Bukuritë e bjeshkëve të Kukësit mahnisin të apasionuarit e natyrës

Lexuar 2822 here




TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Një grup alpinistësh nga qytete të ndryshme të vendit vizituan fundjavën që lamë pas bjeshkët e Kukësit, duke u ndalur në Çajë dhe Radomirë, ku shijuan bukuritë magjepsëse të natyrës dhe ushqimin tradicional të zonës.

Ermal Hallaçi, guidë turistike në qarkun e Kukësit tha për ATSH-në se “udhëtimi ynë dy ditorë në bjeshkët e Kukësit  filloi nga Ujëmbledhësi i Novosejt ose siç njihet ndryshe nga banorët Liqeni i Novosejit në drejtim të majës së Kallabakut. Shtegu është shumë i përshtatshëm për çdo grupmoshë”.

“Nëse ke mundur të shkosh deri tek maja e Kallabakut, vështron një peizazh mahnitës, i cili nuk është gjë tjetër vetëm një vallëzim i Alpeve të Sharrit dhe Korabit”, – thotë Hallaçi, i cili ka shoqëruar vitet e fundit qindra alpinistë në pikat turistike të Kukësit.

Bjeshkët e Cajës mes livadheve alpine plot lule shumëngjyrëshe kanë një pamje të mrekullueshme, ndërsa rreth e përqark tufat e deleve rudë dhe kuajve që kullotnin e bënin edhe me të bukur pamjen.

Rrugës alpinistët u takuan edhe me Ardianin, një banor i zonës, i cili ka ngritur edhe një bujtinë në fshatin Cajë ku mund të shijosh gatimet tradicionale të zonës.

Hallaçi shprehet se “pas një pushimi prej 20 minutash filluam udhëtimin drejt Çajës, ku për të arritur na duheshin edhe 2h e 30 min. Arritëm në fshat, ishim të parët vizitorë për këtë vit që shkonim në këtë fshat  bujarë dhe mikpritës dhe optimistë për të ardhmen e vendit U akomoduam në një shtëpi pritëse të Ardian Musajt në Çajë”.

Sipas tij çajanët janë të njohur në zonën verilindore për blegtorë të zotë, ku sot zona numëron rreth 4000-5000 krerë delesh.

Ardiani thotë se “blegtoria këtu është biznesi më fitimprurës. Ushqimi është i zonës me gatime tradicionale si byrek, mish qingji, kos dele, ndërsa në vend të birrës apo pijeve me gaz ofrojmë dhallë”.

Në ditën e dytë të udhëtimit të apasionuarit pas alpinizimit u drejtuan drejt fshatit Radomirë, që ndodhet rrëzë Korabit .

“Zgjimi u bë herët për të shmangur temperaturat dhe diellin gjatë turit. Mëngjesi jashtë pranë bujtinës me kafe turke dhe çaj boronice bio, pasi zona ka një sasi të madhe boronicë. U bëmë gati për ecje drejt Radomirës një udhëtim shumë i gjatë prej 6 orë ecje”, tregon Kledina Skendo nga Tirana, e cila ka vizituar për herë të parë bjeshkët e Kukësit.

Ajo shton se kaluam në shtegun mes luginave dhe përroit që rridhte nga bjeshkët drejt Radomirës, ndërsa ndaluam tek ujëvara e Çajës, që të mahniste me bukurinë e saj dhe më pas u drejtuam drejt Radomirës .

Një tjetër alpinist Afrim Tahiraj tha se “gjatë rrugës na u shfaq edhe pamja më e bukur e udhëtimit Mali i Korabit, më i larti në Shqipëri” .

Ermal Hallaçi, guida turistike thotë se “banorët që takonim në rrugë, çobanë na thanë që muaji qershor -shtator është koha ideale të shkelur këto pamje dhe bukuri natyrore”.

“Pas 6 orë ecjesh mbërritëm nga mesdita në Radomirë duke e mbyllur këtë tur 2-ditorë dhe duke shijuar bjeshkët e mrekullueshme të Çajës dhe Radomirës”, thekson Hallaçi.

Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve. Një ndër destinacionet më kryesore për këtë 9-mujor është parku natyror Korab-Koritnik.

Një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Të frekuentuara janë edhe pikat turistike, si Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit./k.s//a.a/  
.