Ky qilim nga Novosej, për Kancelarin, Helmut Kohl

Lexuar 4751 here




nga Azem PARLLAKU
Sot, kur kanë shkuar po thuaj 20 vjet, Agim Noka, e ruan këtë fotografi që mundi, t'ia bëjë dhuratës për Kancelarin, Helmut Kohl. Atë ditë kur ai kishte shkuar në Ambasadën Gjermane në Tiranë, i ishte nënshtruar masave të rrepta të kontrollit. Kur atasheu ushtarak i Gjermanisë, e kishte hapur qilimin mbi një tryezë të madhe në hollin e Ambasadës, i gjithë personeli ishte mbledhur aty, ndërsa Agimit i duhej të tregonte: Çfarë e kishte shtyrë të bënte një dhuratë të tillë për Kancelarin e Gjermanisë. Bashkëshortja e atasheut ushtarak të Gjermanisë, kishte mundur që, gjatë asaj ore të skiconte motivet e një qilimi dhe i ishte lutur Nokës, për t'ia punuar një të tillë qilim karakteristik siç dinë t'i endin dhe punojnë gratë artizane në Novosej.

Në qilimin të cilin Kancelari, Helmut Khol, e mori pas disa ditëve, krahas motiveve të përzgjedhura nga dy artizanet që, e punuan atë, njëra bashkëshortja e Agimit dhe tjetra nusja e vëllait të tij, spikatin dy flamujt, shqiptar dhe ai gjerman, ndërsa e thurur është fjalia; "Për Kancelarin e Gjermanisë Helmut Khol, dhuratë e popullit Novosej".

Ideatori i këtij gjesti, Agim Noka, ka zgjuar gjuhën me të cilën është rritur, por edhe krenarinë për një fshat si Novosej. Kur themi gjuhën me të cilën është rritur, kujtojmë të shkuarën plot vështirësi në kurriz të novosejasve. Kujtojmë mënyrën si është trajtuar ai popull, që gjithëherë ishte në konflikt me sistemin qeverisës. Novosejasit kishin rezistuar gjatë, për të mos i'u nënshtruar rregullit të ashpër të asaj kohe. Ishte fshati i fundit që, u bë pjesë e sistemit të kooperativave të socializmit. Në një letër që drejtuesit vendorë partisështet, i dërgonin Enver Hoxhës, është shkruar se: "Më në fund edhe Berlini ka rënë". Dhe pikërisht bëhej fjalë për fshatin Novosej, të cilin organizmat e partisë në Kukës, e konsideronin siç, Stalini kishte vlerësuar Berlinin e Luftës së Dytë Botërore.

"Ka qenë intrigues fakti që, Novosej të konsiderohej si Berlini", thotë Agimi, ndërsa ruan edhe letrën e falenderimit që u'a ka çuar novosejasve Kancelari, Khol, pas pranimit të dhuratës e cila i kishte mbërritur nga ky fshat i Kukësit që, gjithësesi edhe sot nuk i tret zakonet e së shkuarës së tij.

Helmut Kohli i dha emrin e tij një brezi të tërë, "brezit Kohl". Helmut Josef Michael Kohl lindi në Ludwigshafen në 3 prill 1930. Kohli e drejtoi Gjermaninë për 16 vjet. Ai mbahet mend për ribashkimin e Gjermanisë si dhe kontributin e tij të madh politik e ekonomik për integrimin e Evropës. Në vitin 1969, Helmut Kohli u zgjodh kryeministër i landit të Rheinland-Pfalzit. Në moshën 39 vjeçare ai qe kryeministri më i ri që e pati marrë ndonjëherë këtë post. Por do të zgjaste deri në 1 tetor 1982, derisa Helmut Kohli të arrinte synimin e tij: postin e Kancelarit të Gjermanisë. Me një mocion votëbesimi kundër Kancelarit socialdemokrat Helmut Schmidt, Kohli erdhi në pushtet. Më parë ai pati bindur kryetarin e partisë liberale, FDP, Hans-Dietrich Genscher, që t’i braktiste socialdemokratët dhe të kalonte në koalicion me CDU. Kohli e arriti zenitin e karrierës së tij politike në vitin 1989 dhe 1990.
.