Patatet me sytha - A i bëjnë dëm organizmit?

Lexuar 3121 here




Vetë bima e patates përmban solaninë dhe glikoalkaloidë, të cilat gjenden edhe tek sythat e rinj që çelin nga perimja e nëntokës

Mund t’ju ketë ndodhur shpesh që pak përpara se të gatuani drekën, keni vënë re që patatet kanë nisur të nxjerrin filiza.

Çfarë duhet bërë në këto raste? Duhet t’i hidhni patatet dhe të blini të tjera, duhet t’i këpusni filizat dhe të vazhdoni me gatimin, apo të hiqni dorë?

A janë të sigurta patatet me sytha?

Lajmi i mirë është që patatet janë të sigurta dhe mund të konsumohen edhe pasi kanë çelur sytha, për sa kohë ato janë të forta, dhe lëkura e tyre nuk duket e rrudhur apo e vyshkur.

Nëse patatja është e fortë, shumica e ushqyesve të saj janë akoma të paprekur. Mjafton të hiqni sythat apo filizat dhe të vazhdoni me gatimin.

Në momentin që një patate nis e çel sytha, atëherë amidoni apo niseshteja në patate kthehet në sheqer për të ushqyer filizin që po të rritet.

Në fillim të këtij procesi, ju do të vini re disa njolla të buta që nënkuptojnë vendndodhjen e re të sythave, që priten të çelin shpejt.

Thjesht pastrojeni lëkurën e patates nga këto filiza dhe konsumojini të sigurt. Lexoni më poshtë disa informacione nga AgroWeb.org mbi konsumin e patateve me sytha.

Kur nuk duhet ngrënë një patate që ka çelur sytha

Ndërkohë që sythat apo filizat çelin e lulëzojnë, patatja nis të vyshket e të rrudhet, si pasojë e konvertimit të niseshtes në sheqer.

Një patate e vyshkur dhe e rrudhur ka humbur të gjithë ushqyesit e saj. Atëherë ajo nuk është as e shijshme dhe as me vlera.

Ndaj mos e konsumoni.

A përmbajnë toksina patatet me sytha?

Vetë bima e patates përmban solaninë dhe glikoalkaloidë, të cilat gjenden edhe tek sythat e rinj që çelin nga perimja e nëntokës.

Ato janë toksike dhe nëse konsumohen me tepricë mund të shkaktojnë dhimbje koke, të vjella dhe probleme me tretjen.

Prandaj është shumë e rëndësishme që përpara se të hani një patate, të pastroni lëkurën e saj nga sythat dhe filizat.

Solanina gjendet tek sythat, filizat dhe lëkura e patates dhe jo në brëndësi të saj. Ndaj, për sa kohë do ta pastroni lëkurën e patates nga këta miq të paftuar, nuk do të keni asnjë ndikim nga toksinat.

Nëse lëkura e patates ka marrë nuanca jeshile, atëherë duhet të dini që ajo është ekspozuar tej mase në diell.

Ajo ka nisur të prodhojë klorofil dhe solaninë. Patatet me këtë ngjyrë duhen qëruar mirë deri sa të ikë pjesa jeshile dhe lëkurat nuk duhen përdorur në asnjë mënyrë.

Si të parandaloni çeljen e filizave

Patatet kanë nevojë të mbahen në një vend të freskët (10-12 gradë është temperatura ideale) dhe larg dritës së diellit. Kjo do të thotë se kuzhina juaj nuk është vendi ideal për të ruajtur patatet.

Nëse keni një bodrum ose qilar me ajër natyral dhe jo të kondicionuar, atëherë duhet t’i ruani patatet aty.

Duke qenë se patatet përmbajnë 80% ujë, atëherë ato funksionojnë mirë në një ambient më të lagësht.

Por, si në rastin e çdo perimeje apo fruti tjetër, nëse ato lagen atëherë do të vyshken. AgroWeb.org sugjeron që patatet (pas blerjes ose mbledhjes nga kopështi) t’i vendosni në një vend të ajrosur mirë.

Qeset e letrës ose koshat funksionojnë shumë mirë. Mjafton që qesja ose koshat të jenë të mbuluar mirë me një napë ose gazetë për t’i mbrojtur ato nga drita e diellit.

Sigurohuni që t’i mbani patatet larg pajisjeve elektroshtëpiake apo frutave dhe perimeve të tjera.

A ruhen patatet në frigorifer?

Ruajtja e patateve në frigorifer parandalon çeljen e sythave, por në këtë rast, po zgjidhni një problem dhe përfitoni një tjetër.

Temperaturat shumë të ftohta do ta detyrojnë pataten të transformojë niseshten në sheqer. Rrrjedhimisht do të bëhet më e ëmbël dhe do t’ju japë ngjyrën e çuditshme të grisë apo kafes gjatë gatimit.

Ndaj, harrojeni frigoriferin dhe ruajini patatet në një vend tjetër./voal.ch

.