Kuksiani Ylber Hasa shpallet kampion i Europës në Kick Box

Lexuar 3690 here




Kuksiani që prej vitesh punon dhe stërvitet në Itali, Ylber Hasa është shpallur kampion Europe i kikboksit, në kategorinë e veçantë të 65 kilogramëve.

Titullin e shumë pritur, pas një stërvitje shumë të gjatë dhe sakrificave që i është dashur që të përballojë, Ylberi e mori në prani të 4000 spektatorëve në stadiumin e Sant Jordi Palau në Barcelonë, aty ku ai u shpërblye për vitet plot përkushtim për sportin e tij të preferuar.
Në një intervistë të dhënë për redaksinë onlinë të Ora News, Ylberi thotë se ndonëse është vetëm 23-vjeç, synimet e tij janë më të mëdha, ndonëse për këtë duhet të punojë me shumë përkushtim dhe sakrifica, por që i nevojitet edhe mbështetje.

Gazetarja: Ylber, ju u shpallët Kampion Europe në peshën 65-kilogram në Kick Box. Fillimisht, na thoni diçka për veten, si nise stërvitjen, nga të erdhi idea, ku je stërvitur dhe sat ë vështirë e ke pasur të arrish deri këtu?

Fillimisht, më lejoni t’iu falenderoj për këtë intervistë. Së dyti, unë jam 23-vjeç dhe origjina ime është nga fshati Vilë, i Njësisë Administrative Bushtricë në Kukës. Jetoj prej vitesh këtu në Itali. Fillova ta praktikoj këtë sport para 5 vitesh. Më është dashur shumë shumë punë e po ashtu edhe mbështetje. Familja ime më ka qëndruar pranë dhe ka sakrifikuar shumë në mënyrë që unë të jem këtu ku jam sot. Gjatë gjithë kësaj kohe unë jam stërvitur në shumë palestra dhe me shumë ekspertë të fushës. E kam pasur shumë të vështirë, por më duhet të them se rezultatet e kësaj pune kanë ardhur dy vitet e fundit.

Gazetarja: Kur ke dalë në ring për herë të parë dhe çfarë fituat në ndeshje?

Ashtu siç iu thashë, pas nja dy vjet pune intensive, fitorja ime e parë ka ardhur me fitoren e titullit italian në prill të vitit 2016,k ohë kur unë u bashkova me turnetë e ekipit italian kombëtar.

Gazetarja: Tashmë ju jeni shpallur kamion Europe në peshën tuaj, si jeni ndjerë?

Të jem i sinqertë, kur dola në ring ishte një çast shumë emocionues. Kisha përballë një rival spanjoll, por këtë fitore e doja më shumë se çdo gjë tjetër. Ai ishte stërvitur shumë, pasi lëvizjet e bëra dhe goditjet, treguan se edhe ai kishte synime për këtë titull, por në raundin e tretë gjithçka përfundoi dhe unë e hodha atë në tapet.

Gazetarja: Ju edhe punoni, përveç stërvitjes. Si ia dilni?

Kur unë erdha këtu në Itali, u strehova tek xhaxhai im, pasi ai jetonte prej vitesh këtu me familjen e tij. Unë edhe punoj, pasi nuk kam mundësi që të fitoj jetesën. Pronari i sipwrmarrjes ku punoj më ka mbështetur gjithmonë në stërvitjet dhe sfidat e mia. Madje, këtë fitore ia dedikoj edhe atij dhe gjithë kolegëve, të cilët më mbështesin e përkrahin. Palestra ku unë stërvitem është Fogazzaro ndërsa ai që më ka mbështetur gjithnjë financiarisht është Flavio Bonetti.

Gazetarja: Ti tanimë mban mbi shpatulla një titull, por çfarë synon për të ardhmen?

Unë jam i vendosur në qëllimet e mia dhe nuk do të ndalem, pasi në muajin shtator do të jetë një garë e madh në Gardolo dhe unë synoj që ta fitoj atë. Por jo vetëm kaq, pas dy viteve, kur do të organizohet Kupa e Botës, unë dua ta fitoj edhe atë.

Gazetarja: Çfarë i’u shtyn për të fituar gjithmonë dhe për t’u stërvitur me shumë sakrifica?

Unë vij nga një zonë ku sportet e burrërisë janë shumë të përhapura. Në këtë kontekst, dua të tregoj se shqiptarët nëse mbështeten janë të aftë të punojnë fort për aspiratat e tyre dhe që mund të shpallen edhe Kampion Europe apo Bote nëse vëmendja për sportin është në nivelet e duhura. Ju do thoni, pse përfaqësoni Italinë? Po, është e vërtetë, por kur isha në Shqipëri nuk kisha mbështetje, ndërsa këtu vlerësohet çdo investim në çdo lloj sporti.

Gazetarja: Doja një mesazh tuajin, për të gjithë ata të apasionuar pas sportit Kick Box?

Punoni, stërvituni, kërkoni mbështetje dhe shfaqeni talentin tuaj. Ndërsa për qeverinë dhe institucionet përkatëse, kam një thirrje: Mbështetini talentet e reja dhe jepjuni atyre mundësinë që të tregojnë sesa vlejnë.

ora news

.