Novosej: ujërat e zeza, harrojnë autoritetet, banorët ndërhyjnë vetë

Lexuar 3619 here




Rreth 0,5 km linjë e re shkarkimi, si dhe pusetat e dekantimit e kontrollit, e kanë zgjidhur përfundimisht problemin e kanalizimit të ujërave të zeza në Novosej.

Megjithëse herë pas here banorët u janë drejtuar autoriteteve, këta të fundit nuk e kanë vënë ujin në zjarr, edhe pse situata është paraqitur shumë e rëndë, veçanërisht në segmentin rrugor nga qendra e fshatit deri tek "Mulliri i Ramës".

Kanë qenë vetë banorët të cilët kanë ndërhyrë, duke mbledhur dhe vënë në dispozicion një fond afërsisht prej 3000 euro, për blerjen e tubave, hapjen e kanalit dhe rehabilitimin e këtij segmenti rrugor nën të cilin shtrihet edhe linja e re e shkarkimit të ujërave të zeza.

Përfaqësuesi i komunitetit të emigrantëve Idriz Parllaku dhe Imami i fshatit Xhevahir Lika, bënë të mundur mbledhjen e fondit të nevojshëm dhe i qëndruan në kokë proçesit të kryerjes së punimeve në linjën e re të shkarkimit të ujërave të zeza.

Vlen të theksohet se deri para pak ditësh segmenti rrugor nga qendra e fshatit deri tek "Mulliri i Ramës", ishte tërësisht i ndotur, dhe për fat të keq këtë segment rrugor e përshkuanin të paktën dy herë në ditë edhe tufat me bagëti të fshatit.

Rehabilitimi i rrugës ka ndikuar edhe në kalueshmërinë e mjeteve bujqësore dhe atyre të transportit, kjo për faktin se nëpërmjet saj, banorët transportojnë produktet bujqësore dhe bazën ushqimore për blegtorinë./www.kallabak.com/


.