Kukësi qyteti i pasur me mjerimin ulur këmbëkryq

Lexuar 2694 here




Sapo zbritëm në Kukës, në qytetin që duket se e ka kapluar një heshtje e madhe dhe ku ndihet shumë mungesa e të rinjve të këtij qyteti. “Nuk ka mbetur njëri këtu, të gjithë kanë ikur”, tepër trishtuese, por kjo është e para shprehje që u ndeshëm gjatë vëshgimit në këtë qytet të vogël e të heshtur të Shqipërisë.

 

Rruga të çon drejt tregut të mjerueshëm të qytetit, ku pa pyetur fare askënd dhe pa marrë fare të dhëna të sakta, ndihet qartë vështirësia ekonomike e qytetarëve të Kukësit. “Ne kemi pasur ‘pandemi’ gjithë kohës,”-shprehet  një tregtar. “Tani thjesht është thelluar shumë pandemia këtu tek ne dhe ka shkatërruar akoma më shumë vendin. Po flas në përgjithësi, nëse flas në veçanti, mua personalisht më ka shkatërruar dhe do ta mbyll biznesin sepse këto 4 muaj falimentova. Do largohem familjarisht jashtë. Do ikim atje ku ka shtet, të paktën nëse na ka ngelur dhe pak jetë, do t’i shtrijmë rrënjët jashtë”– shton A.Nela.

 

Pak më tutje, gjatë ecjes përmes tregut, ajo që binte në sy ishte boshatisja e tij, si nga qytetarët ashtu edhe nga tregtarët ku këta të fundit kishin ulur qepenat, ose nuk i kishin hapur fare. Pyesim një zotëri që shiste produkte bio rrugës, që çfarë po ndodh në këtë qytet dhe shprehet se janë larguar të gjithë, edhe pse Shqipëria është aq e pasur, problemi i vetëm është se gjithë kjo pasuri është vetëm në gojën dhe dorën e një personi. “Jemi aq qytet i pasur o bijë, por nuk merret kush me ne. Kukësi ka bukuri përrallore që nëse do shfrytëzoheshin, do ishte bërë një perlë. Këtu secili që ulet në karrike lufton për gojën e vet dhe askush nuk mendon për vendin dhe popullin. Gjynah jemi, sepse jemi aq të pasur sa nuk ka ku të shkojë, nuk jemi gjynah sepse jemi të varfër, të varfër jemi se kështu duan këta sipër nesh. Shqipëria është perlë, por jemi të detyruar të largohemi dhe më dhemb shpirti kur e them.”- shprehet zotëria rreth të 60-ave i përlotur.

 

Të pyetur se si e kanë përballuar karantinën dhe si po vijon jeta tani pas hapjes duke qenë se Kukësi rezultoi sërish si qyteti më i varfër i Shqipërisë, tregëtarë dhe qytetarë të zakonshëm shprehen se normalisht ka ndikuar shumë mbyllja në ekonominë e secilës familje. Frika nga virusi ishte një tjetër gjë që ata folën, mirëpo ndiheshin mirë që ishin mirë me shëndet dhe për to kjo ishte kryesore. Më tej, shtuan se ka pasur ulje në çmime të produkteve dhe ushqimeve nëpër dyqane dhe në pazar. Përsa i përket faktit që ky qytet rezulton se është më i varfëri i Shqipërisë, ata shprehen se janë shumë të pasur. “Kukësi nuk mund të jetë i varfër kur është kaq i pasur. Mjafton një sy nëpër periferi të qytetit dhe do ta shikoni pasurinë dhe mrekullitë që ne gëzojmë. Kukësi është vendi ku mbushesh me frymë. Ne na kanë ikur djemtë jashtë për të punuar dhe ky brez që nuk është më këtu, do jetë brezi që do e nxjerrë në pah Kukësin dhe vlerat e tij. Nëse shteti nuk e bën, do ta bëjmë ne. Të paktën atëherë do të largohemi të qetë nga kjo botë.”– shprehet një qytetare.

 

Ikëm dhe kështu e lamë këtë vend kaq të bukur, me rrugë të boshatisura, me dyqane të mbyllura ose të zbrazura, me lokale thuajse bosh, por me një bukuri përrallore dhe me njerëz të mrekullueshëm!/Briselda Hoxha/

 

.