aty ishin gjithë ato kala.
Prandaj, presionet ndaj popullatës kanë qenë të përhershme më të vetmën arsye se vendbanimet e Malit të Zi të Shkupit ishin ato që formonin unazën mbrojtëse të qytetit të gjithkohshëm, atij që trashëgon emrin që nga antikiteti, Skupi antik dhe Shkupit të sotëm.
Shqiptarët e kësaj ane shumë herë, aq sa vështirë t’i regjistrojë edhe kujtesa popullore, u dogjën, u shpërngulën dhe prapë u kthyen,  ikën që ta ruajnë identitetin dhe trashëgëminë e vet të lashtë dardane, dhe u kthyen që ta ruajnë truallin e kësaj trashëgimie shpirtërore dhe tokësë së tyre. Shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë në këto troje. Ndaj tyre, pushtues pas pushtuesi, në të gjitha periudhat e historisë, u munduan ta tjetërsojnë si popull dhe si territor.
Autori Arifi ka mundur, të na japë një përshkrim të qartë e të saktë të pozicionit, relievit e të karakteristikave gjeografike të Tanushës, duke vijuar më tej me njohuri e analiza për popullësinë, luftrat me pushtuesit, gjuhën, kulturën, religjonin, etj.
Në libër zbërthehen dhe shpjegohen faktorët që kanë përcaktuar raportet me historinë, kryesisht ato të mardhënieve me maqedonasit, sllavët, e popullësinë autoktone shqiptare e cila lëviz e kthehet sërish në Tanushë. Autori e përqëndron vëmendjen në ngjarje të tilla ku janë përfshirë bashkëpatriotët e tij, ngjarje të tilla si Beteja e Kacanikut, mbështetja e Luftës Clirimtare të Kosovës, roli i tanushasve në formacionet ushtarake për clirimin e Kosovës e për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
Vlerësimet pozitive mbi librin ndikohen natyrshëm dhe nga respekti që meriton autori, bazuar në njohjen e vullnetit e këmbënguljes së tij. Përsa i përket mënyrës së shtrimit, organizimit,  strukturës së librit, përshkrimit të ngjarjeve, referimeve të përdorura, emrave të përvecëm, apo notave "propagandistike", lexuesi mund të mos jetë plotësisht dakord me autorin, por kjo është normale në kushtet e shijeve dhe lirive individuale. Vlerat e këtij libri qëndrojnë në karakterin shumëdimensional, në dhënien e një informacioni të pasur e panorame të qartë për Tanushën e popullin e saj, ndaj cdo kush do ta pëlqente këtë libër në biblotekën e tij.